Slogani mashtrues i Veselit paralajmëron zgjedhje të reja - Lajme - Kosova Sot
Slogani mashtrues i Veselit paralajmëron zgjedhje të reja

Slogani mashtrues i Veselit paralajmëron zgjedhje të reja

"DEKADA E RE" E KAPJES SË VJETËR 

Guraziu: Populli është dëshpëruar thellë në të gjitha partitë, përfshirë edhe VV-në, pas inkriminimit të saj me krimin e organizuar me Shpend Jahtin

"Kadri Veseli si duket përsëri i pari do të nisë fushatën parazgjedhore me një slogan sërish të shpikur si 'Dekada e re', përderisa populli tash e sa kohë e njeh mirë politikën e dështuar të partisë që ai e udhëheq -PDK-së, pikërisht për paligjësi, kapje të shtetit dhe inkriminim të thellë në krim të organizuar, si dhe qëndrimet e tij, në stile të mëhershme. Prandaj votuesve të zhgënjyer nga politika e vjetër nuk u mbetet alternativë për votim, në çfarëdo zgjedhje të 'reja'", potencoi analisti Gani Qarri për "Kosova Sot"

Duke parë dhe analizuar funksionimin tepër të dobët të koalicionit të tanishëm qeverisës, pamundësinë e marrjes së vendimeve të mëdha që kanë përpara partnerët e koalicionit, por edhe vendnumërimin skandaloz në punën e Kuvendit të Kosovës, analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë e prishjes së shpejtë të kësaj "martese" joserioze politike dhe shkuarjen e vendit përsëri në zgjedhje të parakohshme, të jashtëzakonshme. Mirëpo, një provokim i tillë i krizës politike dhe institucionale nga kjo klasë e papërgjegjshme, sipas analistëve, nuk do të sillte asnjë ndryshim pozitiv, veç rrezikut të rënies akoma më të madh të elektoratit që do të dalë në zgjedhje. Ky abstenim nga dalja në zgjedhje do të mundë të ndodhte ngase vlerësohet që populli e ka humbur krejtësisht shpresën në këtë kastë politike, është dëshpëruar thellë në të gjitha partitë politike, tani duke përfshirë edhe VV-në, sidomos pas përçarjeve dhe inkriminimit të saj me krimin e organizuar në komunën e Prishtinës në pesë vitet e fundit, në krye me Shpend Jahtin. Zhgënjyes dhe mashtrues konsiderohet tani edhe fakti i nisjes së një lloj para- fushate nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli, me sloganin e radhës "Dekada e re", që sipas analistëve është slogan për talljen e radhës me qytetarët e Kosovës. Konsiderohet tallje pasi, sipas analistëve, PDK-ja ka dështuar tërësisht pikërisht për shkak të inkriminimit të thellë me krimin e organizuar, sikurse që kanë dështuar edhe të gjitha partitë e tjera, LDK-ja, VV-ja, AAK-ja, Nisma, AKR-ja, e që të gjitha kanë përfunduar në vegla të krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve që po e zhvatin e vjedhin popullin për një dekadë pas pavarësisë, gjegjësisht 19 vjet pas luftës. Se kjo lidhje e partive politike me krimin është fakt, sipas analistëve, më së miri flasin të dhënat se të gjitha po financohen, si skenë e tërësishme politike, nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale që për afro 10 vjet po mbajnë monopole kriminale,të kundërligjshme dhe kundër kushtetuese.

