Pa folur Beogradi, nuk kalon Demarkacioni

  • 01 March 2018 - 07:43
Pa folur Beogradi, nuk kalon Demarkacioni

NUK KA KUORUM, DËSHTON EDHE TENTATIVA E RADHËS E KUVENDIT 

Në ditën e vizitës së delegacionit të BE-së, sërish debakël parlamentar

"Është esenciale që Kuvendi të votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Ky është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Shqiptarët dhe serbët do të jenë përfituesit e parë", tha Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude 

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë sërish votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Deri te shtyrja erdhi sërish për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, pavarësisht faktit që një ditë më herët, krerët e koalicionit qeverisës kishin deklaruar se janë siguruar 80 votat e nevojshme. "Me pajtim të kryetarëve të grupeve parlamentare, seanca e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës shtyhet për një ditë tjetër", thuhet në njoftimin e Kuvendit. As kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka specifikuar se kur mund të pritet vazhdimi i seancës së jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin. "Nga praktika, besoj që e dini që seancat e tilla nuk kryhen për një ditë. Zakonisht marrin kohë, debat, përgatitje, negocime. Pra, sot një pjesë e punës ndodhi, ajo e Komisionit (parlamentar për Punë të Jashtme) dhe mendoj që është një punë më pak për ditën e radhës. Unë jam optimist që do të kryhet agjenda e paraparë për ratifikim për Demarkacion", ka thënë Haradinaj. Më herët, gjatë fillimit të seancës së jashtëzakonshme, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka konstatuar se në sallën ku po mbahet seanca ishin të pranishëm 67 deputetët nga 120 sa ka Kuvendi. Deputetët e Listës Serbe nuk kanë qenë fare të pranishëm në këtë seancë. Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hoti ka prezantuar marrëveshjen e arritur me partitë e koalicionit në pushtet, përfshirë minoritetet joserbe për tekstin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Kryeparlamentari Veseli kërkoi pauzë të seancës, me qëllim që shefat e grupeve parlamentare t'i harmonizojnë qëndrimet për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, i cili më pas do të nxirret në votim para deputetëve. Më pas, Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, me shumicë votash, ka votuar në favor të plotësimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Deputetët të brengosur për faktorizimin e Listës

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, por edhe opozita, ndërkaq mbesin të zhgënjyer me dështimin e radhës. Deputeti Labinot Tahiri (AKR) tha për "Kosova Sot", se mosmiratimi i Demarkacionit në tri mbledhje me radhë është një situatë për keqardhje, sepse e tregon qartë përçarjen që është në mesin e spektrit politik të Kosovës. "Ndaj, kjo përçarje në mesin e spektrit politik të shqiptarëve po e rrit së tepërmi rolin e Listës Serpska në të gjitha institucionet e Kosovës, si në Kuvend ashtu edhe në Qeveri, dhe kjo është e patolerueshme", u shpreh ai.

Ndërkaq, deputeti Salih Salihu (LVV) për "Kosova Sot", thotë se Lista Serbe ka fituar një rol të madh me fajin e koalicionit qeverisës. "Kjo, ngase tashmë me votat e Listës Serbe po vendoset edhe për shumë çështje me rëndësi për të ardhmen e Kosovës, andaj edhe në këtë mbledhje u pa se pa votat e Listës Serbe nuk mund të miratohet Demarkacionin i kufirit me Malin e Zi ", theksoi ai.

Deputeti tjetër nga tabori opozitarë, Arban Abrashi (LDK),për "Kosova Sot", thotë se fajtore përse Lista Serbe është në një situatë të tillë aq privilegjuese është Lëvizja "Vetëvendosje", që nuk po e përkrahin Demarkacionin me Malin e Zi. "Ndaj, për këtë arsye kemi mbetur të izoluar dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi duhet votuar dhe këtë duhet bërë për qytetarët tanë që janë të vetmit në Evropë që kanë ngelur të izoluar ", potencoi ai.

Kurse, deputeti Veton Berisha (Partia Liberale Egjiptiane) theksoi për "Kosova Sot", se është mosuniteti i spektrit politik shqiptarë fajtori që po dërgon ujë në mullirin e Listës Serpska, duke e rritur me apo pa vetëdije ndikimin e saj në Qeveri. "Në Kuvendin e Kosovës, pasi u pa qartazi se pa votat e Listës Serpska nuk po mund të vendoset për çështje madhore", u shpreh Berisha. 

