Refuzimi i medaljeve të 'Pronto' Presidentit, goditje e rëndë për Thaçin

  • 02 March 2018 - 08:15
Refuzimi i medaljeve të 'Pronto' Presidentit, goditje e rëndë për Thaçin

AKADEMIKU REXHEP QOSJA U DISTANCUA NGA REGJIMI KRIMINAL

Aliu: Në mesin e të dekoruarve pati edhe agjentë të UDB-së, ttë cilët kontribuuan me të madhe në vrasjen e shumë qytetarëve të Kosovës

" Vërtet, me të dekoruar njerëzit si Hashim Thaçi, njeriu e ndien veten tejet të ofenduar, sepse po të dekoron klani 'PRONTO' , mister 'fusnota' , 'Zajednica',Gjykata Speciale, Demarkacioni ....! Fatbardhësisht, në Kosovë po shihen qartë se kush janë servilët dhe të ndershmit, të cilët po i konsiderojmë si elita e shoqërisë sonë. Njeriu i ndershëm nuk shitet dhe as nuk frikësohet nga mafia politike e Kosovës, e cila vetëm sa po ndryshon metodat e veprimit, por jo edhe qëllimin", tha analisti Ymret Reshiti për "Kosova Sot"

Në karvanin e kritikuesve të refuzuesve për Dekoratat që po ndanë presidenti Hashim Thaçi, në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë së Kosovës, së fundi është rreshtuar edhe shkrimtari dhe akademiku Rexhep Qosja. Ai e ka kritikuar rëndë presidentin Hashim Thaçi, duke vlerësuar se ai bëri dekorime ashtu siç bëjnë regjimet e vendeve pseudo-demokratike, të cilat duan t'i heshtin apo për t'i kthyer njerëzit e caktuar në anën e tyre. Këtë kritikë të njërës nga penat më të shquara të letrave të Kosovës, e cilësojnë si shumë me vend dhe madje tepër të qëlluar edhe opinionistët dhe analistët e politikës. Madje, sipas analistëve, me këto dekorata që po i shpërndan presidenti sikur Babadimri dhuratat për fëmijë, Hashim Thaçi vetëm sa po përpiqet të fitojë përkrahjen tërësisht të humbur në opinionin publik, politik e akademik, përmes dhënies së dekoratave. Sipas analistëve, këto dekorata, shumica e tyre, po jepen për t'i bërë individë të caktuar që të heshtin, për të blerë përkrahës, lavdërues e servilë. Për aq më keq, sipas analistëve, dekorata po u jepen edhe agjentëve të UDB-së, të cilët kontribuuan në vrasjen e qytetarëve në Kosove. Kështu, sipas tyre, Hashim Thaçi po e blen edhe censurën, por edhe lavdërimet dhe glorifikimet e regjimit nga udhëheqësit e medieve që ka zgjedhur t'i dekorojë. Këto veprime, sipas analistëve politikë, janë shembull i përkushtimit servilizues e glorifikues, pikërisht siç i quan edhe i madhi Rexhep Qosja, mediumet siç janë Klan Kosova, dhe jo vetëm, që po na kthejnë në kohë të errëta të regjimeve, të cilat shuajnë sundimin e ligjit, drejtësinë, të vërtetën, mendimin dhe fjalën e lirë. 

