Qeveria 'Haradinaj' thellon kapjen e arsimit

  • 02 March 2018 - 13:05
Qeveria 'Haradinaj' thellon kapjen e arsimit

PASOJAT E PËRJASHTIMIT NGA REGJISTRI EVROPIAN PËR CILËSI TË ARSIMIT TË LARTË

Kosova edhe më e izoluar me veprimet skandaloze qeveritare

"Tendenca sharlataneske e Qeverisë 'Haradinaj' është paguar shtrenjtë, ngase edhe anëtarësimi i sërishëm në atë agjenci ka procedura dhe përjashtimi i saj është shumë i keq. Por, kjo duhet të jetë një mesazh për Qeverinë që ajo mos të ndërhyjë në agjenci dhe institucione të pavarura", potencoi Ilir Fetahu për "Kosova Sot" 

Për shkak të politizimit tej mase të arsimit të lartë, Agjencia Kosovare e Akreditimit ditë më parë është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë. Analistët kanë vlerësuar se politikanët e Kosovës e sollën në këtë derexhe arsimin, duke na izoluar përherë e më shumë me Perëndimin, krejt për shkak të inkriminimit me nëntokën kriminale. Analisti Naim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot" tha se ky përjashtim i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të lartë është si rezultat i ndërhyrjes së politikës në këtë agjenci, por nuk është vetëm kjo."Në sferën e arsimit ndërhyrja politike ka ekzistuar që nga paslufta, duke e politizuar kështu edhe arsimin dhe fatkeqësisht po vazhdon edhe më tutje", potencoi ai."Realisht nuk është vetëm Agjencia Kosovare e Akreditimit, pasi që si edhe shumë agjenci të tjera të pavarura janë tërësisht nën kontrollin e politikës dhe në të vërtetë ky përjashtim i Agjencisë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë është tregues i keq për sferën e arsimit tonë dhe krejt kjo si rezultat i ndërhyrjes së politikës në arsim dhe ky tregues i keq është indikativ edhe për shumë sfera të tjera të jetës në shoqërinë kosovare që nga agjencitë, edhe pse me ligj janë të pavarura, të heq duart sa më larg tyre politika dhe kontrolli e ndikimi inkriminues i saj", ka vlerësuar Kelmendi. 

Po prodhojmë analfabetë

Analisti Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se njëra ndër hallkat e dobëta të sistemit pa dyshim është edhe arsimi."Ka kaluar tashmë shumë kohë pa bërë reforma në të gjitha nivelet e arsimit. Çfarë niveli të arsimit kemi është për keqardhje. Po prodhohen kuadro pa asnjë kriter. Secili shtet i zhvilluar dhe demokratik i ka bërë reformat e duhura në arsim, si njëra ndër shtyllat kryesore të shtetit. Niveli i zhvillimit të një shteti matet natyrisht me nivelin e arsimit. Kuadrot është koha e fundit të planifikohen sipas nevojave të zhvillimit ekonomik të vendit", u shpreh ai."Po prodhojmë analfabetë potencialë më keq se kur mbahej mësimi paralel në kushtet e okupimit nga Serbia. Edhe arsimi nuk mbeti i ndarë fatkeqë- sisht nga ndikimi i politikës dhe kjo e bën situatën të vështirë. Në një dokument të EQAR bëhet e ditur se Agjencia Kosovare e Akreditimit është përjashtuar nga ky regjistër dhe EQAR-ja konsideron së AKA nuk funksionon më e pavarur dhe nuk i përbush standardet evropiane të Agjencisë së Akreditimit ", ka thënë Mulliqi. Edhe analisti Arsim Haziri për "Kosova Sot", tha se është shqetësuese për shoqërinë tonë kur Agjencia e Akreditimit të Kosovës është përjashtuar nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsim ( European Quality Assurance Register for Higher Education ). "Me këtë përjashtim, që natyrisht vjen për shkak të funksionimit në mënyrë të përgjysmuar të kësaj agjencie, po ashtu edhe i ndikuar politikisht, atëherë po bëhet e pasigurt perspektiva e shkollimit tonë dhe kësisoj di t'i humbë vlera diplomës sonë në rrafsh ndërkombë- tar", u shpreh ai. 

Ndërhyrje brutale politike

Analisti Rivan Emini për gazetën "Kosova Sot" thotë se Agjencia Kosovare e Akreditimit u përjashtua nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë pikërisht për shkak të ndërhyrjes së politikës në këtë agjenci."Janë dy lloj ndërhyrjesh, në njërin rast kemi të bëjmë me emërimet e anëtarëve në këtë agjenci nga politika dhe në rastin tjetër kemi të bëjmë me përjashtimet e anëtarëve nga ky agjenci pikërisht nga politika me një automatizëm. Kjo ndërhyrje, si në rastin e parë, e sidomos në rastin e dytë, duket se është e patoleruar për Regjistrin Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë", theksoi ai. "Kjo situatë me emërime dhe shkarkime politike natyrisht se e degradon arsimin, madje nivelet ndërkombëtare tregojnë edhe për performacën në arsim, si në nivelin e ulët të arsimit po ashtu edhe në rangimet e universiteteve dhe kolegjeve tona. Ky institucion dhe institucionet e tjera, të cilat duhet të jenë apolitike", tha Emini. Ndërsa analisti Ilir Fetahu për gazetën "Kosova Sot" tha se përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit është një lajm shumë i keq për Kosovën. "Fatkeqësisht kjo është bërë direkt me ndërhyrjen e Qeverisë së Kosovës ndonëse nuk e ka pasur këtë të drejtë ta bëjë këtë pasi që anëtarët e këtyre agjencive i emëron dhe i shkarkon Kuvendi i Kosovës", u shpreh ai."Tendenca sharlataneske e Qeverisë 'Haradinaj' është paguar shtrenjtë. Ngase edhe anëtarësimi i sërsishëm në atë agjenci ka procedura dhe përjashtimi i saj është shumë i keq. Por kjo duhet të jetë një mesazh për Qeverinë që ajo mos të ndërhyjë në agjenci dhe institucione të pavarura", potencoi Fetahu.

(Kosova Sot)