Kosova prezantohet me rreth 40 projekte në samitin e Londrës

  • 24 February 2018 - 19:56
Kosova prezantohet me rreth 40 projekte në samitin e Londrës

39 projekte konkrete nga sektori publik dhe privat do të prezantohen nga Kosova, në Samitin e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, që do të mbahet të hënën në Londër.

Vlera e këtyre projekteve arrin shumën e 500 milionë eurove, dhe pjesa më e madhe i përkasin infrastrukturës.

Projekti më i madh do të jetë unaza e kryeqytetit, kostoja e së cilës është 63 milionë euro.

Ndërsa, pjesa më e madhe e projekteve private janë për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme.

Por, derisa 500 biznese nga gjashtë vendet e rajonit do të marrin pjesë me projekte në samit, prej tyre vetëm 14 do të jenë nga Kosova.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliut, numri i vogël i të interesuarve është bërë nga mosbesimi se projektet do të realizohen.

Krahas këtyre projekteve, në Londër kryeministri së bashku me ekipin, do të prezantojnë edhe dy projekte nacionale, atë për kyçjen e vendit në rrjetin e gazsjellësit rajonal, si dhe për lidhjen e rrjetit hekurudhor Fushë Kosovë- Tiranë- Durrës.

Aktualisht, Kosova është në borxhe të jashtme që kapin vlerën e 1 miliard eurove apo 16% nga 40% sa aktualisht vendit i lejohet të hyjë në borxhe të jashtme.
Përfaqësimi në këtë samit do të jetë sipas formulës së Gimnihut, apo pa simbole.

(Kosova Sot)