Thaçi masakron buxhetin e qytetarëve PËR LIBRIN E TIJ

  • 12 March 2018 - 07:46
Thaçi masakron buxhetin e qytetarëve PËR LIBRIN E TIJ

PA IU DHIMBSUR FARE DJERSA DHE MUNDI I QYTETARIT, PRESIDENTI POROSIT LIBËR PËR TË GLORIFIKUAR VETEN E TIJ

Kelmendi: Po të kishim institucione të pavarura e profesioniste, do të duhej të nisej hetimi

"Hashim Thaçi urgjentisht dhe pa menduar fare do të duhej të jepte dorëheqjen, t´i kërkojë falje popullit dhe të ngrihet aktakuzë për vjedhjen e djersës së popullit, pra të taksapaguesve. Po ky asnjërën nuk e bën. Përse, e para, është i pabesë, rrenacak, dhe atë rrenacak i pakripë që nuk e besojnë më as naivët. Ta zëmë, kur thotë se nuk ka lidhje me këtë libër, si mund të shkruash biografi për mua, pa biseduar me mua? Kush e financoi atë libër dhe një mijë e një pyetje të tjera. Hashim Thaçi, për të shpëtuar lëkurën e tij, e ka bërë këtë propagandë, të organizuar nga banditët që i ka rrotull", theksoi analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot"

Zbulimi skandaloz nga ana e avokatit britanik, Geoffrey Nice, të vërtetën skandaloze të gjoja "biografisë" së Hashim Thaçit, i cili si zakonisht kishte gënjyer e gënjen se nuk ka lidhje me atë libër, e në realitet për atë libër me plot gënjeshtra ka paguar miliona euro nga buxheti i taksapaguesve kosovarë, ka nxitur reagime të ashpra si në spektrin politik, deputetë të Kuvendit të Kosovës, po ashtu edhe tek analistët e pavarur. Tanimë rreth kësaj çështje nuk ka shumë dilema e të panjohura, ngase në shkresën që avokati Nice i ka nisur Qeverisë së Kosovës ai e tregon edhe një histori skandaloze në të cilën është i përfshirë personalisht i skandalizuari, presidenti Thaçi dhe ekipi i tij, ku del në pah e vërteta edhe për librin kinse biografik të Thaçit, ku shihet se atë presidenti aktual e ka porositur dhe paguar me shumë para të popullit, derisa Petrit Selimi, atëbotë zëvendësministër i Jashtëm, me porosi të shefit të tij, e kishte kontaktuar Sir Geoffrey'n për të punuar me Qeverinë e Kosovës, më saktësisht për vetë Thaçin, që ishte figura kryesore e akuzuar nga Marty për trafikim organesh. Mirëpo Hashim Thaçi i kishte mbetur borxh avokatit të mirënjohur nga Britania e Madhe dhe për këtë arsye ish-prokurori i Tribunalit të Hagës duket mjaft i mllefosur nga mënyra se si e kanë injoruar atë institucionet e kapura të Kosovës, ndonëse, ai thotë, i kanë mbetur borxh edhe mbi gjysmë milioni euro. Për disa vjet, avokati anglez rrëfehet në këtë shkresë se ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit (auto) biografik të presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin "Shteti i ri - burrështetas modern". Nice vazhdon të rrëfejë në letrën e tij së pasi ishte paguar për një kohë papritmas i janë ndalur pagesat nga Qeveria, duke i mbetur borxh gjysmë milioni euro, të cilat tash po i kërkon. Ai thotë se nëse kjo pagesë nuk do të kryhet, sipas marrëveshjes, ai do të flasë publikisht në media për një gjë të tillë. Nga ky komunikim nuk dihet se sa i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës kontrata e Thaçit me dy juristët, megjithatë në të dhënat që i dërgon Nice Qeverisë, prej nëntorit të vitit 2015 deri në fund të korrikut të vitit 2016, duhej t'i paguheshin Nice-it 327,445.86 euro, ndërsa Tromp-it 162.975.01 euro. Po ashtu Nice shkruan se ka kontribuar shume në librin autobiografik të Thaçit, për të cilin ai thotë se ka menduar që ishte për Kosovën dhe jo vetëm për Hashim Thaçin! Avokati tregon se kanë përgatitur një material voluminoz sekret për Qeverinë, kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para."Kemi punuar që Qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s'do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale", ka shpjeguar Nice. Edhe pasi pagesat nuk i janë kryer, Nice thotë të ketë vazhduar ta ndihmojë Thaçin, sidomos në pjesën e librit të Thaçit, ku flitet për akuzat rreth trafikimit të organeve."Unë, duke m'u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e porositur te librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës", ka shkruar Nice. Këtë letër avokati Nice ua ka dërguar ekipit te Hashim Thaçit, e që janë: Enver Hoxhaj, Petrit Selimi, Abelard Tahiri, ambasadorit Lirim Greiçevci, Ardian Arifaj dhe Bashmir Xhemaj. Avokati Nice zbulon që sipas marrëveshjes me Qeverinë kishte punuar me persona të tjerë, madje edhe me një nga shkrimtaren e librit biografik për Thaçin, Suzy Jagger, që po ashtu është dashur të paguhej."Për të kryer punën për Qeverinë, sipas marrëveshjes, ne kemi bashkëpunuar me palë të tjera si Alan Donnelly dhe Suzy Jagger dhe gjithashtu Pleurat Halilin", i kishte shkruar avokati presidentit. (Pleurat Halili është pronar i portalit lajmi.net.) Në bazë të këtij letërkëmbimi mësohet se ajo çfarë presidenti Thaçi ka dashur ta paraqesë si një libër biografik të shkruar nga dy gazetarë të huaj, në fakt ka qenë një libër autobiografik, i porositur dhe i paguar nga ai, por me para të popullit! 

