Guraziu: Zgjedhjet e reja kanë për të dështuar

  • 08 March 2018 - 15:08
Guraziu: Zgjedhjet  e reja kanë për të dështuar

Analisti politik Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në Kosovë nga një popull i dëshpëruar, nëse do të ndodhin tani, nuk do të sjellin asgjë të re, por do të ndodhë vetëm edhe një dëshpërim i ri i radhës. Sipas tij, zgjedhjet nuk mund të mbahen si të rregullta, efektive dhe me legjitimitet të plotë qytetar."Tani ka paksa shumë rrezik, se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në Kosovë, janë bërë bajat edhe votuesit janë lodhur nga kjo retorik mashtruese në zgjedhjet e shpeshta dhe tani qytetari-votuesi është në dilemë: kujt me ia adresuar këtë votë të shenjtë që po i thuhet kështu?! Tani ngjarjet që ndodhën edhe në 'Vetëvendosje', pa një strukturë të re, me gjeneratat të reja në politikë dhe institucione, mendoj unë se tani e tutje, qofshin ato të jashtëzakonshme apo edhe të rregullta, zgjedhjet kanë për të dështuar", ka theksuar ai. "Jam fuqishëm i bindur se edhe ashtu do të bjerë dukshëm numri i elektoratit në zgjedhjet e reja, pasi që populli është dëshpëruar thellë në të gjitha partitë politike, tani duke përfshirë edhe VV-në, pas përçarjeve dhe inkriminimit të saj me krimin e organizuar në komunën e Prishtinës në pesë vitet e fundit, në krye me Shpend Jahtin", potencoi më tej Guraziu."Edhe tani u dëshmua se një fushatë e re po fillon, si kjo e nisur nga Kadri Veseli, fushatë parazgjedhore me sloganin e ri "Dekada e re", që nuk do jetë gjë tjetër veç edhe një tallje e re e radhës, sërish tallje e radhës me qytetarët e Kosovës. Në këtë pikëpamje ka dështuar tërësisht PDK-ja në të kaluarën, pikërisht për shkak të inkriminimit të thellë me krimin e organizuar, që rrugën e saj të dështimit, si model dështimi kanë marrë edhe të gjitha partitë e tjera, LDK, VV, AAK, Nisma, AKR, të gjitha kanë përfunduar në vegla të krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve që po e zhvatin e vjedhin popullin për një dekadë pas pavarësisë, gjegjësisht 19 vjet pas luftës", tha ai për "Kosova Sot". Sipas tij, të gjitha partitë kosovare varen nga tutela e liderëve, janë parti familjare, klanore, të inkriminuara thellë me krimin e organizuar dhe nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve,për interesat e të cilëve punojnë pandalshëm pa dallim, pozitë e opozitë dhe po bashkëjetojnë në shtetin e kapur të Kosovës nga krimi i organizuar dhe politika e tej inkriminuar. 

(Kosova Sot)