Miliardat ikën, bizneset të gjunjëzuara nga reduktimet

  • 09 March 2018 - 07:52
Miliardat ikën, bizneset të gjunjëzuara nga reduktimet

Gati dy dekada, me mungesë të energjisë elektrike

Interesat e mafio-oligarkëve e lanë Kosovën të pazhvilluar në sektorin energjetik

Fenomeni i ndërprerjes së energjisë elektrike që nga paslufta e deri më sot, 19 vjet, është shkatërrues për bizneset e Kosovës. Ndaj analistët e ekonomisë vlerësojnë se përveç mossundimit të ligjit, reduktimet e mëdha të energjisë elektrike bëjnë që asnjë biznes serioz nga jashtë nuk vjen për të investuar në Kosovë kur e di gjendjen reale të furnizimit me energji.

Edhe opozitarët pyesin se ku shkuan miliardat e donacioneve, e shumë miliarda të tjera për blerjen e energjisë elektrike, që edhe 19 vjet pas lufte të mos kemi mjaftueshëm një energji elektrike stabile.

Astrit Shabani, nënkryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës për gazetën "Kosova Sot" tha se ndërprerjet e parregullta e të paplanifikuara të energjisë elektrike po ndikojnë drejtpërdrejt në shumë segmente në mes prodhuesit dhe partnerit afarist dhe e tëra kjo e ka një kosto."Ne si biznese kosovare aq shumë po vuajmë në mungesë të energjisë elektrike saqë kjo na është bërë armiku më i madh që po na ndjek kudo si hije, sepse ekspertiza e Bankës Botërore e thotë se Kosova humb 300 milionë euro në mungesë energjie. Por, humbjet janë më të mëdha sidomos me mosardhjen e investimeve të huaja dhe mungesa e rritjes së prodhimit vendor", potencoi ai. 

"Nuk e di se kujt po i konvenon që të mbesin në këtë gjendje tash e 19 vjet dhe kjo është detyrë e politikës që ta gjejë, sepse energjia elektrike është kushti kryesor që një biznes të jetë stabil dhe këto kushte ne nuk i kemi dhe kjo po na bën jo konkurrentë në raport me prodhuesit e rajonit, ngase në treg dalim me çmime më të mëdha dhe ajo më kryesorja është se po i largojmë investitorët e huaj potencialë", tha Astrit Shabani për "Kosova Sot"

Bizneset po shuhen

Siç thonë përfaqësues të komunitetit të biznesit, veç mungesës së sundimit të ligjit, që është indikatori i parë dhe që pasohet edhe nga disa nga shkaktarë të tjerë që po ndikojnë në shuarjen e bizneseve në Kosovë, janë edhe politikat jofavorizuese për biznes, mungesa e mjeteve financiare, normat e larta të kredisë. Mirëpo, faktori më i rëndësishëm sipas tyre është jostabiliteti me energji elektrike.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së (Aleancës Kosovare të Biznesit), tha për "Kosova Sot" se për çdo vit në Kosovë falimentojnë mbi 1000 biznese dhe me këtë shuhen mbi 2000 vende pune."Kjo është një ndër fenomenet dhe sinjal i keq për investitorët e huaj. Kjo është si pasojë e mosfunksionalizimit të ekzekutivit të shtetit në tërë territorin e Kosovës, që po krijon joformalitet të madh në biznes, po krijon konkurrencë jolegale dhe po krijon turbulencë në biznes. Andaj Qeveria sa më parë duhet të zgjidhë këtë problem me mungesën e energjisë elektrike në mënyrë që të ketë një furnizim stabil", u shpreh ai.

Për të mësuar se përse kemi ardhur në këtë gjendje, doemos duhet shtruar për debat në Kuvendin e Kosovës se ku shkuan miliardat e donacioneve, e shumë miliarda të tjerë për blerjen e energjisë elektrike, që edhe 19 vjet pas lufte të mos kemi mjaftueshëm një energji elektrike stabile. Vetëm përmes debatit do të mësojmë se përse u vodhën qindra miliona e shumë miliarda euro për këta 19 vjet nga "nëntoka kriminale e politike", ndërkaq qytetarët e Kosovës dhe bizneset vazhdojnë të mbesin pa energji elektrike", tha Salih Salihu për "Kosova Sot"

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Salih Salihu (VV), tha për "Kosova Sot" se mungesa e energjisë elektrike që po ndodh tash e 19 vjet, veç bizneseve, po i dëmton tej mase edhe ekonomitë familjare dhe kjo po e rrezikon edhe shëndetin e njerëzve."Ndërsa pengesa më e madhe veç sigurisë dhe situatës politike, por edhe mungesës së ligjit, mungesa e energjisë elektrike është indikatori kryesor që po i tremb investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë", theksoi ai. 

Flemë mbi thëngjill, vuajmë për rrymë

"Janë shuma marramendëse që shteti i Kosovës i ka shpenzuar në blerje të energjisë elektrike edhe pas 19 viteve të përfundimit të luftës qindra miliona euro donacione nga BE-ja, por ende nuk ka energji elektrike, ende ka reduktime, ende bizneset ankesë kryesore e kanë mungesën e energjisë elektrike", u shpreh Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Analisti Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se Kosova ka shumë pasuri, ta zëmë Kosova ka thëngjill që ia ka lakmi e tërë bota, por prapëseprapë nuk po arrin që të sigurojë energji elektrike të bollshme për nevojat kosovare, përderisa para lufte e ka furnizuar edhe një pjesë të Serbisë me po këto termocentrale. "Edhe minierat e tjera si ajo e Goleshit, Kishnicës dhe 'Feronikelit' të gjitha kanë mbetur në mëshirën e politikanëve milionerë kosovarë, në përjashtim të një pjese të vogël që janë funksionale", tha ai."Pengesat me të cilat përballen bizneset gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre ditor përbëjnë aspekte të ndryshme dhe janë të llojllojshme. Ndër vështirësitë më të shpeshta me të cilat ballafaqohen bizneset në aktivitetin e tyre ditore operacionale është mungesa e rrymës elektrike, infrastruktura e keqe, konkurrenca jolojale, mungesa e sundimit të ligjit, si dhe niveli i lartë i taksave.

