Roboti i frikshëm që na e lexon mendjen

  • 25 February 2018 - 18:56
Roboti i frikshëm që na e lexon mendjen

APARATI NA E SKANON TRURIN

Ky aparat i inteligjencës artificiale (IA) studion sinjalet në tru, për ta krijuar fytyrën të cilën personat janë duke e shikuar 

Psikologët kanë krijuar një aparat të frikshëm, i cili mund të na e lexojë mendjen me një saktësi të pabesueshme. Ky aparat i inteligjencës artificiale (IA) studion sinjalet në tru, për ta krijuar fytyrën të cilën personat janë duke e shikuar. Kjo teknikë mund ta ofrojë një mënyrë të komunikimit për personat që nuk janë në gjendje të flasin, si dhe për zhvillimin e protezave, që kontrollohen me anë të mendimeve. Ky zbulim po ashtu mund të gjejë përdorim në skenarë të ndryshëm, bizarë, sikur që është ai që paraqitet në serinë 'Black Mirror', ku të gjithë janë në gjendje që të incizojnë dhe, më pas shikojnë, kujtimet e tyre. Personat janë lidhur me pajisje të EEG-së në Universitetin "Scarborough" në Toronto. Ky aparat regjistronte aktivitetin e trurit të këtyre njerëzve, derisa atyre iu tregoheshin pamjet e disa fytyrave. Kjo informatë ishte përdorur më pas për ta rikrijuar pamjen në mënyrë digjitale, duke përdorë një softuer të dizajnuar apostafat. 

Image

IA-ja mund ta riprodhojë atë që njeriu sheh

Zbulimi mbështetet te rrjetet e neuroneve, te sistemet kompjuterike, të cilët simulojnë mënyrën sesi punon truri, me qëllim të mësimit. Këto rrjete mund të trajnohen që të njohin tiparet në një informatë, duke përfshirë të folurën, të dhënat me shkrim, apo imazhet e ndryshme, ku ato janë bazë për një numër të madh të zhvillimeve në fushën e inteligjencës artificiale (IA), që janë bërë viteve të fundit. Inteligjenca artificiale e këtij grupi në fillim u mësua sesi t'i dallonte karakteristikat në piktura, apo fytyra, duke studiuar një databazë tepër të madhe të pamjeve. Pasi që arriti të njihte tiparet që përbëjnë fytyrën njerëzore, IA u stërvit që t'i shoqërojë këto tipare me karakteristikat e veçanta të EEG-së së trurit. Duke krahasuar aktivitetin e trurit, të vërejtur në testet më të mira, me këtë informacion, IA-ja mund ta riprodhojë atë që njeriu sheh. Rezultati i fituar ishte tepër i saktë, krahasuar me atë që shikonte personi. Duke folur në lidhje me rezultatet, Adrian Nestor, bashkautor i studimit, thotë: "Ajo që me të vërtetë është ngazëlluese është se ne nuk jemi duke parë ristrukturimin e trekëndëshave dhe katrorëve, por pamjeve reale të fytyrave të njerëzve. Fakti që mund ta paraqesim atë që ndokush tjetër vetëm e merr mend, ofron shumë mundësi të reja. Pionier i kësaj metode ishte profesori Nestor, i cili me sukses rikonstruktoi imazhet e fytyrës nga imazheria funksionale magnetike e të së kaluarës. 

Image

EEG-ja regjistron aktivitetin në nivel të milisekondave 

EEG-ja po ashtu ka një rezolucion më të madh, me kalimin e kohës, gjë që dmth se ajo mund të matë deri në detaje sesi një perceptim zhvillohet brenda një milisekonde. Kërkuesit shkencorë thonë se trurit tonë i nevojiten rreth 170 milisekondë (0.17 sekondë) për ta formuar një përfaqësim të mirë të një fytyre që e shohim. Teknika e EEG-së ishte zhvilluar nga Dan Nemrodov, në laboratorin e profesorit Nestor. Ai thotë se, kur shohim diçka, truri ynë krijon një perceptim mendor, i cili në esencë është një perceptim mendor i asaj gjëje. Ai thotë se kanë qenë në gjendje që ta regjistronin këtë perceptim, duke përdorë EEGnë për ta fituar një ilustrim direkt të asaj që është duke ndodhur në tru, përgjatë atij procesi. fMRI (rezonanca magnetike funksionale) kap aktivitetin në aspektin e sekondave, por EEG regjistron aktivitetin në nivel të milisekondave. Gjetjet e plota të këtij studimi janë botuar në revistën "eNeuro". Përparimet e bëra më parë në këtë fushë ishin mbështetur te skanimet fMRI, të cilat monitorojnë më shumë ndryshimet në qarkullimin e gjakut në tru, sesa aktivitetin elektrik. Në janar të vitit 2018, shkencë- tarët japonezë zbuluan një pajisje të ngjashme, e cila përdorte fMRI-në për të krijuar objektet që personi ishte duke i shikuar, apo edhe duke menduar për to. 

(Kosova Sot)