Qytetarët nuk kanë kë ta votojnë 

"Përvoja ka dëshmuar se partitë kosovare nuk veprojnë të pavarura, por janë direkt të diktuara nga tutela e liderëve, duke filluar që nga LDK-ja, VV-ja, AAK-ja, Nisma, AKR-ja etj., që të gjitha, pa asnjë përjashtim, janë parti arkaike, familjare, klanore, thjesht grupe të inkriminuara që koketojnë ngushtë me krimin e organizuar dhe nëntokën kriminale të mafiooligarkëve, për interesat e të cilëve punojnë, pa ndalshim, pozitë e opozitë, të gjitha pa asnjë dallim mashtrojnë vazhdimisht, tallen me hallet e qytetarëve, zhvatin e vjedhin popullin për më se një dekadë pas pavarësisë dhe e mbajnë të izoluar vendin edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës", tha Gani Qarri për "Kosova Sot"

Analisti politik Gani Qarri vlerëson se kërkesat e popullit për ndryshime dhe mesazhet e faktorit ndërkombëtar për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nga institucionet e Kosovës deri më tani kanë hasur në vesh të shurdhër dhe pothuajse nuk janë marrë asnjëherë seriozisht nga politika vendore dhe vendimet e jashtëligjshme të lidershipit të Kosovës. Prandaj, sipas Qarrit, zgjedhjet e reja do të ishin vetëm edhe një restaurim i ri i kësaj kaste të kriminalizuar politike."Pa një reformë të thellë dhe Vetting të njëmendtë në të gjithë sistemin juridik dhe shtetëror të Kosovës "zgjedhjet e reja" me parti të vjetra dhe të njëjtat që gravitojnë tash e nga paslufta, të cilat sollën vendin në gjendjen në të cilën jemi, nuk do të ndryshonin asgjë. Për aq më keq, përveç futjes edhe në një situatë tejet më kaotike sesa kjo e tanishmja, ato nuk do të binin asgjë të mirë, fakt që do t'u konvenonte vetëm personave dhe grupeve të inkriminuara dhe ofronte atyre edhe më tepër kohë për mospërballje me drejtësinë", u shpreh ai."Pa daljen në skenë të një partie të re politike, e cila do të përtërinte shpresat e qytetarëve për një ardhmëri më të mirë, duke pasur parasysh dëshpërimin e thellë të qytetarëve në të gjitha partitë aktuale politike, edhe pjesëmarrja në zgjedhje e elektoratit do të binte në mënyrë drastike, sidomos tani, pas përçarjeve më të reja në Lëvizjen 'Vetëvendosje', ku gravitojnë dy grupe me kahe të ndryshme", vijoi më tutje Qarri."Atmosfera momentale nga dëmet që aktorët politikë i kanë shkaktuar vendit nuk do t'i ndihmonte gjë as Kadri Veselit, megjithëse, siç duket, ai përsëri i pari do të nisë fushatën parazgjedhore me një slogan sërish të shpikur si "Dekada e re", përderisa populli tash e sa kohë njeh mirë politikën e dështuar të partisë që ai udhëheqë- PDK-së, pikërisht për paligjësi, kapje të shtetit dhe inkriminim të thellë në krim të organizuar, si dhe qëndrimet e tij, në stile të mëhershme. Prandaj votuesve të zhgënjyer nga politika e vjetër nuk u mbetet alternativë për votim, në çfarëdo zgjedhje të "reja"", potencoi Qarri për "Kosova Sot".

