Shpërthen skandali i mishit të prishur në Belgjikë, kompania ka eksportuar edhe në Kosovë (Foto)

  • 09 March 2018 - 23:41
Shpërthen skandali i mishit të prishur në Belgjikë, kompania ka eksportuar edhe në Kosovë (Foto)

Një skandal ushqimor ka shpërthyer në Belgjikë të enjten, pasi Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë ka konstatuar se një pjesë e mishit të prodhuar nga kompania “Veviba” në Bastonjë ka qenë e prishur.

Përmes një njoftimi për media, FASFC ka bërë të ditur se ka kontrolluar 200 nga 2000 paleta me mish të kompanisë “Veviba”. Nga këto 200 paleta me mish, përfundimi ka qenë se rreth 70 për qind e mishit të kontrolluar është i dëmshëm.

Agjencia Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor (FASFC) në Belgjikë ka njoftuar se ka kontrolluar të gjitha lokalet e kësaj kompanie në Beligjkë.

Hetuesit kanë gjetur se në disa raste mishi ka qenë me afat të skaduar, dhe se produktit të mishit të ngrirë i janë zëvendësuar etiketat duke ia shtyer datën e skadimit të afateve për 1 vit më shumë, raporton gazeta Le Soir.

Kompania “Veviba” dyshohet se ka ndërruar datat e skadimit të afateve

Ndërkaq, ky mish që është konstatuar të jetë i prishur dhe i dëmshëm, prek edhe Kosovën.

Televizioni RTL Info në Belgjikë raportoi sot se hetimi i kompanisë “Veviba” ka filluar në shtatorin e vitit 2016, nga Kosova. Asokohe një shtetas i Kosovës kishte parlajmëruar autoritetet belge se një kontenjer mish të cilin e kishte importuar nga Belgjika kishte qenë i prishur.

Ndërkaq, Radio Televizioni i Belgjikës (RTBF), në versionin frankofon të saj, ka intervistuar një punonjës të kësaj kompanie, i cili ka rrëfyer se kompania “Veviba” ka eksportuar mish edhe në Kosovë.

 Në kushte anonimiteti, punonjësi i “Veviba”-s tregon se ai vet i kishte zgjatur datat e skadimit të afateve në disa prodhime të mishit, të cilat kanë pasur destinacion Kosovën.

“Unë i kam fshirë datat e vjetra dhe i kam vendosur afate të reja, të cilat i kam zgjatur për një vit më shumë”, rrëfen punonjësi i kompanisë, i cili shprehet se në kompaninë “Veviba” në Bastonjë të Belgjikës, ka munguar higjena.

Në Belgjikë shumë produkte të mishit nga kompania “Veviba” janë hequr nga tregu, derisa kjo temë është kthyer në fokusin e mediave dhe të shoqërisë atje. FASFC ka bërë të ditur se do ta njoftoi publikun lidhur me të tjera veprime që kanë të bëjnë me skandalin e mishit të prishur.

Image

 

(Kosova Sot)