Një Gjykatë Speciale kundër krimit e korrupsionit, ME MBIKËQYRJE 100% AMERIKANE

  • 05 March 2018 - 07:45
Një Gjykatë Speciale kundër krimit e korrupsionit, ME MBIKËQYRJE 100% AMERIKANE

PRESIONI I PROTESTAVE DHE NDËRKOMBËTARËVE MUND TA DETYROJNË POLITIKËN TË VEPROJË

Preteni: Kjo kastë politike e ka ngulfatur vendin, dhe nuk ka vullnet për reforma në drejtës

"Pa një protestë të fuqishme popullore të qindra-mijëra protestuesve para Parlamentit dhe para Qeverisë aktuale, si dhe pa përfunduar ministrat, kryeministrat e kryetarët e korruptuar të komunave në kontejnerët e bërllokut, nuk do të ketë drejtësi. Qeveritë e Kosovës u ngjajnë shumë qeverive të Rumanisë, ku edhe pas revolucionit, pas Çausheskut, erdhën shumë "Çausheska" të vegjël, por mjaft aktivë në përfitimet personale kriminale. Edhe në Kosovë pas ish-kohës së Milosheviqit në qeveri e pushtet erdhën disa "Milosheviqë" të tjerë që e thirrin veten si shtetformues", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari

Ditë më parë, Parlamenti i Ukrainas bëri legjislacionin e veçantë për krijimin e një gjykate kundër korrupsionit, të kërkuar nga grupet protestuese dhe pas kërkesave të aleatëve perëndimorë. Duke parë që fenomeni i korrupsionit është alarmant edhe në vendin tonë, analistët politikë dhe ekspertët e shohin si model të përshtatshëm edhe për vendin tonë ngritjen e zërit të popullit në protesta dhe së bashku me ta edhe pozicionimin mbështetës të aleatëve perëndimor, që ta kërkojnë dhe ta mundësojnë që të kemi sa më shpejt një Gjykatë Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nën mbikëqyrje 100% amerikane, për të tentuar dhe për të filluar kthimin e sundimit të ligjit, të munguar për afro 2 dekada me këtë sistem drejtësie dhe këtë klase politike të tej inkriminuar, por edhe më herët nën kthetrat e okupatorit serb! Ndryshe ky sistem i drejtë- sisë me këta prokurorë dhe gjyqtarë aktualë, të kontrolluar nga politika dhe mafio-oligarkët e inkriminuar, nuk ka shanse që të binden dhe të duan ta luftojnë me detyrë zyrtare 'ex-officio' krimin e organizuar e korrupsionin dhe të zbardhin krimet e njëpasnjëshme të organizuara dhe zhvatjen që po i bëhet popullit dhe buxhetit të shtetit për mbi 19 vjet.

Osmani: Presioni duhet të vijë edhe nga bashkësia ndërkombëtare

Analisti politik Azem Osmani thotë se tema e sundimit të ligjit duhet të bëhet top prioritet, veçmas i presionit opozitar ndaj Qeverisë, nëse kjo qeveri mbijeton akoma, që nga dita e parë e miratimit- ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës."Prej momentit kur do të ratifikohet Demarkacioni me Malin e Zi opozita në Kuvend duhet urgjentisht ta fillojë presionin ndaj Qeverisë 'Haradinaj' dhe të institucioneve të drejtësisë, duke e ngritur në prioritetin më të lartë problemin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky presion pritet të vijë edhe nga bashkësia ndërkombëtare, i cili do të jetë kushti i radhës për liberalizimin e vizave. Këtë gjë e konfirmoi edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, gjatë vizitës së tij që e realizoi këto ditë në Kosovë", është shprehur Osmani për gazetën "Kosova Sot". Për t'u rritur ky presion, sipas tij, do të duhej që edhe qytetarët nën organizimin e shoqërisë civile të protestonin masivisht për ta shtuar edhe më shumë presionin ndaj institucioneve të drejtësisë dhe të Qeverisë."Kërkesa e protestës do të duhej të ishte themelimi i një Gjykate Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nën mbikëqyrjen amerikane 100 për qind, bazuar në modelin e tanishëm të Ukrainës, ku javën e kaluar legjislacioni i tyre miratoi krijimin e një gjykate të tillë, pas presionit të grupeve protestuese dhe të aleatëve perëndimorë", theksoi Osmani për "Kosova Sot". 

Preteni: Mungon vullneti politik për drejtësi të vërtetë

"Ishte qytetaria aktive në Rumani ajo që ndikoi në mosndryshimin e Kodit Penal, mosabolimin e të korruptuarve. Modeli më i mirë është në Kroaci, është USKOKu, prokurori të veçanta, gjykata të veçanta, policë dhe ekspertë të veçantë. Po të gjitha këto nuk bëhen vetvetiu, në Kosovë duhet të ndryshohen vetëm mendësia dhe vullneti politik dhe kjo është baza e veprimit", theksoi analisti Hasan Preteni për "Kosova Sot

