Inatet e liderëve vënë në pikëpyetje Demarkacionin

  • 25 February 2018 - 07:35
Inatet e liderëve vënë në pikëpyetje Demarkacionin

DËSHTON EDHE SÉANCE E KËSAJ JAVE

Të mërkurën, përpjekja e radhës në Kuvend

"Raporti i Bulliqit nuk ka kurrfarë rëndësie për Marrëveshjen e kaluar dhe Aneksmarrëveshjen e bërë nga dy presidentët javë më parë", theksoi analisti Blerim Burjani për "Kosova Sot"

P artitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë dakorduar që të shtyjnë sërish seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Seanca është shtyrë për të mërkurën në ora 10:00. Duke e caktuar seancën për të mërkurën, më 28 shkurt, Kosova po hyn në zonën "e rrezikshme" kohore, ngase deri më 1 mars, Komisioni Evropian pret që Kosova ta përmbushë edhe këtë kriter, para se eventualisht ta përfshijë në agjendën për liberalizimin e vizave. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje kërkon dy të tretat apo 80 vota të deputetëve, të cilat aktualisht nuk janë siguruar. Me një vonesë prej 24 orëve, të premten, Kuvendi i Kosovës ka filluar me seancën e jashtëzakonshme, të thirrur qysh ditën e enjte, por të cilën nuk e ka përmbyllur. Në fillim të seancës, tashmë të ndërprerë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi deklarimin e grupeve parlamentare, duke ua bërë me dije deputetëve, se votimi mund të ndodhë vetëm në një rast dhe nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes, Kosova do ta humbë liberalizimin e vizave. Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes "Vetëvendosje", Glauk Konjufca tha se po të ishte një marrëveshje e mirë, Kuvendi do ta ratifikonte qysh në vitin 2015. Sipas tij, marrëveshja është e dëmshme, andaj ratifikimin e saj duhet ta bëjnë ato subjekte politike që e kanë nënshkruar atë. Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se marrëveshja duhet të ratifikohet dhe se votimi i saj nuk duhet të ndodhë, para se të arrihet një konsensus i brendshëm politik. LDK-ja është shprehur për ratifikimin e marrëveshjes, por ky subjekt politik nuk e mbështetë ratifikimin e Demarkacionit, nëse pjesë e tij është edhe raporti i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, ku konstatohet se marrëveshja e njëjtë është e dëmshme për Kosovën. 