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, theksoi se do të duhej analizuar dhe verifikuar si dhe nga u siguruan gjithë ata miliona euro për një libër autobiografik të porositur nga një politikan kontrovers e mashtrues sikur është ai. Sipas saj, presidenti i tanishëm Thaçi porositi libër autobiografik për ta shkruar rrejshëm historinë e tij dhe për të fyer ata që janë më meritorët për vënien e gurthemelit të parë për shtetin e Kosovës."Ky libër na jep për të kuptuar se deri në çfarë forme e ka abuzuar z. Thaçi buxhetin e Republikës së Kosovës, edhe në aspektin etik çfarë sjelljesh ka pasur edhe ka z. Thaçi. Kjo jep shumë për të kuptuar edhe është një moment për të reflektuar, edhe pse ne e kemi dituar të gjithë si shoqëri e Kosovës të gjithë, se si njerëzit e tillë sa janë të gatshëm për të bërë apo abuzuar për vendin kur shkojnë deri në pakufi, deri në këtë shkallë, për të ndarë buxhet për interesin e vet, nga taksapaguesit e varfër të këtij vendi, për ta shkruar rrejshëm historinë e vet dhe ndodh në atë histori për t'i fyer të tjerët, personalitetet më të nderuara e me të respektuara dhe vlerësuara përjetë- sisht nga populli i këtij vendi", theksoi deputetja Gaxherri për "Kosova Sot". Ajo thotë se në grupin parlamentar të LDK-së akoma nuk është biseduar veçanërisht rreth kësaj teme, por beson që nëse arrihet të sigurohen fakte që flasin pa asnjë mëdyshje që është abuzuar me buxhetin e shtetit rreth këtij libri, atëherë nuk përjashtohet mundësia që edhe të mbështetet ndonjë nismë parlamentare për debat ose interpelancë të qeverisë aktuale, e cila duhet ta thotë fjalën e vet."Duhet për të diskutuar dhe shikuar që së paku njerëzit të mësohen të japin llogari para qytetarëve të këtij vendi. Pra, do të shikojmë ta shqyrtojmë këtë çështje edhe në grupin parlamentar dhe të shohim çfarë mund të veprojmë në këtë drejtim", theksoi deputetja Gaxherri për "Kosova Sot".