Edhe kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se, sipas bindjes së tij, nuk është vetëm modeli ukrainas, por ka edhe modele të tjera të ndryshme të "revolucionit" popullor në përmbysje të regjimeve të inkriminuara dhe në instalimin e shtetit më të mirë të së drejtës dhe të demokracisë, që mund të merren për model nga kosovarët."Ishte qytetaria aktive në Rumani ajo që ndikoi në mosndryshimin e Kodit Penal, mosabolimin e të korruptuarve. Modeli më i mirë është në Kroaci, është USKOK-u, prokurori të veçanta, gjykata të veçanta, policë dhe ekspertë të veçantë. Po të gjitha këto nuk bëhen vetvetiu, në Kosovë, duhet të ndryshohet vetëm mendësia dhe vullneti politik dhe kjo është baza e veprimit", theksoi Preteni për "Kosova Sot". Sipas Pretenit, me këtë kastë politike, nëse nuk ndryshohet kjo, proceset do të ngecin edhe në këtë drejtim."Kjo kasta politike që e ka ngulfatur vendin nuk ka vullnet… "Tentuan kinse me Prokurori Speciale, prokurorë me paga enorme, hetues dhe policë me shumë privilegje, por pa rezultate. Prokurorët në këtë prokurori nuk janë rekrutuar në bazë të rezultateve të punës, në bazë të trajnimeve të përfunduara e meritokracisë , por duke lakmuar pagën kanë kaluar nga prokuroritë e rregullta në Prokurorinë Speciale. Por çka ndodh me aktakuzat që i ngrit kjo prokurori? Kush i trajton - gjykon këto raste? Po gjykatat e rregullta?! Nëse kemi Prokurori Speciale duhet të kemi edhe Gjykata Speciale që i trajtojnë vetëm këto lëndë. Është rritur numri organeve të akuzës kurse organet e gjykimit kanë mbetur të njëjta. Po pse ndodhi kjo? Jo për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por për të krijuar perceptimin se kinse po luftohet korrupsioni", theksoi Preteni për "Kosova Sot". Preteni sjell edhe faktet më të freskëta për dështimet e prokurorisë speciale aktuale në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sipas raportimeve për vitin e kaluar."Ju rikujtoj se kjo prokurori në vitin e kaluar 2017 i ka ngritur vetëm 8 aktakuza, komentet e mëtejme janë të panevojshme. Shifrat janë ato që flasin vetë. Definitivisht nuk ka mungesë të shembujve të mirë që mund të merren për model nga vendet e tjera dhe të zbatohen në Kosovë, mungesa është te vullneti politik, mungesa e transparencës dhe në veçanti te mungesa e llogaridhënies. Nuk punojnë, nuk janë të përgjegjshëm e për të përfunduar një rast nuk ka nevojë të shpresosh apo të presësh 8 vjet", theksoi Preteni për "Kosova Sot".

Miftari: Vetëm zgjimi i popullit mund të detyrojë drejtësinë të funksionojë si duhet

Edhe në Kosovë pas kohës së Milosheviqit në qeveri e në pushtet erdhën disa "Milosheviqë" që e thirrin veten shtetformues, disa shqiptarë që janë të uritur dhe të rrezikshëm si Milosheviqi. Këta politikanët tanë i kanë shkatërruar ekonominë, arsimin, drejtësinë, rininë, i kanë shkatërruar dhe degjeneruar shumë më keq. Përpara ishim më unikë si popull karshi armikut serb, por tani, që 20 vjet rresht, neve na shkatërruan ardhmërinë këta KORBAT tanë që e quajnë veten patriotë dhe shtetformues, e në fakt janë KASAPË për popullin tonë", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari

Eksperti i së drejtës dhe fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se në nuk është aspak problem bërja e ligjeve speciale kundër mafisë, por në vendin tonë nuk ka kush i ekzekuton ligjet që janë në fuqi në mënyrë të paanshme dhe ligjore. Ai thotë se vetëm zgjimi i popullit mund ta detyrojë drejtësinë të funksionojë si duhet."E kam cek edhe më herët se pa një protestë të fuqishme të qindra mijëra protestuesve para Parlamentit dhe para Qeverisë, si dhe pa përfunduar ministrat, kryeministrat e kryetarët e korruptuar të komunave në kontejnerët e bërllokut nuk do të ketë drejtësi. Qeveritë e Kosovës iu ngjajnë shumë qeverive të Rumanisë, ku edhe pas revolucionit, pas Çausheskut erdhën shumë Çausheska të vegjël, por mjaft aktivë në përfitimet personale. Edhe në Kosovë pas kohës së Milosheviqit në qeveri e në pushtet erdhën disa "Milosheviqë" që e thirrin veten shtetformues, disa shqiptarë që janë të uritur dhe të rrezikshëm si Milosheviqi. Këta politikanët tanë i kanë shkatërruar ekonominë, arsimin, drejtësinë, rininë, i kanë shkatërruar dhe degjeneruar shumë më keq. Përpara ishim më unikë si popull karshi armikut serb, por tani që 20 vjet rresht neve na shkatërruan ardhmërinë këta KORBAT tanë që e quajnë veten patriotë dhe shtetformues, e në fakt janë KASAPË për popullin tonë. Tani pa ndaljen e këtyre njerëzve të korruptuar që e quajnë veten politikanë nuk do të ketë kurrë përmirësim të gjendjes aktuale. Këta njerëz ndalen nga vetëm nga një VETING amerikan ku nuk amnistohet askush, ose edhe nga një revoltë e fuqishme paqësore popullore", theksoi Naim Miftari për "Kosova Sot". Mirëpo, sipas Miftarit, fatkeqësisht populli ynë po sillet tepër tolerant dhe jo aktiv dhe me këtë pasivitet sikur është mësuar ta ketë mbi shpinë dikë që e vjedh, që e gënjen, e rrah dhe e dënon ashpër nëse ngrihet kundër tyre. Sipas Miftarit, po ashtu, derisa të heshtë dhe të durojë qytetari, as që mund të ritet ndonjë bindje e vullnetshme e kësaj kaste politike për ta luftuar krimin e korrupsionin dhe instaluar sistemin e pavarur e profesional të sundimit të ligjit.

(Kosova Sot)