Erdogan: Nuk i japim llogari SHBA-së, do të blejmë sistemet S400

  • 09 March 2018 - 00:04
Erdogan: Nuk i japim llogari SHBA-së, do të blejmë sistemet S400

Përkundër trysnisë dhe kundërshtimeve nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Turqia dhe Iraku nuk do të heqin dorë nga blerja e sistemeve anti-raketore ruse, S400.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan porositi se vendi i tij është i vendosur që të blejë këto sisteme dhe se Ankaraja do të ndjekë rrugën e drejtë, për të realizuar synimet e veta.

Presidenti turk bëri të qartë se vendi i tij nuk do të heq dorë nga blerja e këtyre sistemeve, pa marrë parasysh sanksionet e mundshme të Washingtonit kundër Ankarasë.

Ai me këtë rast vuri në pah se Washingtoni nuk ka kritikuar Greqinë për shkak të blerjes së sistemit rus, S300, ndërsa tani po kundërshton blerjen e sistemeve S400 nga ana e Turqisë. Përkundër kërcënimit amerikan me sanksione, Erdogan tha se vendi i tij nuk do ti jep llogari Washingtonit në lidhje me këtë çështje. 

Në anën tjetër, Kryetari i Komitetit të Parlamentit të Irakut për mbrojtje dhe siguri, Hakim Zimili, deklaroi se edhe vendit të tij i nevojiten sistemet S400, me qëllim që të mbrojnë xhamitë dhe objektet tjera fetare nga sulmet e mundshme të terroristëve me aeroplanë. Sipas tij, ka të dhëna se terroristët mund të përdorin fluturake, për të sulmuar objektet e shenjta dhe shtoi se Washingtoni nuk po dëshiron të armatosë ushtrinë irakiane me sisteme anti-raketore për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit.

(Kosova Sot)