"Aty po shohim mjaft argumente relevante të bërjes së këtij skandali që e zbuloi avokati britanik Geoffrey Nice. E zbuloi lakuriq të vërtetën skandaloze të gjoja "biografisë" së Hashim Thaçit, i cili si zakonisht gënjen se nuk ka lidhje me atë libër, e në realitet për atë libër me plot gënjeshtra ka paguar miliona euro nga buxheti i taksapaguesve kosovarë", theksoi analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot

 

Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, nga Nisma për Kosovën, thotë se për këtë çështje do të kërkohet shumë shpejt edhe një interpelancë e radhës për kryeministrin Haradinaj, i cili duhet ta thotë saktë nëse është e vërtetë që ka një kontratë të kundërligjshme në mes të ish-kryeministrit të atëhershëm Thaçi dhe ekipit të kryesuar nga avokat e Nice për hartimin e librit autobiografik të Hashim Thaçit."Ajo çka mund të them unë është se do të marrë një iniciativë, për ta thirrur në një interpelancë kryeministrin aktual në mënyrë që nëse një abuzim i tillë është bërë në emrin e Qeverisë të bëhet publike kontrata se kush e ka nënshkruar atë, me çfarë të drejte e ka nënshkruar dhe sa është dëmtuar buxheti i Kosovës. Nëse është bërë ajo në emrin e tij privat, personal (lexo Hashim Thaçit), nëse ai ka paguar prej buxhetit të vet dhe të vëllezërve të tij, nuk kemi të bëjmë asgjë me këtë punë dhe nuk më intereson, por nëse është bërë nga buxheti i taksapaguesve do të kërkoj përgjegjësi nga qeveria aktuale. Edhe nëse është bërë në mandatin e kaluar, qeveria aktuale e ka për obligim që t'ia dorëzojë lëndën Prokurorisë dhe ne nuk mund të vazhdojmë me këtë logjikë që çdo njeri t'i ikë përgjegjësisë, sepse çdo qeveri e re, e cila po vjen, po i mbulon martinat e qeverisë së kaluar", theksoi Zeka për "Kosova Sot". Reagime të ashpra vijnë edhe nga analistët politikë. Analisti Reshat Badallajt theksoi për "Kosova Sot" se pikërisht nga ky dhe fakte të tjera me shumë të drejtë e ka thënë edhe ambasadori amerikan në Tiranë se ka dëgjuar që populli shqiptar është besnik, por nuk ka parë në botë më të pabesë se politikanët shqiptarë."Pra, Hashim Thaçi urgjentisht dhe pa menduar fare do të duhej të japë dorëheqjen, t´i kërkojë falje popullit dhe të ngrihet aktakuzë për vjedhjen e djersës së popullit, pra të taksapaguesve. Po ky asnjërën nuk e bën. Përse, e para, është i pabesë, rrenacak, dhe atë rrenacak i pakripë që nuk e besojnë më as naivët. Ta zëmë, kur thotë se nuk ka lidhje me këtë libër, si mund të shkruash biografi për mua pa biseduar me mua? Kush e financoi atë libër dhe një mijë e një pyetje të tjera. Hashim Thaçi, për të shpëtuar lëkurën e tij, e ka bërë këtë propagandë, të organizuar nga banditët që i ka rrotull. Selimi, ju ndoshta nuk e dini se ai është edhe këlysh i Ivica Daçiqit, bile del në 'syret' me të dhe jo vetëm ai vetë, por merr edhe djalin e tij, që ta kenë kujtim", u shpreh Badallaj. Tutje ai ka shtuar:"Këta tinëzarë banditë, hajna, vagabondë dhe matrapazë, që kanë marrë pjesë në këtë dallavere jo vetëm që të japin dorëheqje, por urgjentisht të burgosen banditët që vodhën popullin. Thuhet e flitet se Hashimi i Brojes i ka mbetur borxh edhe 500.000 euro, pra kush e di se sa paska kushtuar, gjë që akoma nuk është marrë vesh, nuk duhet lejuar që borxhi i kësaj bande banditësh të mos marrin asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit dhe në qoftë se nuk lejohet, atëherë do të dalin të palarat në sipërfaqe dhe të shohim se a ka pasur dijeni për këtë libër-pamflet", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". Sipas Badallajt, abuzimi në këtë rast duhet të zbërthehet duke e dërguar rastin edhe në prokurori e gjykatë."S´do mend se kjo është vepër penale dhe duhet përgjigjur sepse është punë tjetër në qoftë se libri do të botohej me parat vetanake të tij, nga rroga e tij, apo e gruas së tij, por kur ky boton libër që kushton miliona dhe vjedh arkën e shtetit,vjedh taksapaguesit, ka bërë vepër të vjedhjes dhe se përpos dorëheqjes do ta priste burgu", theksoi Badallaj.

