Homazhe tek varri i Marte Tunaj, gruaja që dëshmoi për dhunimin që i bënë serbët

  • 08 March 2018 - 18:48
Homazhe tek varri i Marte Tunaj, gruaja që dëshmoi për dhunimin që i bënë serbët

Forumi Iniciativa Qytetare (FIQ) ka bërë sot homazhe tek varri i Marte Tunaj, gruaja që dëshmoi për dhunimin që i bënë serbët.

Me rastin e 8 Marsit, FIQ ka nderuar me homazhe dhe kurora lulesh Marte Tunaj, e cila është femra e vetme në Kosovë që ka dëshmuar publikisht për dhunimin e kryer ndaj grave dhe vajzave në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës. Tunaj me dëshmi rrëqethëse pati prezantuar para trupit gjykues shumë fakte dhe prova bindëse.

Në homazhe kanë marrë pjesë edhe familjarët e së ndjerës.

Drejtoresha e FIQ-it, Dajana Berisha ka thënë se, Tunaj duhet të nderohet për guximin e saj që dëshmoi kundër krimit ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Berisha tha se Tunaj theu tabun e krijuar për këtë krim në shoqërinë kosovare.

Sherif Selmani djali i së ndjerës ka apeluar tek të gjitha gratë dhe vajzat tjera të Kosovës që ndaj tyre u ushtrua dhunë seksuale dhe fizike nga forcat serbe të mos heshtin, por të denoncojnë krimin ndaj tyre. Ai ka thënë se ky krim duhet të ndëshkohet dhe të mos mbetet anash as nga ana e institucioneve.

“Bota duhet të dijë se çfarë ndodhi me ne dhe ne duhet të rrëfejmë”, është porosia që Marte Tunaj pat përcjellë sa ishte gjallë tek viktimat tjera.

(Kosova Sot)