"Marre ju qoftë", thotë kryeministri

Një reagim të ashpër ndaj qëndrimit të LDK-së kishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. "Qeveria e vendit tuaj ka formuar një komision për t'i parë ato dilema. Ai komision e ka punuar një raport. Ai raport nuk është i Ramush Haradinajt, as i babait tim, Hilmut, është i Kosovës", theksoi Haradinaj. "Çfarë keni që po ju pengojnë të gjeturat e atij komisioni? Ku po ju dhëmb, o vëllezër e motra? A aq kundër territorit tuaj jeni, a? A aq problemi keni me tokën tuaj të këtij vendi që ua ka lënë gjysh e stërgjysh? Marre ju qoftë! Marre ju qoftë!", iu drejtua deputetëve të LDK-së me një ton mjaft të ashpër Haradinaj. Duke iu përgjigjur akuzave të kryeministrit, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se Haradinaj sa ishte në opozitë e ka bllokuar për tre vjet Kosovën duke shfrytëzuar një kauzë të rrejshme. "Kush është patriot e kush është tradhtar dihet në këtë vend. Tre vjet e keni mbajtur këtë shoqëri të ndarë me kauza të rrejshme. Grupi ynë parlamentar nuk voton raporte me kauza të rrejshme. Jemi pajtuar që ai raport bashkë me raporte të tjera t'i bashkohen ligjit le ta shohin deputetët dhe të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre", theksoi Hoti. Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Haradinaj. "S'po ju vjen marre! Jeni kundër raportit që thotë se mund të gjendet e vërteta e territorit tuaj. Ky raport është kah ju pengon, sepse thotë se mund të kthehet guri atje. Ku po ju dhemb?", vazhdoi polemikat me LDK-në, Haradinaj. Ndërkohë, Lëvizja "Vetëvendosje", e cila përfaqësohet me 32 deputetë në Kuvend, përveçqë ishte pozicionuar kundër kësaj marrëveshjeje, ka refuzuar që të marrë pjesë edhe në takimet që shefat e grupeve parlamentare patën me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Ndërkaq, Grupi Parlamentar i PDK-së është shprehur optimist për kalimin e marrëveshjes duke thënë se nuk ekziston më asnjë arsye për vonesë, sidomos pas arritjes së marrëveshjes së dy presidentëve, atij të Kosovës dhe Malit të Zi. Sidoqoftë, atmosfera jo e mirë për të vazhduar me seancën dhe pasiguria për ta hedhur në votim marrëveshjen, e shtyri kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli që të shpallë pauzë. Por, as pauza nuk solli ndonjë risi. Mungesa e konsensusit dhe votave, ndikoi që me shumicë votash, Kuvendi të shtyjë seancën deri në arritjen e një konsensusi. Mospajtimet ndërlidhen me faktin se Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit. LDK-ja nuk e mbështetë ratifikimin bashkë me raportin e Komisionit shtetëror për kufirin, pasi atë e konsideron si jo final dhe në kundërshtim me marrëveshjen me Malin e Zi. Në anën tjetër, AAK ka deklaruar se do ta ratifikojë Demarkacionin vetëm nëse Projektligjit i bashkëngjitet edhe raporti i Komisionit shtetëror. 

Deputetët, të zhgënjyer

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ndierë të zhgënjyer me atë çfarë ndodhi për dy ditë me radhë në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Labinot Tahiri (AKR),tha për "Kosova Sot", se këta 6 muaj ajo që ka parë këtu në Kuvend i ngjan një cirku të deputetëve, ngase ata nuk kanë ndenja për popullin. Deputeti i opozitës, Salih Salihu(LVV), tha për "Kosova Sot", se ajo që ndodhi dje dhe sot në Kuvendin e Kosovës kjo është një papërgjegjësi totale shumë e madhe e të gjithë deputetëve. "Dhe, nga ajo që po duket unë po shoh se edhe vetë kryeministri Haradinaj është i interesuar që të ketë zgjedhje të reja nacionale. Ngase kemi të bëjmë me dy punë të mëdha që duhet kryer, pra edhe Demarkacionin edhe Asociacionin e komunave serbe që këta nuk janë në gjendje t'i marrin përgjegjësitë", potencoi ai. Deputeti i koalicionit, Zafir Berisha (Nisma), për "Kosova Sot", tha se me këto veprime po demaskohen veprimet e papërgjegjshme të kësaj klase politike para qytetarëve tanë. Ndërsa opozitari tjetër, Ali Lajçi (LVV),tha për "Kosova Sot", se ky projekt që nga fillimi ishte i gabueshëm dhe kur shkon puna keq edhe nuk mund të përfundojë mirë. "Përgjegjësinë e kanë dy- tri qeveritë e fundit që e kanë bërë një projekt të gabueshëm që nuk mund të kalojë. Kjo është një maskaradë, kurse për zgjedhje të reja nuk besoj se është dikush i përgatitur ", u shpreh ai. Deputeti Veton Berisha nga komuniteti egjiptian tha për " Kosova Sot ", se kjo është një papjekuri politike e spektrit politik të Kosovës, sepse kemi një situatë politike, ku me mosmiratimin e Demarkacionit po dëmtohet qytetari ynë me mosliberalizim vizash. Deputetja e koalicionit qeverisës, Flora Brovina (PDK),për" Kosova Sot",tha se kjo çfarë ndodhi është joseriozitet dhe papjekuri politike për të marrë vendime, sepse çështja është shumë e qartë. "Kjo mund të jetë ndonjë synim i partive politike që po shpresojnë se do të ketë zgjedhje nacionale të reja", theksoi ajo. Kurse deputetja Emilija Rexhepi nga komuniteti boshnjak, për gazetën " Kosova Sot ", tha se ajo që ngjau tash e dy ditë në këto mbledhje është një maskaradë e paparë. "Neve nuk kemi aspak nevojë për ndonjë konflikt apo përkeqësim të marrëdhënieve me shtetet fqinje, aq më tepër me Malin e Zi, që është ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës", deklaroi ajo.  

