Kadrijaj: Përkëdhelja e pafund e një pakice

  • 08 March 2018 - 14:21
Kadrijaj: Përkëdhelja e pafund e një pakice

"Grupet joformale janë aq funksionale, ngase që të gjitha e mbrojnë njëra- tjetrën. Pra, te faturat janë bashkuar vetëm për të vjelë dhe për të shkatërruar qytetarin, duke filluar nga Qeveria, ZRRE-ja dhe me përjashtim të Avokatit të Popullit, që të paktën po e ngrit zërin, por jo diçka konkrete", tha Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për 'Kosova Sot ", tha se është për të ardhur keq ky inferioritet ndaj Serbisë dhe kur janë në pyetje minoriteti serb. "Si është e mundur që minoriteti serb në çdo kohë të jetë i përkëdhelur si në ish- krijesën e Jugosllavisë, po ashtu edhe gjatë viteve të 90-ta si dhe mbas lufte dhe po vazhdon. Ky problem duhet t'u shpjegohet ndërkombëtarëve nga qeveritë tona.

Sipas kësaj logjike, edhe shumica e qytetarëve po dashka që t'u bëjnë probleme qeverive tona, në mënyrë që të trajtohemi dinjitetshëm", u shpreh ai. "Nuk ka logjikë të shëndoshë që pranon të paguajë faturat për diçka që nuk ke shpenzuar edhe më e rënda të paguash për dikë tjetër që nuk është i përgjegjshëm dhe po ashtu nuk e pranon shtetin e Kosovës. Pse qytetarët shumicë po vazhdohet të dërmohen si para lufte dhe mbas saj?", potencoi Kadriaj.

"Si duket, ajo motoja mbas çlirimit se do të ushqehemi me lugë floriri paska qenë për serbët. Kjo është aq paradoksale që nuk ka logjikë të shëndoshë që e pranon këtë sjellje të Qeverisë së Kosovës, se është duke provokuar qytetarin", ka thënë ai. Sipas tij, me këto institucione, qytetari i Kosovës tanimë nuk di as ku të kërkojë mbështetje për çdo problem. 

(Kosova Sot)