Medalje korruptive

Një veprim të mençur dhe tepër me peshë e sheh pozicionimin e Qosjes edhe analisti Reshat Badallaj. "Shkrimtari i madh, akademiku dhe njeriu më me zë i letrave shqipe,z. Rexhep Qosja, me shumë vend e ka kritikuar Hashimin e Brojës, që ka dhënë medalje shkel e shko, ka ndarë medalje, po ashtu, për njerëzit e pamerituar,spiunë, e udbashë të regjimeve totalitare të ishsistemit të qenit plak Titos. Hashimi i Brojës akoma pa fije turpi vazhdon të ndajë medalje si të ishte nëpër kanagjeqe, aq primitiv duket se nuk e kupton fjalën shtet. Ne fakt, ky njeri nuk e kupton fjalën shtet. E ka bërë zyrën e tij që kush futet dhe afron njerëzit që deri dje i kishte burgosur dhe dëshironte të vriteshin si spiunë dhe iu dha medalje", u shpreh ai. "Ç´është e vërteta, shumë persona i kanë kthyer këto medalje dhe aq më keq, kur pikërisht i kthejnë edhe anë- tarët dhe eprorët, shokët më të ngushtë të UÇK-së", tha Badallaj për "Kosova Sot". "I madhi Qosja përmendi edhe atë që unë e kam thënë me kohë për Klan Kosovën që është KLAN SERBIA. Hashimi i Brojës po e luan vallen e Gjergj Fishtës, kur thoshte:"...baba Kros, vetë shkruan e vetë vulos...",por, kjo vërtet për të është e vërtetë se duhet shtuar edhe atë se "...i ngjet miletit bishta...!",, tha ai për "Kosova Sot". Sipas Badallajt, kush e kupton këtë që e bën Hashimi, ky është në siklet të madh dhe e ka humbur memorien dhe ka ardhur në atë gjendje që nuk di kah shkon dhe nuk di kah vjen."E ka trembur Gjykata Speciale dhe është në gjendje të bëjë çmos dhe të japë çdo gjë vetëm e vetëm të shpëtojë lëkurën e tij. Keni vënë re se çfarë yryshi ka marrë për shitjen e tokës Malit të Zi", vijoi më tutje ai. Gazetari ka tentuar të marrë prononcimin e drejtorit të Klan Kosova, por nuk është përgjigjur.

Autoriteti i rrënuar i presidentit

Analisti Bislim Aliu tha se presidentit Thaçi i ka humbur autoriteti tek qytetarët e Kosovës dhe për këtë është fajtor vetë dhe askush tjetër, prandaj ai tani po mundohet që në çdo mënyrë ta rritë këtë autoritet. "Dhe, mu për këtë ndau dekorata të shumta, pra edhe njerëzve që fare nuk e merituan. Përmes këtyre dekoratave po mundohet që t'i përvetësojë, sa më shumë njerëz t'i përvetësojë dhe që ata ta lavdërojnë sa më tepër punën e tij. Në mesin e tyre pati edhe agjentë të UDB-së, të cilët kontribuuan me të madhe në vrasjen e shumë qytetarëve të Kosovës. Me këto dekorata ai po mundohet që t'i blejë edhe mediet , siç bëri edhe me Klan Kosova, që me paraqitjet e veta po na kthejnë në kohë të errtë të regjimeve, të cilët e ngulfatën sundimin e ligjit, drejtësinë, të vërtetën dhe fjalën e lirë", theksoi ai. "Presidenti Thaçi i dekoroi edhe disa që fare nuk e merituan dhe, kjo mënyrë e të dekoruarit, tregon metodën e politikës shtetërore, që përherë po na vjen duke e komprometuar këtë politikë shkatërruese në sytë e ndërkombëtarëve dhe të popullit të Kosovës. Ai po mundohet ta luajë rolin e "babës" , pra vetë shkruan e vetë vulosë, e cila po ndikon në Marrëveshjen për caktimin e kufirit me Malin e Zi, të Marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe, duke tentuar ta ndërrojë Kushtetutën për Gjykatën e Veçantë", ka thënë për "Kosova Sot", Aliu. Analisti politik Ali Hertica thotë se presidenti Thaçi me këto dekorata që po i shpërndan, sikur të ishin ëmbëlsira për mashtrimin e fëmijëve të llastuar e të lazdruar, e ka kopjuar me besnikëri teorinë politike makiaveliste. " Njëri prej filozofëve italian Makiaveli thoshte se dekoratat janë mjete me të cilat pushteti me çmim të ulët fiton shumë ithtarë dhe servilë, por jo edhe të kësaj shtresë së cilës i takon Akademiku ynë deri më tani. Në Kosovë me rastin e 10- vjetorit të pavarësisë së Kosovës u dekoruan shumë fytyra jomeritore, e ku pikërisht edhe medieve dhe gazetarëve dhe Tv-ve iu ndanë", tha ai. "Qosja është deklaruar se refuzon dekoratën presidenciale, duke numëruar shumë dështime të drejtuesve të shtetit lidhur me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, si dhe shfuqizimin e Gjykatës Speciale, dhe një sërë dështimesh në kremtimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Një përkushtim në servilizmin e medieve, posaçërisht të disa medieve, është TV Klani, që e blen edhe me mjete edhe tenderë, e sponsorizime, për 10-vjetorin e pavarësisë , edhe me kërcënime dhe shantazhe e mjete të tjera të mendjeve despotike mbretërore. Deklarimi i Qoses se presidenti po na kthehet në regjimin e errët nga totalitarizmi politik është i qëlluar, sepse ai këtë e di më së miri, sepse ka shkruar edhe për kohën e Titos", tha Hertica për "Kosova Sot". 

