Edhe ish-kryeparlamentari Berisha e refuzon dekoratën nga Thaçi

  • 25 February 2018 - 18:51
Edhe ish-kryeparlamentari Berisha e refuzon dekoratën nga Thaçi

Teksa presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon t’i shpërndajë dekoratat për personalitetet e ndryshme, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, po shtohet numri i atyre që po refuzojnë dekoratën nga ai.

Të dielën, një gjë të tillë e ka bërë edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha.

“Me 23 Shkurt 2018, përmes Zyrës së Presidencës së Republikës së Kosovës, jam njoftuar se në mesin e personaliteteve që do të marrin Dekoratën e dhjetëvjetorit të Pavarësisë nga Presidenti Thaçi, gjendem edhe unë. Së këndejmi, njoftoj Presidencën, Presidentin aktual dhe opinion e gjerë se unë nuk do ta pranoj Dekoratën në fjalë”, ka thënë Kolë Berisha, nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook.

“Janë të shumta dhe të ndryshme arsyet që më shtyjnë të marr një vendim të tillë. Mirënjohjen më të vlefshme për mua e kam marr nga populli i Kosovës, me respektin që ka treguar ndaj meje dhe dashurinë që tregon për Kosovën. Kësaj here do mjaftohem me kaq”, ka sqaruar Berisha.

(Kosova Sot)