Hoti: LDK është e gatshme për të votuar edhe para të mërkurës

  • 24 February 2018 - 16:45
Hoti: LDK është e gatshme për të votuar edhe para të mërkurës

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se konsensusi i arritur sot, hap përfundimisht rrugën që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi të kalojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës dhe kështu të plotësohet kushti për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Zotri Hoti ka treguar se marrëveshja me dy partitë e koalicionit në qeverisje: PDK-në dhe Nismën, partitë e vogla si dhe minoritetet, e kemi arritur të enjten në mbrëmje dhe kishte mbetur vetëm edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që të bashkohej me këtë marrëveshje, që të lëvizim përpara me ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

Ai shtoi se sot u njoftuan që edhe AAK-ja, është pajtuar me propozimin tonë që e kishim dhënë të enjten mbrëma, dhe na vjen mirë që tani po hapet rruga përfundimisht që marrëveshja për demarkacionin sa më parë të kalojë në Kuvendin e Kosovës dhe të plotësohet kështu kushti për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë pritur mjaft shumë për këtë. Më vjen mirë që tani u arrit pajtimi, për të lëvizur përpara!

Raporti i z. Bulliqi, raporti i zotit Meha, raporti i Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, i themeluar nga ish presidentja Jahjaga dhe raporti i Komisionit të Akademisë së Shkencave, të gjitha këto, janë raporte që do t’u vihen në dispozicion deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që ata t’i kenë informatat e plota nga të gjitha komisionet e formuara nga Qeveria paraprake dhe kjo Qeveri, lidhur me këtë marrëveshje dhe pastaj deputetët të vendosin sipas ndërgjegjes së tyre. Ne, i kemi analizuar të gjitha këto raporte dhe të 27 deputetët e grupit tonë parlamentar, tanimë janë plotësisht në mbështetje të kësaj marrëveshjeje.

(Kosova Sot)