MEHMETI:HASHIM THAÇI, NJË ESAT PASHA I DYTË

Analisti Faton Mehmeti konsideron se Thaçi po mundohet me çdo kusht që të shndërrohet në lider historik të vendit, në baba të kombit, duke keqpërdorur pozitën e tij prej presidenti. "Thaçi po bën çdo gjë që mundet për të fituar përkrahje edhe nga kundërshtaret, për të ulur zërat kritikë ndaj tij dhe rrjedhimisht për të përforcuar figurën e tij. Tanimë dihet figura e Thaçit, aspak pozitive dhe përçarëse dhe si e tillë ka prodhuar vetëm kriza. Besoj se fillimi i ndasive në mes Thaçit dhe Qosjes ka filluar nga koha kur Thaçi më nuk e përfillte Qosjen, nuk i ndau ndonjë mirënjohje apo nuk e pyeste për asgjë. Nga kjo Qosja u indinjua, duke e konsideruar veten si emblemë të kombit dhe mospërfillja e trishtoi, duke rezultuar me nisjen e akuzave kundër Thaçit. Duke e ditur këtë gjë, Thaçi u mundua të blinte kritikat e Qosjes me një dekoratë, të cilën nuk e pranoj Qosja. Sigurisht se kjo vetëm sa shkaktoi ndasitë mes tyre, të cilat kanë karakter garimi se kush do të mbetet në histori si baba i kombit", tha Mehmeti për "Kosova Sot". Sidoqoftë, ai thotë se Thaçi gjithmonë ka dëshiruar të dalë i pari për çdo gjë, edhe pse është ky njeriu që i ka bërë dëme më të mëdha vendit. 'Nënshkroi marrëveshjen për Demarkacion, duke i falur Malit të Zi 8.000 hektarë e të cilat më nuk kthehen", vlerësoi Mehmeti për "Kosova Sot". " Ky është njeriu që në vend të lavdisë do të marrë mbi vete turpin dhe tradhtinë që i bëri atdheut. Thaçi tani po synon të ndajë edhe Kosovën, dhe nëse do të jetë në pushtet edhe do ta bëjë, ky njeri s'po di të ndalet, një Esat Pasha i dytë. Ky është turpi i vendit, që po i bën vetëm dëme të mëdha. Askujt nuk i bën nder dekorimi nga njeriu që shet vendin, të vret natën e të qan ditën... Thaçi, turpi i kombit", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot". 

Dekorata për njerëzit e UDB-së

Sipas analisti Ragip Guraziu, presidentit Thaçi as dekoratat nuk po i hynë në punë, sepse po shihet ashiqare që po i mungon përkrahja, andaj po i refuzohen dekoratat nga figurat më eminente kontribuuese të ngritjes dhe emancipimit, arsimor, kulturor e nacional- patriotik të shqiptarëve të Kosovës. "Përpjekja e presidenti Hashim Thaçi të fitojë përkrahjen tërësisht të humbur përmes dhënies se dekoratave, apo jepen këto dekorata për t'i bërë individë të caktuar që të heshtin, për të blerë përkrahës, lavdërues e servilë. Po këto u jepen agjentëve të UDB-së, të cilët kontribuuan në vrasjen e qytetarëve në Kosovë. Po të blejë Hashim Thaçi censurën, por edhe lavdërimet dhe glorifikimet e regjimit nga udhëheqësit e medieve që ka zgjedhur t'i dekorojë, janë shembull i përkushtimit të këtillë servilizues e glorifikues, siç i quan Rexhep Qosja mediumet, siç janë Klan Kosova, dhe jo vetëm, që po na kthejnë në kohë të errëta të regjimeve, të cilat shuajnë sundimin e ligjit, drejtësinë, të vërtetën, mendimin dhe fjalën e lirë", u shpreh ai, duke kritikuar dhënien e "mosdhënien" e dekoratave. "Për këtë flet edhe vetë "sqarimi" katër ditë pas shpalljes së Listës me emrat e kandidatëve për dekorim, të cilëve s'u jepet dekorata, e që u fshi shpejt prej faqes së internetit të Presidencës së Kosovës, se gënjeshtrat e mashtrimet janë bërë metodë e politikës sonë shtetërore, që vjen gjithnjë e më dukshëm duke u komprometuar edhe në sytë e ndërkombëtarëve, sikurse dhe në sytë e popullit. Kuptohet, që Hashimi po e luan edhe rolin e "baba Krosit, vetë shkruan e vetë vulos" , edhe të Marrëveshjes për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të Marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe dhe duke tentuar për ta ndërruar edhe Kushtetutën tek funksionimi i Gjykatës së Veçantë", potencoi Guraziu për "Kosova Sot". 

