Vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

  • 09 March 2018 - 11:35
Vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e 35-të në të cilën ka diskutuar dhe miratuar dokumente dhe vendime të fushave të përgjegjësive të saja kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e Programit Legjislativ për vitin 2018. Në program do të përfshihen edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshje Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian; Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe  Dukatit të Madh të Luksemburgut për ‘Asistencë teknike në kontekst të integrimit evropian; dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin ‘Evropa për qytetar’.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe Korniza e Treguesve të Shëndetit të Fëmijës dhe Nënës. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente për zbatimin e Treguesve të Shëndetit të Fëmijës dhe Nënës, për bashkëpunimin dhe ofrimin e ndihmës brenda kompetencave ligjore në rastet kur kërkohen nga Zyra për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit për përmbushjen e obligimeve që dalin nga “Korniza e Treguesve të Shëndetit të Fëmijës dhe Nënës”.

Qëllimi i Kornizës së treguesve të shëndetit të fëmijës dhe nënës është që të identifikojë treguesit bazë për përmirësimin e shëndetit publik, veçanërisht të fëmijëve, të përcaktohen akterët përgjegjës për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e treguesve si dhe për grumbullimin dhe raportimin e të dhënave dhe fuqizimin e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në realizimin e të drejtave të fëmijëve.

Qeveria ka ndarë mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve për shënimin e 550 Vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit. 250 mijë euro do të përdoren për restaurimin e kishës së Skënderbeut në Prizren, ndërsa mjete tjera do të ndahen për aktivitete tjera që do të zhvillohen gjatë këtij viti, që është shpallur Vit i Skënderbeut.

Koncept dokumenti për pagat që realizohen nga buxheti i Republikës së Kosovës ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar. Koncept dokumenti i miratuar do t’i hap rrugë hartimit dhe miratimit të Projektligjit për pagat në Republikën e Kosovës. Parimi bazë i ndjekur në përgatitjen e këtij dokumenti është: Paga e njëjtë për punën e njëjtë.

Kabineti qeveritar ka ndarë mjete në shumën prej 75  mijë eurove për Doganën e Kosovës për furnizim me banderola për miell, që do të mundësojë implementimin e Udhëzimit Administrativ për kushtet e veçanta të evidentimit, kontrollit dhe shënjimit të miellit, i cili vendoset në qarkullim të lirë në tregun e Republikës së Kosovës.

Strategjia shtetërore kundër terrorizmit dhe Plani i veprimit 2018-2023 ka marr gjithashtu miratimin nga Qeveria e Kosovës. Strategjia ka për synim luftimin e ideologjive ekstremiste dhe radikale të çfarëdo natyre, të cilat shpien në përdorim të dhunës dhe janë në kundërshtim me parimet demokratike të shoqërisë sonë. Strategjia synon edhe parandalimin e aktiviteteve terroriste dhe minimizimin e rrezikut të kërcënimeve terroriste. Institucioni bartës në zbatimin e Strategjisë është Ministria e Punëve të Brendshme por edhe mekanizmat tjerë të sigurisë, rendit, edukimit, zhvillimit dhe kulturës në vend.

Pesë vendime preliminare të shpronësimeve të pronave të paluajtshme për interes publik dhe një për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimeve për interes publik, janë miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Vendimet preliminare për shpronësimin e pronave që preken nga zgjerimi i rrugëve nacionale “Hyrja në qytetin e Ferizajt”, “Zgjerimi i hyrjes në qytetin e Prizrenit”, “Zgjerimi i hyrjes në qytetin e Gjilanit”, “Rehabilitimi i rrugës nacionale, segmenti Gjilan-Kllokot” dhe ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit. Edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë për shpronësimin e pronave të paluajtshme për “Zgjerimin e rrugës nacionale, segmenti i zgjerimit të hyrjes në qytetin e Gjilanit, Loti i dytë, ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe nisma për lidhjen e “Marrëveshjes për punën fitimprurëse për anëtarët e familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo konsullor”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Qeveria i ka rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë ministren e Integrimeve Evropiane, që të nënshkruaj Marrëveshjen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për pjesëmarrjen në programin “Evropa për qytetarët”.

Kabineti qeveritar ka emëruar sekretar të përgjithshëm Fatos Qerimin, për një mandat tre vjeçar, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Edhe Koncept dokumenti për fushën e inspektimeve, ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Koncept dokumenti adreson sfidat në procesin e inspektimeve që konsiderohen si pengesë e të bërit biznes në Republikën e Kosovës. Qeveria synon që të ndërmerr reformën organizative dhe legjislative në fushën e inspektimeve. Ky proces është identifikuar si  një nga proceset e rëndësishme zhvillimore në Republikën e Kosovës. Reforma organizative parasheh themelimin e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm në nivel të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për ndarje të mjeteve për integrimin e stafit administrativ në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.  Në këtë proces, i cili është produkti i dialogut të Brukselit, planifikohet të përfshihen gjithsejtë 39 zyrtarë të administratës.

(Kosova Sot)