Kuvendi miraton rekomandimet për përjashtimin e Kosovës nga EQAR

  • 07 March 2018 - 19:13
Kuvendi miraton rekomandimet për përjashtimin e Kosovës nga EQAR

Me 61 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar rekomandimet e dala nga debati për përjashtimin e AKA-së nga EQAR-i. Propozuesi Avdullah Hoti, ka lexuar rekomandimet që kanë dalë nga debati.

Rekomandimet janë:

Brenda afatit të ankimimit të ndërmerren të gjitha vendimet e duhura për ta kthyer AKA-n si anëtare e rregullt në EQAR;
Ministri të raportojë në Kuvend për arsyet e shkarkimit të bordit duke ofruar informata për komisionin funksional në raportim me dyer të mbyllura nëse është e nevojshme dhe veprimet që janë ndërmarrë ndaj ish anëtarëve të bordit për shkelje të pretenduara që mund t’i kenë bërë ata;
Ministri të tërheq nga Kuvendi për verifikim propozim vendimin për anëtarë të bordit? Në afatin prej shtatë ditësh një ekip pune i përbërë nga ekspertë të arsimit, përfaqësues të Ministrisë, përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e ministrisë të përgatis udhëzimin administrativ që do të përcaktoj kritere dhe procedura transparente për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit;
Bazuar në këtë udhëzim lista e anëtarëve të Bordit të procedohet në Kuvend për miratim;
Kuvendi obligohet që brenda dhjetë ditësh nga dita e propozim-vendimit të Qeverisë ta fus në rend dite për miratim;

Kuvendi i rekomandon ministrit të filloj hartimin e një projektligji të ri për akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë i cili siguron pavarësinë e Agjencisë.


(Kosova Sot)