Lufta për pushtet mban peng vendin

Analisti Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot', se nuk u arrit marrëveshja mes LDK-së dhe AAK-së për kategorizim të raportit, sepse LDK-ja moti është proklamuar se është vetëm për variantin qeveritar të vitit 2015. "Zor është që edhe në javën e ardhshme, kur pritet të procedohet në Kuvend Demarkacioni, t'i ketë votat e nevojshme për variantin qeveritar bashkë me aneksin e nënshkruar mes Thaçit dhe Vujanoviqit, apo edhe të kemi konsensus midis partive politike që të votohet edhe për raportin ekspertëve", u shpreh ai ." LVV-ja deri më tash është kategorike në qëndrimin pro raportit të eksperteve. Gjithnjë e më shumë, edhe përkundër disa deklarimeve edhe të Veselit, se do të arrihet konsensus, mendoj se kjo punë vështirë do të arrihet, siç do të jetë vështirë të sigurohen votat për çfarëdo varianti që bëhet fjalë. Gjithnjë më afër po duken zgjedhjet e reja nacionale. Dikush po dëshiron ashiqare të mashtrojë opinionin se me ratifikimin e Demarkacionit do të kemi liberalizim të vizave, kur dihet se kushti kryesor për t'u përmbushur është lufta kundër krimit dhe korrupsionit ", vijoi më tutje Mulliqi. Eksperti i integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, tha për 'Kosova Sot", se si duket këtu ka një tendencë të hapur e të qartë nga partnerët e tashëm të koalicionit, PDK-ja dhe " Nisma " dhe ajo është e qëllimshme për ta nxjerrë të shkapërderdhur, të çorientuar dhe të shpërfillur kryeministrin Ramush Haradinaj, që sikurse edhe në këtë mbledhje dje dukej i çorientuar. "Ndërsa anekset që përmenden nga ana e z. Haradinaj janë tallje me këtë popull dhe nuk kam çfarë të them. Por, unë pres që edhe në mbledhjen e ardhshme do të dështojë miratimi i Demarkacionit", theksoi ai. Kurse, analisti Arsim Haziri tha për 'Kosova Sot", se çështja e demarkimit do të kalojë vetëm pasi t'i konkretizohen Listës Serbe kërkesat e saj që janë njëherësh edhe tejet të dëmshme. Ai shton se sa i përket mosdakordancës minore ndërmjet subjekteve LDK-së dhe AAK-së, për versionet e komisioneve, me një presion ndërkombëtar edhe kjo pengesë do të arrihet të tejkalohet. "Kjo lojë është shumë e rrezikshme, prandaj kjo qeverisje duhet të ketë kujdes se çfarë hapash ndërmerr për t'i bërë zgjidhje kësaj çështje, që njëherësh është edhe kriter për viza", potencoi Haziri . Kurse, juristi Blerim Burjani tha për " Kosova Sot " se asgjë nuk do të ndodhte sikur edhe të pranohej brenda pakos edhe raporti i dobët i Shpejtim Bulliqit. "Raporti i Bulliqit nuk ka kurrfarë rëndësie për Marrëveshjen e kaluar dhe Aneksmarrëveshjen e bërë nga dy presidentët javë më parë", theksoi ai.

(Kosova Sot)