Tahiri angazhohet për status më të lartë të gruas në familje dhe komunitet - Lajme - Kosova Sot
Tahiri angazhohet për status më të lartë të gruas në familje dhe komunitet

Tahiri angazhohet për status më të lartë të gruas në familje dhe komunitet

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të angazhohet për status më të lartë në familje dhe komunitet të gruas në Kosovë

Pasi mori pjesë në forumin e organizuar nga OSBE-ja dhe Ambasada Franceze me temën “Të drejtat pronësore të grave”, ministri Tahiri ka bërë të ditur përmes një statusi në rrjetin social Facebook, se ka folur për reformën e të drejtave pronësore në vend në kontekst të adresimit të çështjeve që ndërlidhen me barazinë gjinore në proces të trashëgimisë dhe realizimit të të drejtave pronësore. 

“Të drejtat pronësore në Republikën e Kosovës janë kategori kushtetuese dhe bëjnë pjesë në të drejtat themelore të njeriut. Kur bëhet fjalë për trashëgiminë pronësore, jemi të vetëdijshëm që kemi probleme që ndërlidhen me traditat tona historike dhe zakonore. Këto tradita ndikojnë negativisht në realizimin e të drejtave të grave në pronë e trashëgimi dhe krijojnë pabarazi ekonomike dhe sociale për gjysmën e popullsisë në vend. Ftova gratë që të jenë aktive dhe t’i kërkojnë të drejtat e tyre në trashëgimi ashtu siç e garanton ligji në fuqi”, ka shkruar Tahiri.

Ministri ka uruar që në 8 Marsin e ardhshëm, të drejtat pronësore të jenë në gjendje më të mirë jo vetëm në letër, por edhe në praktikë.

“Si ministër i Drejtësisë, në përputhje me mandatin që ka kjo Ministri, do të angazhohem që të siguroj të drejta të barabarta pronësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike apo fetare. Uroj që 8 Marsi i ardhshëm të na gjejë në gjendje më të mirë në ofrimin e mundësive të barabarta në të drejtën pronësore, jo vetëm në letër por edhe në praktikë. Kjo në të mirë të drejtësisë për gratë dhe për prosperitet mbarëshoqëror”, ka përfunduar Tahiri.

(Kosova Sot)

8 orë e 17 minuta më parë
20/06/18