Vdes diktatori i fundit argjentinas, Reynaldo Bignone - Lajme - Kosova Sot
Vdes diktatori i fundit argjentinas, Reynaldo Bignone

Vdes diktatori i fundit argjentinas, Reynaldo Bignone

Diktatori i fundit argjentinas, Reynaldo Bignone, i cili vuante dënimin me burgim të përjetshëm, vdiq sot në moshën 90-vjeçare në një spital ushtarak të Buenos Airesit, sipas medias vendase.

Ai ishte shtruar në spital për një frakturë në pjesën e legenit dhe duhej t’i nënshtrohej një operacioni, por ndërroi jetë pas një ataku kardiak, sipas mediave argjentinase.

Reynaldo Bignone ka qënë diktatori i fundit që ka njohur Argjentina në vitet 1982-1983.

Pas disfatës së ushtrisë së vendit të tij përballë Britanisë së Madhe gjatë luftës së Sen-Malosë (1982), në vitin 1983 ai hoqi dorë përballë presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike, Raul Alfonsin, që shënoi fundin e regjimit ushtarak që drejtoi vendin për tetë vjet, që prej vitit 1976.

Disa muaj përpara largimit nga posti, Reynaldo Bignone miratoi ”raportin përfundimtar” të juntës, i cili deklaronte të vdekur të gjithë të zhdukurit e diktaturës dhe u mundësonte amnisti ushtarakëve, përcjell Atsh.

Gjenerali Bignone u bë objekt hetimi në vitin 1985 së bashku me krerë të tjerë ushtarakë, të cilët u dënuan përpara se të liroheshin pas faljes presidenciale të dekretuar nga Carlos Menem më 28 dhjetor 1990.

Që nga anulimi i ligjeve të amnistisë në vitin 2005 nga ish-presidenti Nestor Kirchner, gjykata argjentinase dënoi sërish më shumë se 200 liderë të diktaturës, dhe rreth 800 policë dhe ushtarakë u bënë objekt hetimi.


(Kosova Sot)

22 orë e 1 minuta më parë
23/06/18