Sa më shpesh zgjedhje, aq më pak zgjidhje 

Investim të kotë në vota të reja e konsideron një proces të ri zgjedhor edhe analisti Bislim Aliu. "Janë mësuar pushtetarët tanë që të mbajnë shpesh zgjedhje të reja dhe ato asgjë nuk po sjellin përparim, vetëm sa po i ndërrojnë vendet pushtetarët, e njëjta papërgjegjësi dhe fare nuk ka përparim dhe as zhvillim me këta pushtetarë. Le ta dinë këta pushtetarë se në zgjedhjet e reja do të bjerë dukshëm numri i votuesve, pasi që populli është skajshmërisht i zhgënjyer dhe tej mase i dëshpëruar. Kadri Veseli fushatën parazgjedhore e ka nisur me sloganin e ri 'Dekada e re'", theksoi ai."Kjo është tallje e Veselit se asgjë tëre nuk do t' na sjellin njerëzit e vjetër. Kjo parti është e inkriminuar që nga fillimi dhe kot e ka për të sjellë diçka të re. Jo vetëm PDK-ja, por të gjitha partitë kanë përfunduar në krim të organizuar dhe zhvatje të një- pasnjëshme këtë popull fukara që 20 vjet pas luftës. Të gjitha partitë tona janë të varura prej liderëve; janë parti familjare, klanore të inkriminuara në krim dhe korrupsion, pa përjashtim pozitë e opozitë", u shpreh Aliu. "Të gjitha partitë janë të inkriminuara dhe ato financohen nga mafio-oligarkët dhe nëntoka kriminale. Dhe, populli më në fund e ka kuptuar se këto parti fare nuk e kanë hallin e popullit të shkretë, papunësinë, arsimin, drejtësinë, shëndetësinë, por vetëm për vete dhe interesa familjare. Pra, me këtë mund të themi se Kosova është shtet i krimit të organizuar dhe i korrupsionit të pandalshëm", tha Aliu për "Kosova Sot".

Bandat politike i pret debakli

"Ja p.sh. të marrim edhe hajninë dhe banditët e seksklubit VV, ne jemi dëshmitarë të kohës, se këta banditë shkuar banditëve mbanin në cepin e setrës flamurin kuq e zi, flisnin për bashkim kombëtar, flisnin kundër mallrave të Serbisë, e këta hajna shkuar hajnave të gjitha këto i kishin mashtrime, rrena, ndërkaq kryehajni Shpend Ahmeti natën, tinëzisht, që të mos i bie në sy të popullit, takohet me bandën më të rrezikshme serbiane, Devolli", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot

Analisti Reshat Badallaj i tha gazetës se në qoftë se mbahen zgjedhjet e reja në Kosovë, të gjitha bandat politike do të pësojnë debakël të paparë që nuk mbahet mend, prandaj mbase ky do të jetë një moment kyç edhe për pastrimin e skenës politike në vend nga të inkriminuar dhe rrjetet e tyre që u zhvilluan për dy dekada të plota në pushtet, sa në nivel lokal e sa në atë qendror. "Populli tashmë i ka kuptuar rrenat, mashtrimet, dallaveret, pazaret e këtyre bandave dhe banditëve. Po ashtu, populli e ka parë se këto banda dhe banditë e kryebanditë luftojnë vetëm për të ardhur në pushtet dhe pastaj të vjedhin sa të munden dhe se e kanë për interesa të tyre personale, që ne po i shohin me dy sy në ballë se këta hajna u pasuruan vetëm kur erdhën në pushtet, se populli i ka parë para lufte që ishin leckamanë, që nuk kishin para as për biletë, kurse tani janë bërë super milionerë", potencoi ai."Edhe një gjë është shumë e rëndësishme, sovrani sa herë ka votuar asnjëherë nuk është vlerësuar dhe nuk është marrë për bazë vota e tyre, në fund ka vendosur interesi i këtyre banditëve dhe kryebanditëve dhe që e kanë ndarë pazarin me mafio-oligarkët, pra e kanë përbuzur votën e tyre, i kanë tradhtuar, votat e tyre i kanë vjedhur. Kurrë nuk ka qenë populli më i dëshpëruar se tani", ka theksuar Badallaj për "Kosova Sot". 

