Nis me vonesë seanca e Kuvendit për dhunën në familje

  • 08 March 2018 - 11:46
Nis me vonesë seanca e Kuvendit për dhunën në familje

Ka nisur me një orë vonesë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës “Debat parlamentar në lidhje me dhunën në familje dhe adresimin institucional”. Kjo seancë organizohet në Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Kryetari i Kuvendit, kryeministri i Kosovës, zëvendësministra dhe ministra, deputetë të Kuvendit të Kosovës janë paraqitur në seancë të veshur ndryshe. Ata kanë veshur bluzat me luledielli, bluza këto që janë pjesë e fushatës “Ti je një luledielli”. Kjo fushatë senzibilizuese ka filluar për të ndihmuar fëmijët e sëmurë, ndërsa çmimi i saj është 20 euro.

Në hapje të seancës së sotme, kryeparlamentari Veseli sqaroi para deputetëve dhe qytetarëve për veshjen e bluzave me këtë mbishkrim.

“Të nderuar deputetë, të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Siç mund ta shihni, sot jemi veshur ndryshe nga ditët e zakonshme. Secili prej deputetëve ka një bluzë me një luledielli e cila simbolizon fushatën e nisur nga organizata “Ti je një luledielli” që udhëhiqet nga Albana Osmani, të cilën sot e kemi këtu dhe e falënderojmë për këtë iniciativë humane e cila ka për qëllim ndihmën e fëmijëve të Kosovës që vuajnë nga sëmundjet e gjakut, leukemia dhe kanceri”, tha kryeparlamentari Veseli.

Para nisjes së seancës, të gjithë deputetët bënë një foto të përbashkët në mbështetje të kësaj fushate, ndërsa të vetmit deputetë që nuk pranuan të dalin në këtë fotografi ishin ata të krahut të Albin Kurtit në Vetëvendosje.

(Kosova Sot)