Furrtari që u bë miliarder

  • 09 March 2018 - 19:07
Furrtari që u bë miliarder

MBRETI I TREGUT TË BISKOTAVE 

Mësimet që i kishte marrë në Amerikë, filloi me sukses të madh t'i aplikonte në Francë

Në fabrikën e tij të pastave (makaronave) në Lille të Francës, ku ajrit i vjen era çokollatë, Francis Holder ka të veshur një mantel të bardhë, me emrin e vet të shkruar përpara. Pikturat e vjetra me shekuj mbulojnë muret e zyrës së tij. Aty shihet edhe Jean Valjean nga "Të mjerët". Të gjitha pikturat e tij përmbajnë ndonjë element të pasionit të tij të furrë- tarisë, respektivisht bukës. Njëri mur i zyrës së tij është i bërë nga qelqi, në mënyrë që Holder të mund të shikojë çka po bëhet në Qendrën kërkimore-zhvillimore "Chateau Blanc", degën industriale të Grupit "Holder", konglomeratit privat bankar të cilin ai e themeloi dhe e kontrollon. Plaku 77- vjeçar preferon që t'i kalojë ditët duke shikuar mikserët eksperimentalë të punëtorisë dhe tri tryezat, i shoqëruar nga shefat e gatimit. "Ne jemi industrialistë me mentalitet të zanatlinjve", thotë Holder. Këtu gjendet fabrika "Chateau Blanc" me 9300 metra katrorë, ku tani prodhohet produkti më i kërkuar i kësaj kompanie, biskotat e mbushura. Kjo duket magjepsëse, kur kihet parasysh se, ëndrra fillestare e Holderit, ishte ta kishte një furrë të bukës, me një oxhak tymosës. Që nga ajo kohë, Holder ka punuar për gjashtë dekada duke përkryer kombinimin e industrializimit me të gatuarit artizanal të bukës. I obsesionuar për një kohë të gjatë me përpunimin amerikan industrial të ushqimeve, Holder përqafoi prodhimin në masë, gjë që ndikoi në ngritjen e tij. Por, ai balancon përballueshmërinë dhe shpejtësinë me një qëndrim të dalluar francez rreth përbërësve më të mirë dhe kualitetit të produktit - duke vazhduar me përdorimin e gjalpin e verdhë, të freskët, në prodhimtarinë masive. 

Ka bashkëpunuar me marka të mëdha të njohura të modës

Grupi 'Holder' ka tri filiale: përpos fabrikës në Lille, ekziston edhe qendra parisiane 'Ladurée", që ka 85 dyqane në 50 vende; si dhe, më pas, zinxhiri i gatimeve dhe kafesë, "Paul", me 740 dyqane dhe 43 vende. Të ardhurat vjetore të Grupit "Holder" janë rreth 1 miliard dollarë në vit. "Edhe nëse nesër bëhem dhjetë herë më i pasur sesa që jam tani, kjo nuk do të paraqiste ndonjë ndryshim për mua", thotë Holder, i cili nuk pranon që të tregojë sa është i pasur dhe sa fiton në vit. Në vitin 1993, ai bleu 'Laduree", një restorant parisian të hapur në vitin 1862, i cili edhe shpiku biskotën moderne të mbushur dhe, që nga ajo kohë, ai ka bashkëpunuar me marka të mëdha të njohura të modës, duke filluar nga 'Lanvin', në vitin 2012, e deri te Emilio Pucci, në vitin 2015, por edhe me reperin Pharrell Williams në vitin 2014, duke bërë produkte sipas ideve dhe shijeve të tyre. Por, rreth 60% të shitjeve të Grupit "Holder" vijnë nga makaronat. Holder është përgjegjës për tre shitësit më të mëdhenj të biskotave të mbushura në Francë: 'Ladurée', 'Paul' dhe, paramendoni, "McDonald's". Biskotat e mbushura McCafe të "McDonald's"-it shiten në shumë vende jashtë Francës, duke përfshirë edhe Spanjën, Italinë, Belgjikën dhe Japoninë. Ngritja e Holderit mund të ndahet në tri faza: hapjen e fabrikës së bukës, ndërtimin e brendit 'Paul', e më pas bashkimin e këtyre dyjave, për të sjellë bukën artizanale te masat. Etapa e parë fillon në vitin 1961, kur Holder u kthye nga pjesëmarrja e tij e shkurtër në Luftën e Algjerisë dhe pa se, mënyra sesi blinin njerëzit, kishte ndryshuar shumë. Ishin shfaqur vetëshërbimet, respektivisht zinxhirët e mëdhenj të tyre, "Monoprix" dhe "Auchan". Ai kuptoi se i duhej ta rriste edhe kompaninë e tij, prandaj u zhvendos tri herë, meqë fabrika vazhdonte pa ndërprerë që të rritej. 

Metodat amerikane të përpunimit të ushqimeve

Më pas, gjatë viteve 1970, për shkak të konkurrencës së madhe, vetëshërbimet filluan me lirime (zbritje) të mëdha. Edhe ai filloi me zbritje, deri në 45%. Atij po ashtu i duhej që, në mbrëmje, ta blinte tërë sasinë e bukës së tij që nuk ishte shitur. Kjo ndikoi që ai të mos e zgjeronte më fabrikën. Bile, filloi që zonat e mëdha të fabrikës t'i lëshonte me qira, për parking. Për shkak të konkurrencës nga vetëshërbimet, rreth 25% të furrave të bukës në Francë ishin mbyllur. Më pas erdhën qendrat tregtare. Në vitin 1974 ai u zhvendos në Paris. Në këtë kohë, Holder shkoi në SHBA, ku pëlqeu tej mase metodat amerikane të përpunimit të ushqimeve. Holder ndihmoi në hapjen e një zinxhiri të suksesshëm të furrave dhe kafeneve franceze, "La Madeleine", para se të përjashtohej nga partnerët dhe të kthehej në Francë. Në fund të viteve 1980, 'Paul' kishte 120 dyqane. Përvoja ndikoi që, kësaj here, Holder të ishte më i përgatitur për ndryshime. Holder thotë se kurrë nuk kishte menduar të ikte nga zanati, meqë ka shumë prodhues që tentojnë të prodhojnë sa më shumë, pa u mërzitur për kualitetin. Por, jo edhe ai. Mësimet që i kishte marrë në Amerikë, filloi me sukses të madh t'i aplikonte në Francë, edhe pse një gjë e tillë kërkonte investime të mëdha. 

(Kosova Sot)