Partitë e inkriminuara dekurajojnë popullin

"Realisht e kanë kuptuar më në fund qytetarët se asnjë parti nuk e ka hallin dhe as nuk mërzitet fare për popullatën e shkretë, për shqetësimet e njerëzve, varfërinë e papunësinë e tyre, për shëndetësinë e arsimin që u mungojnë, drejtësinë dhe ekonominë që po u grabitet, pos për interesa familjare të tyre dhe të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, në grazhdin e të cilëve ushqehen të gjitha partitë politike, ku ju ka mbetur të gjitha këtyre partive aktuale në Kosovë ta shpallin edhe me letra, atë që në realitet është, Kosovën shtet të krimit të organizuar, gjegjësisht degë të kartelit ndërkombëtar të krimit të organizuar", tha analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Edhe analisti politik Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në Kosovë nga një popull i dëshpëruar, nëse do të ndodhin tani, nuk do të sjellin asgjë të re, por do të ndodhë vetëm edhe një dëshpërim i ri i radhës. Sipas tij, zgjedhjet nuk mund të mbahen si të rregullta, efektive dhe me legjitimitet të plotë qytetar."Tani ka paksa shumë rrezik, se zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme në Kosovë, janë bërë bajat edhe votuesit janë lodhur nga kjo retorik mashtruese në zgjedhjet e shpeshta dhe tani qytetari-votuesi është në dilemë: kujt me ia adresuar këtë votë të shenjtë që po i thuhet kështu?! Tani ngjarjet që ndodhën edhe në 'Vetëvendosje', pa një strukturë të re, me gjeneratat të reja në politikë dhe institucione, mendoj unë se tani e tutje, qofshin ato të jashtëzakonshme apo edhe të rregullta, zgjedhjet kanë për të dështuar", ka theksuar ai. "Jam fuqishëm i bindur se edhe ashtu do të bjerë dukshëm numri i elektoratit në zgjedhjet e reja, pasi që populli është dëshpëruar thellë në të gjitha partitë politike, tani duke përfshirë edhe VV-në, pas përçarjeve dhe inkriminimit të saj me krimin e organizuar në komunën e Prishtinës në pesë vitet e fundit, në krye me Shpend Jahtin", potencoi më tej Guraziu."Edhe tani u dëshmua se një fushatë e re po fillon, si kjo e nisur nga Kadri Veseli, fushatë parazgjedhore me sloganin e ri "Dekada e re", që nuk do jetë gjë tjetër veç edhe një tallje e re e radhës, sërish tallje e radhës me qytetarët e Kosovës. Në këtë pikëpamje ka dështuar tërësisht PDK-ja në të kaluarën, pikërisht për shkak të inkriminimit të thellë me krimin e organizuar, që rrugën e saj të dështimit, si model dështimi kanë marrë edhe të gjitha partitë e tjera, LDK, VV, AAK, Nisma, AKR, të gjitha kanë përfunduar në vegla të krimit të organizuar dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve që po e zhvatin e vjedhin popullin për një dekadë pas pavarësisë, gjegjësisht 19 vjet pas luftës", tha ai për "Kosova Sot". Sipas tij, të gjitha partitë kosovare varen nga tutela e liderëve, janë parti familjare, klanore, të inkriminuara thellë me krimin e organizuar dhe nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve,për interesat e të cilëve punojnë pandalshëm pa dallim, pozitë e opozitë dhe po bashkëjetojnë në shtetin e kapur të Kosovës nga krimi i organizuar dhe politika e tej inkriminuar.

"Politika po tregon se varet kryekëput nga tutela e liderëve dhe si të tilla të gjitha partitë politike janë shndërruar në subjekte klanore, familjare dhe grupeve, të të inkriminuarve që po e sjellin Kosovën në një humnerë, e cila do të ketë pasoja serioze edhe në procesin e rrugëtimit për anëtarësim në familjen evropiane", tha Ali Hertica për "Kosova Sot" 

Gjykim dhe vlerësim me refleksion negativ për një proces të shpejtë të tanishëm zgjedhor, pa asnjë ndryshim në skenën politike dhe pa e përfunduar reformën zgjedhore ka edhe analisti Ali Hertica. "Kur është çështja e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, shumë subjekte politike do të kenë frikën, sepse nuk do kalojnë pragun, po qe se nuk u bëhen marioneta subjekteve të mëdha, siç e bëri AKR me LDK-në", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas Herticës, praktika e deritanishme ka dëshmuar se në Kosovë kemi, kryesisht në pjesën dërmuese, një politikë destruktive.

(Kosova Sot)

22 orë e 22 minuta më parë
25/04/18