Serbët e Kosovës duan përgjithmonë sistemin e arsimit të Serbisë

  • 09 March 2018 - 10:19
Serbët e Kosovës duan përgjithmonë sistemin e arsimit të Serbisë

Debati i brendshëm serb për raportet në mes të Serbisë dhe Kosovës tani është shtrirë edhe në Kosovë. Në veri të Mitrovicës, në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetit serb të Mitrovicës, të enjten është debatuar për arsimin, ndërkohë që në disa qytete të Serbisë është zhvilluar dialogu për gjyqësorin, për policinë, për shëndetësinë dhe për ekonominë.

Në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin serb të Prishtinës, selia e të cilit është në veri të Mitrovicës, është mbajtur tryeza e parë në Kosovë e dialogut të brendshëm të Serbisë, që ka për synim çështjen e normalizimit të raporteve në mes të Serbisë dhe të Kosovës.

Debati në Mitrovicë është i pari që organizohet në Kosovë, ndërsa më përpara në disa qytete të Serbisë është zhvilluar dialogu i brendshëm serb për gjyqësorin, për policinë, për shëndetësinë dhe për ekonominë.

Në këtë debatin e së enjtes kanë marrë pjesë Nikolla Selakoviq, sekretar i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, ministri kosovar për Kthim dhe Komunitete Dalibor Jevtiq, rektori i Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut Rade Grbiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe studentë e profesorë.

Sekretari gjeneral i presidenti të Serbisë Nikolla Selakoviq, pas përfundimit të debatit ka thënë se Universiteti serb i Mitrovicës është inkubator i edukimit të numrit më të madh të të rinjve në këtë pjesë, siç thoshte vazhdimisht Selakoviq, “të Serbisë”.

Ai shtoi se ky universitet është potenciali më i madh zhvillimor, siç tha ai “në krahinën jugore”.

(Kosova Sot)