Presidenti: Serbia ka kryer gjenocid, s’mund të ecë në BE pa e njohur Kosovën

  • 25 February 2018 - 12:41
Presidenti: Serbia ka kryer gjenocid, s’mund të ecë në BE pa e njohur Kosovën

Në një intervistë të gjatë dhënë emisionit “Pressing” të televizionit rajonal “N1”, me moderator gazetarin Jugosllav Qosiq, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë, ndër të tjera, se Kosova ka përmbyllur me sukses mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, se pret që, në fund të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë , Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Ai tha se shpreson dhe beson se viti 2018 do të jetë viti i një marrëveshjeje historike midis Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

“Kjo marrëveshje do të çojë në një normalizim të plotë të marrëdhënieve tona dhe njëherësh në pajtimin e popujve tanë. Paqja mes Kosovës dhe Serbisë do të thotë paqe për Ballkanin Perëndimor. Paqja është gjithashtu një mesazh për evropianizimin e të gjithë hapësirës në të cilën jetojmë. Shpresoj se do të jetë një marrëveshje e standardeve dhe modelit evropian. Bashkimi Evropian tani duhet të marrë rolin e tij aktiv, dinamik dhe udhëheqës, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është momenti dhe lidershipi i duhur për arritjen e marrëveshjes që ka munguar në njëqind vjetët e fundit dhe që do ta hapë perspektivën për brezat e ardhshme”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se nëse ka vullnet të mirë, nëse tregojmë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike për t’u orientuar drejt së ardhmes, pres që do të ketë vullnet të ndërsjelltë për njohjen e dyanshme.

“Kosova është gati, por një gjë është e sigurt: as Serbia dhe as Kosova nuk do të kenë një të ardhme evropiane pa një marrëveshje të përbashkët dhe njohje të dyanshme. Pra, as Serbia nuk mund të bëhet pjesë e familjes evropiane pa njohjen e Kosovës. Prandaj, sa më parë ta bëjë Serbia këtë, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, u shpreh Thaçi.

Thaçi tha se ndërtimi i shtetit të Kosovës nuk është një garë dhe nuk është i orientuar kundër Serbisë.

“Serbia gabon kur pretendon se po merret me Kosovës dhe që po humb kohë për ta bllokuar Kosovën. Këshilla ime është që përqendrohen në punët e tyre dhe të mos merren me Kosovën, sepse kjo është vetëm humbje energjisë për ta, ngase pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm. Jam i vetëdijshëm për sfidat që kemi në drejtim të konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por njëherësh jam i bindur se Kosova do të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara, UNESCO-s, Interpol-it dhe të gjithë mekanizmave ndërkombëtare”, ka thënë presidenti i Kosovës.

Në pohimin e moderatorit se askush nuk i kërkon Serbisë të njohë Kosovës, Thaçi tha se është e rëndësishme që kjo çështje tashmë ka filluar të diskutohet dhe se njohja e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë.

Ai tha se Serbisë nuk do t’i lejohet që t’i bashkohet Kosovës, sepse BE-ja nuk është e interesuar për krijimin e një Qiproje të dytë në Evropë.

Gjithashtu, thotë Thaçi, së shpejti do të vijë edhe tema e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që, sipas tij, do të jetë në fakt një formë e njohjes së pavarësisë.

Thaçi theksoi se “pyetja që shtrohet është se si mendon Serbia të hyjë në BE, me cilin territor? Me Kosovën si pjesë e territorit të saj. Jo, kurrë. Me cilën popullsi? Me popullin e Kosovës si pjesë e Serbisë? Kurrë”, ka shtuar ai.

I pari i vendit theksoi se Kosova ka mirëpritur strategjinë e paraqitur nga Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, mbi zgjerimin e BE-se në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovës, edhe pse, siç tha ai, priste qartësi më të madhe.

“Por, ka kohë që kjo strategji të ndryshohet dhe korrigjohet. Duhet të përmbushim obligimet tona. Kosova do të ketë liberalizimin e vizave dhe një rrugë të sigurt evropiane”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Thaçi tha se, përkundër faktit që ende nuk është dënuar askush për rreth 400 masakra të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë nga vetë shteti serb, Kosova ka treguar vullnet të mirë për krijimin e Gjykatës Speciale, edhe pse ai e konsideron atë si një padrejtësi historike.

Thaçi nënvizoi se bëhet fjalë për padrejtësi në pretendime për drejtësi. Ai tha se ky është çmimi i lirisë që Kosova po e pagun për ta ruajtur partneritetin me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. 

“Për shkak të bashkëpunimit më SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, Kosova ka themeluar këtë gjykatë. Por ne gjithmonë e kemi vlerësuar këtë gjykatë si një padrejtësi historike, sepse historia nuk mund të rishkruhet, dhe njëherësh Kosova ka qenë viktimë e gjenocidt të kryer nga Serbia dhe i kemi rezistuar një diktatori, Sllobodan Millosheviqit”, ka thënë Thaçi.

Tutje, Thaçi theksoi se Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me drejtësinë ndërkombëtare dhe shtoi se gjykata do të funksionojë me legjislacion të Kosovës dhe me autoritete ndërkombëtare.

Thaçi tha se Kosova nuk ka asgjë për të fshehur dhe se është në interes të përgjithshëm që e vërteta të ndriçohet.

I pyetur në Kosova do t’i heq vizat për Bosnjë e Hercegovinën, presidenti Thaçi tha se Kosova duhet të ketë marrëdhënie të mira me Bosnjë e Hercegovinën dhe se kjo është e interesit të dyanshëm.

“Ata duhet të çlirohen nga ndikimi i “Republika Srpska”-s. Por, populli i Kosovës ka dhënë një kontribut të madh për çlirimin e Bosnjë e Hercegovinës. I ftoj autoritetet e këtij vendi që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është edhe në interesin e tyre”, ka thënë Thaçi.

(Kosova Sot)