RESHITI: ME TË DEKORUAR NJERËZIT SI HASHIM THAÇI, NJERIU E NDIEN VETEN TEJET TË OFENDUAR

Analisti politik Ymret Reshiti thotë se në fakt Hashim Thaçi është njeriu më dinak në politikën kosovare, para luftës dhe pas luftës në Kosovë dhe ai përdori në maksimum metodat më perfide për t'u ngritur në pushtet, dhe për ta mbajtur pushtetin në Kosovën e pasluftës." Kjo ndodhi derisa tek një pjesë e popullit u mposht frika për të menduar dhe për të folur ndryshe nga Hashim Thaçi me kompani. Për të protestuar kundër veprimeve të tij që dëmtuan interesat e qytetarëve dhe shtetit. Tani " gjarpri "ka gjetur një metodë tjetër të veprimit për të ngulfatur zërin kritik kundër tij, dhe kundër veprimeve të tij të dëmshme ka zgjedhur "joshjen me dekorata". Hashim Thaçi përmes " të mirës" dëshiron që të blejë servilizmin e njerëzve të ndershëm dhe atyre që janë kritikë ndaj planeve të tij djallëzore", u shpreh ai. "Duke shpërndarë dekorata dhe mirënjohje pa asnjë kriter ( siç bëri me hapjen e universiteteve publike) , Hashim Thaçi kërkon që të zgjasë "mbretërimin e tij autokratik" në Kosovë. Ndershmërinë nuk mund assesi ta vlerësojë i pandershmi. Sidomos patriotizmin (atdhetarizmin) nuk mund ta "vlerësojë" dhe as ta "shpërblejë" tradhtari. Akademiku Rexhep Qosja plotësisht ka të drejtë kur ndihet i ofenduar të pranojë "Mirënjohjen " nga Hashim Thaçi , për të gjitha ato arsye që më së miri i përmend vetë ai. Akademik Rexhep Qosja është një shembull i rrallë, i njeriut që dijen dhe titujt akademikë i ka fituar me djersën e ballit panë Universiteteve serioze ,dhe jo pranë Universiteteve publike të Hashim Thaçit, ku punojnë militantët e partiakë, dhe ku "falen e blihen " diplomat! Gjithashtu, akademiku i nderuar Rexhep Qosja, atdhetarizmin e tij nuk e ka krijuar me "Certifikata si këto të veteraneve të rrejshëm" , dhe as me servilizëm të stilit "PRONTO" ,por me përkushtim dhe dashuri, duke dëshmuar me vepra e tij, me vlera shkencore që i mbretërojnë kohës dhe i bëjnë nder kombit dhe atdheut", vijoi më tutje Reshiti. " Vërtet me të dekoruar njerëzit si Hashim Thaçi , njeriu e ndien vetën tejet të ofenduar, sepse po të dekoron klani "PRONTO" , mister " fusnota" , "Zajednica",Gjykata Speciale, Demarkacioni ....! Fatbardhësisht, në Kosovë po shihen qartë se, kush janë servilët dhe të ndershmit, të cilët po i konsiderojmë si elita e shoqërisë sonë. Njeriu i ndershëm nuk shitet dhe as nuk frikësohet nga mafia politike e Kosovës, e cila vetëm sa po ndryshon metodat e veprimit, por jo edhe qëllimin", tha Reshiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)