Delegacioni evropian rithekson kushtet 

Ndërkohë, dje Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha në Prishtinë se Kosova duhet që t'i përmbushë sa më parë obligimet që ka, në mënyrë që të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave. Ai u bëri thirrje liderëve politikë që ta votojnë Marrëveshjen për demarkacioni me Malin e Zi. "Është esenciale që Kuvendi të votojë Demarkacionin me Malin e Zi. Ky është një hap kyç, i pashmangshëm dhe i rëndësishëm për liberalizimin e vizave. Shqiptarët dhe serbët do të jenë përfituesit e parë", tha Juncker. Po ashtu, ai tha se përpjekjet për luftimin e korrupsioni dhe krimit të organizuar duhet të thellohen edhe më shumë. Këto komente, Juncker i bëri në një konferencë të përbashkët për medie me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Të dy iu drejtuan medieve pas një takimi që delegacioni i lartë i BE-së, pjesë e të cilit ishin Përfaqësuesja e Lartë, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn. Ata zhvilluan takim me liderët politikë në Kosovë, përkatësisht me presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Juncker tha se nuk i vjen mirë që qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian. "Nuk më kënaq fakti që kosovarët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë lirshëm", tha ai. Presidenti i Komisionit Evropian theksoi gjithashtu se dëshiron që raportet mes Prishtinës dhe Beogradit të normalizohen përmes dialogut dhe marrëveshjes. Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se prezenca e liderëve evropianë në Kosovë është dëshmi e qartë e përkushtimit të BE-së për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Presidenti Thaçi tha se Kosova e ka të qartë rrugën e saj drejt BE-së. Lidhur me dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Thaçi tha se është një proces i vështirë, por rrugë e vetme për t'ju dhënë fund konflikteve. Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian pasdite kanë mbajtur edhe një takim me publikun, ku kanë marrë pjesë studentët, gazetarët, politikanët si dhe përfaqësuese nga organizatat joqeveritare. Shefja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, tha në këtë takim se vendet e rajonit do të lëvizin bashkë drejt Bashkimit Evropian ose askush nuk do të shkojë në atë drejtim. 

Alibia për pushtet

Analisti politik Skënder Mulliqi, për gazetën "Kosova Sot", tha se demarkimi duket të jetë afër, nëse në seancën e radhës voton pro Lista Serpska. "Ka mundësi që Lista atë ditë të vijë në sallë po jo edhe pa ndonjë premtim të radhës, e kërkesë e tyre sigurisht së do të jetë Asociacioni i Komunave Serbe në veri", u shpreh ai. Analisti Mulliqi tha se kjo klasë politike është dorëzuar tërësisht. " Mu për atë, edhe faktori ndërkombëtar ka gjetur terren të përshtatshëm për veprim. Lëshimet e palës shqiptare gjatë bisedimeve më Serbinë e kanë vargun e gjatë që nga Fusnota famoze, dhe nuk është për t'u çuditur në lëshimet e radhës që duket se do të jenë si Demarkacioni me Mal te Zi e " Zajednica" në Veri të vendit, e kushedi ku do të ndalen këto lëshime, të cilat do ta dëmtojnë shumë rënd Kosovën, kur dihet se na presin edhe Delitimimi i vijës kufitare më Serbinë", ka potencuar Mulliqi. 

"Lëvizja 'Vetëvendosje', karshi kësaj çështjeje, është dashur të tregohet më e butë, në mënyrë që të mos identifikohet si pengesë e shumë çështjeve", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

Ndërsa Arsim Haziri, analist politik për gazetën " Kosova Sot ", tha se çështja e ratifikimit të demarkimit me Malin e Zi ngushtësisht do të lidhet me formimin e Asociacionit serb. "LVV-ja përmes sjelljes së tyre kategorike vetëm sa është duke e faktorizuar edhe më tepër Listën Serbe brenda politikës sonë", u shpreh ai.

"Demarkacioni është i shpikur për të rrëzuar LDK-në nga pushteti, ndërsa Asociacioni është problem i madh i shtetit të Kosovës dhe ndoshta plotësisht i pakalueshëm", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot" 

 Ndërsa juristi Blerim Burjani, për " Kosova Sot", tha se Demarkacioni është problem artificial që e kishte larguar LDKnë nga qeverisja. "Këtij koalicioni, me kalimin e Demarkacionit, i zgjatet jeta dhe kuptohet se ky koalicion do të ecë përpara me Asociacionin dhe problemet e tjera", ka thënë ai.

"Ky Asociacion duhet t'i përgjigjet ligjeve në fuqi dhe Kushtetutës së Kosovës dhe institucioneve shtetërore", tha Ridvan Emini për "Kosova Sot"

Kurse analisti politik Ridvan Emini, për " Kosova Sot", tha se politika mund ta zvarrisë, por duhet t'i kryejë detyrimet ndërkombëtare. Sipas tij, do të ketë rritje të rolit të Listës Serbe, ngase kërkesat e komunitetit serb në Kosovë do të jenë maksimale.

(Kosova Sot)