Zaev: Ligji për amnisti, nuk është pjesë e bisedimeve

  • 25 February 2018 - 17:03
Zaev: Ligji për amnisti, nuk është pjesë e bisedimeve

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev nuk jep detaje rreth rezultateve të grupeve të punës mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për ligjet reformuese.

Zaev mbetet në qëndrimin se mbështetja e opozitës është e nevojshme madje edhe pas miratimit të ligjeve apo ndryshimeve ligjore.

“Bisedojmë edhe për zgjidhje ligjore, miratimi i të cilëve nuk kërkon 2/3 e votave. Do të doja të kishim mbështetjen e opozitës për këto ligje. Derisa ata janë të gatshëm të veprojmë, ne do t’u zgjasim dorën. Që në fillim bëmë thirrje për mbështetje për çdo ligj i cili gjendet në Kuvend. Të njëjtën po e bëjmë edhe tani kur ligjet janë në Kuvend. Është shumë me rëndësi që përfshirja e tyre në të ardhmen të ishte edhe garanci për zbatimin e këtyre ligjeve, gjithnjë nën kritikat e opozitës”, deklaroi Zoran Zaev.

Zaev mohon se VMRO-DPMNE-ja, si parakusht për t’i mbështetur ligjet reformuese, ka kërkuar amnistimin e të akuzuarve për 27 prillin dhe jo vetëm.

Amnistia nuk është askund pikë e bisedimeve dhe në asnjë grup pune – tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Edhe pas dhjetëra takimesh, grupet e punës akoma nuk kanë dalë me agjendë zyrtare. Siç mësohet prioritet do t’i kushtohet Ligjit për dëshmitarët e mbrojtur. Në pako përfshihen edhe Ligji për ndjekje të komunikimeve, Ligji për ATO-në, ndryshimet në Ligjin për KSHZ-në dhe Kodin zgjedhorë si dhe ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Kryeprokurorit Publik. Në këtë drejtim opozita kërkon që Prokurori i shtetit të zgjidhet me 2/3 e votave dhe me badinter.

(Kosova Sot)