Berjani: "Falë mërgimtarëve tanë, ekonomia jonë çdo vit përfiton rreth 700 milionë euro "

  • 24 February 2018 - 19:39
Berjani:

Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot", tha se nuk ka asnjë dyshim se remitencat e bashkatdhetarëve tanë po e mbajnë në këmbë shtetin dhe ekonominë e Kosovës. "Falë mërgimtarëve tanë, ekonomia jonë çdo vit përfiton rreth 700 milionë euro nga diaspora që futen në Kosovë", theksoi ai. "Kjo nuk është e mjaftueshme se pa rritjen e investimeve të huaja direkte që viteve të fundit kanë shënuar një rënie të dukshme nuk ka zhvillim të vendit. Sepse vetëm investimet e huaja direkte janë mjeti më efektiv për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë", vlerësoi ai. "Përfitimet e investimeve të huaja janë ulja e papunësisë, e cila lidhet me një zvogëlim të varfërisë, zhvillimin e zonave rurale dhe zëvendësimin e importit. Investimi i drejtpërdrejtë i huaj do të ulte deficitin midis importeve dhe eksporteve që për momentin është i madh. Sidoqoftë, vitet e fundit numri i investimeve të huaja direkte ka rënë", potencon Berjani. "Arsyeja kryesore për këtë është mungesa e besimit. Tregjet e huaja nuk kanë ndërtuar atë besim të nevojshëm për një bashkëpunim të suksesshëm. Boshllëqet politike, një sistem i dobët legjislativ dhe kryesisht korrupsioni i madh në nivelin qendror dhe lokal, ku Qeveria e re duhet ta lufton korrupsionin, kanë çuar në këtë situatë të brishtë me ekonomin vendore që po mbahet në këmbë nga remitencat", ka thënë më tutje ai. 

(Kosova Sot)