Gjendja e tanishme është veçanërisht e çuditshme, duke marrë parasysh faktin se Kosova dikur ka qenë eksportuese e energjisë elektrike. Kosova mund të mos ketë resurse të naftës ose gazit natyror, mund të ketë probleme ekonomike e politike, por ajo ka rezerva të mëdha të linjitit, një lloj i thëngjillit që përdoret kryesisht për prodhimin e energjisë elektrike", vijoi më tutje analisti Beqiri.

"Pothuajse të gjitha anketat e bëra me biznese kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre. Republika e Kosovës ballafaqohet me reduktime të ashpra të rrymës, përderisa qëndron në rezervat e treta të linjitit në Evropë. Janë shuma marramendëse që shteti i Kosovës ka shpenzuar në blerje të energjisë elektrike edhe mbas 19 viteve të përfundimit të luftës qindra miliona euro donacione nga BE-ja, por ende nuk ka energji elektrike, ende ka reduktime, ende bizneset ankesë kryesore e kanë mungesën e energjisë elektrike", u shpreh ai.

Qeveria dështoi me politikat energjetike
 

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj, për "Kosova Sot" tha se kjo sjellje e Qeverisë ndaj bizneseve ka bërë që shumë biznese të mbyllen si dhe duke mos qenë konkurrente me bizneset rajonale. "Që nga paslufta, përveç mungesës ligjore bizneset janë përballur edhe me infrastrukturë të dobët, me rrugë të shkatërruara, si dhe reduktime të vazhdueshme dhe me orë të tëra të energjisë elektrike", u shpreh ai. "Përkundër donacioneve nga jashtë, por edhe përkrahjen e qeverive, që 19 vjet, ende deri më sot kemi reduktime, duke shkaktuar dëme si në ekonomitë familjare dhe në biznese. Këto reduktime kanë bërë që bizneset vendore të ngulfaten nga konkurrenca rajonale dhe më gjerë dhe jeto reduktime që çdo ditë e më shumë po i largojnë investitorët e jashtëm. Për këtë mosmenaxhim të mirë do të duhej që prokuroria për krime ekonomike të hapte hetimet dhe aktorët që kanë zhvatur paranë publike të dalin para drejtë- sisë, pra pista e hetimeve do të duhej të fillonte nga qeveritë, si dhe menaxhmenti i KEK-ut", vijoi më tej analisti Kadrijaj.

"Tani shtrohet pyetja se ku janë gjithë ato miliarda të ndihmave dhe donacioneve që janë dërguar. Kurse për këtë është vetëm një përgjigje, shumica e këtyre parave shkuan në xhepat e politikanëve tanë, të cilët janë të uritur për pasuri dhe pushtet", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Ggrapci, tha për "Kosova Sot" se si pasojë e kësaj mungese të energjisë elektrike është edhe rritja e çmimit të pagesës së energjisë elektrike. "Është shumë e vërtetë se shumë donacione kanë ardhur nga SHBA-ja dhe BE-ja, por edhe nga donatorë të ndryshëm për rregullimin e energjisë elektrike dhe blerjen e pajisjeve të reja për dy TC-të tona, por e keqja është se ato para nuk u panë dhe një pjesë e madhe e tyre nuk u investuan në riparimet e dy TC-ve tona,'Kosova A' dhe 'Kosova B'", ka theksuar ai.

Kushti për investime të huaja

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, për "Kosova Sot" tha se fusha energjetike është një ndër pengesat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të biznesit, jo vetëm për shkak të ndërprerjeve të shpeshta me energji që po i sjellin dëme biznesit dhe pengesë për investimet e huaja, por për një kohë të gjatë e kanë shpenzuar buxhetin e Kosovës, pra taksat e qytetarëve të varfër të vendit. "Është për t'u përshëndetur veprimi i kryeministrit Haradinaj për ndërtimin e Termocentralit të ri, sepse me këtë rriten kapacitet të reja energjetike për nevojat e brendshme të tregut kosovar, duke marrë parasysh edhe potencialin zhvillimor të vendit. Këto kapacitete duhet të ndërtohen në bashkëpunim të ngushtë me investitorët potencialë, gjithmonë duke ruajtur interesin publik të vendit tonë", vlerësoi ai.

"Republika e Kosovës është ndër vendet më të pasura në Evropë me pasuri të thëngjillit dhe në vend, që jo vetëm të plotësojmë nevojat tona me energji elektrike ne kemi potencial që të jemi edhe eksportues të energjisë elektrike që do të kishte për ta përmirësuar dhe ndryshuar raportin eksport - import për Kosovën në mënyrë të ndjeshme dhe do të ishim bërë një vend me një rëndësi dhe faktor i madh në rajon", ka theksuar Neziraj. Sipas tij, pa një stabilitet në fushën energjetike si kusht kryesor për biznes nuk do të ketë investime të huaja në Kosovë.

(Kosova Sot)