Diplomati i lartë i State Departamentit javën e ardhshme në Prishtinë

  • 09 March 2018 - 11:28
Diplomati i lartë i State Departamentit javën e ardhshme në Prishtinë

Wes Mitchel, Asistenti i Sekretarit Amerikan të Shtetit në Zyrën për Çështje Europiane dhe të Euroazisë javën e ardhshme do të qëndrojë në Prishtinë. Kjo është konfirmuar për Gazetën Express nga burime brenda institucioneve të Kosovës.

Për vizitën e Mitchel në rajon ka folur edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq i cili ka thënë se diplomati amerikan do të qëndrojë edhe në Beograd.

“Javnën e ardhshme do të vijë për vizitë në Beograd Wess Mitchel dhe mendoj se kjo do të jetë një rast i mirë për biseda serioze” ka thënë  shefi i diplomacisë serbe në një intervistë për RTS.

Zakonisht, zyrtarë amerikanë të këtij niveli udhëtojnë në dy kryeqytetet. Nuk dihet saktë agjenda e bisedimeve por supozohet se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jenë në fokus.

Vizita e Mitchel në Prishtinë, është konfirmuar brenda institucioneve të Kosovës nga zyrtarë që kanë folur në kushte anonimiteti.

Mitchel është emëruar në këtë pozitë në tetor të vitit të kaluar. Para se t’i bashkohej Departamentit Amerikan të Shtetit, ai ka shpenzuar 12 vite në Qendrën Evropiane për Analiza të Politikave, kjo një organizatë e përkushtuar në studimin e Evropës Qendrore.

Këtë pozitë, para tij e ka mbajtur Victoria Nuland. Mitchel do ta vizitojë për herë të para rajonin në këtë kapacitet.


(Kosova Sot)