The Guardian: Orët evropiane humbin gjashtë minuta, fajin e ka Kosova me Serbinë

  • 08 March 2018 - 21:14
The Guardian: Orët evropiane humbin gjashtë minuta, fajin e ka Kosova me Serbinë

Evropianët që po shkojnë vonë në punë ose në shkolla javët e fundit nuk kanë vetëm një arsye; motin e keq, por edhe një arsye tjetër.

Arsyeja e vërtetë është vonesa e pashembullt në rrjetin elektrik të kontinentit që po iu shkakton akrepave të orëve të ecin më ngadalë. 

Problemi është shkaktuar nga një mosmarrëveshje politike midis Serbisë dhe Kosovës, që po bllokon një sasi të vogël energjie nga rrjeti lokal, duke shkaktuar një efekt në të gjithë rrjetin energjetik të tensionit të lartë të sinkronizuar prej 25 vendesh, që përfshin kontinentin nga Portugalia në Poloni dhe Greqi drejt Gjermanisë, shkruan The Guardian.

Grupi lobues i rrjetit të energjisë elektrike i bëri thirrje dy vendeve të Ballkanit për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

“Meqenëse sistemi Europian është i ndërlidhur, kur ekziston një mungesë ekuilibri diku, frekuenca bie pak”, tha Claire Camus, zëdhënëse e Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike (ENTSO-E). Rrjeti kontinental kishte humbur 113Gwh energji që nga mesi i janarit, sepse Kosova kishte përdorur më shumë energji elektrike sesa gjeneron. Serbia, e cila është përgjegjëse për balancimin e rrjetit të Kosovës, nuk kishte arritur ta bëjë këtë, tregon ENTSO-E.

Organizata me bazë në Bruksel shtoi se “ky devijim mesatar i frekuencës, që kurrë nuk ka ndodhur në asnjë mënyrë të ngjashme në sistemin elektroenergjetik të Evropës kontinentale, duhet të ndalojë”. Devijimi nga frekuenca standarde e Evropës 50Hz ka qenë e mjaftueshme për të shkaktuar ngadalësim me gjashtë minuta tek orët elektrike që mbajnë kohë nga frekuenca e sistemit energjetik, dhe kjo gjë ka ndodhur që nga mesi i janarit.

Problemi më së shumti ndikon në alarme, gradimet e furrës ose orët që përdoren për programimin e sistemeve të ngrohjes. ENTSO-E tha se po punonte për një zgjidhje teknike që mund ta rikthente sistemin brenda disa javësh, por u kërkoi autoriteteve evropiane dhe qeverive kombëtare të zgjidhnin problemin politik në qendër të çështjes.

“Kjo është përtej botës teknike. Duhet të ketë një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës lidhur me këtë mungesë të energjisë në sistemin e Kosovës. Ju duhet ta zgjidhni atë politikisht dhe pastaj teknikisht, “tha Camus. Fërkimi midis Serbisë dhe Kosovës është pjesë e një mosmarrëveshje më të gjerë që shkon prapa gati 20 vjet. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, veriu i mbizotëruar nga serbët në Kosovë që mbetet besnik ndaj Beogradit nuk e ka paguar qeverinë e Kosovës për energjinë që konsumon. Një marrëveshje e vitit 2015 kishte për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes, por Serbia e ka bllokuar zbatimin e saj.

Operatori i energjisë në Serbi, EMS, fajësoi Kosovën për problemin, duke pohuar se në janar dhe shkurt vendi “po tërhiqte, në mënyrë të paautorizuar, energjinë elektrike të pakontraktuar nga zona sinkronike e Evropës kontinentale”.


(Kosova Sot)