Reagim të ashpër kundër këtij abuzimi ka edhe veprimtari Ibrahim Kelmendi, i cili thotë se rasti duhet zbardhur deri në fund. "Marionetat nuk kanë karakter fisnik, prandaj paguajnë autorë që t'ua glorifikojnë biografinë. Librin në fjalë nuk e kam lexuar, por meqë qenka libër i bërë me porosi të paguar, sapo të zbulohet e vërteta, do ta ketë ndikimin kundër - të ofrojë edhe një argument më shumë, sa i shpifur paskësh qenë marioneta e kuislingu Hashim Thaçi, edhe më i shpifur se sa e kam demaskuar e diskredituar gjatë shumë viteve. Fatkeqësisht! Po të kishim institucione të pavarura e profesioniste, do të duhej të nisej hetimi për të zbuluar sa mjete të buxhetit të Kosovës janë shpërdoruar për egomaninë e Hashim e Thaçit. Uroj gazetarët investigues të bëjnë hulumtime që të zbulojnë përmasat e këtij lloj shpërdorimi - për të paketuar peshkven për pekmez", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Analisti politik Bislim Aliu theksoi se presidenti Hashim Thaçi shpeshherë në deklaratat e veta nuk është bindës dhe as serioz në atë që thotë dhe kështu një të pavërtetë të tij tani e zbuloi edhe avokati britanik, Geoffrey Nice, e zbuloi të vërtetën skandaloze të 'biografisë" së Hashim Thaçit, i cili kishte gënjyer se ai nuk ka lidhje me atë libër biografik, e në realitet për atë libër me plot gënjeshtra ka paguar miliona euro nga buxheti i taksapaguesve kosovarë."Në shkresën që avokati Nice i ka dërguar Qeverisë së Kosovës e tregon edhe një histori skandaloze, në të cilën është i përfshirë z. Thaçi dhe ekipi i tij, ku del në pah e vërteta për librin biografik, ku shihet se presidenti e ka porositur dhe ka paguar shumë para të popullit! Në këtë kurdisje të porosisë së këtij libri i ka ndihmuar edhe Petrit Selimi, atëherë zëvendësministër i Jashtëm, i cili kishte kontaktuar Sir Geoffrey ta botojë këtë libër, meqë z. Thaçi ishte figura kryesore e akuzuar nga Marty për trafikim organesh. Kjo ka ndodhur do vite më parë, ku një pjesë e parave iu është paguar avokatit britanik nga Qeveria, e tani sipas marrëveshjes avokatit i kanë mbetur borxh edhe gjysmë milioni euro, të cilat avokati po i kërkon. Dhe, nëse kjo marrëveshje nuk kryhet sa më parë, sipas marrëveshjes, ai do të flasë publikisht në media për një gjë të tillë", theksoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot".

"Ky është abuzim i rëndë i parasë së popullit, që bëri z. Thaçi për botimin e këtij libri autobiografik, është abuzim mu siç kishte bërë dikur edhe Enver Hoxha në Shqipëri dhe ka për qëllim ta nxjerrë veten si një De Gol apo Çurçill i Kosovës, duke harxhuar miliona euro, vetëm e vetëm për ta promovuar veten për nevoja të tij personale, para vendimit të Gjykatës Speciale, në pritje se a do të jetë ai pjesë e të akuzuarve apo jo", theksoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Analisti politik Ali Hertica, sado që është kritik për angazhimin dhe shfrytëzimin e kundërligjshëm e jotransparent të buxhetit të shtetit, kur është bërë kontrata, nga ishkryeministri Thaçi, ai po aq kritik dhe i zhgënjyer është edhe me vetë përfshirjen në këtë skandal të avokatit Nice, i cili vetëm tash kujtohet të flet e të ankohet në emër të ligjit e transparencës."Avokati Nice u mor me një biografi, e cila as që di se ku fillon dhe ku mbaron realiteti, por sot faktor kyç për të gjitha matrapazllëqet janë paratë. Por, mjerisht dhe falë Zotit që letra nuk ka gojë të tregojë se çka fshihet tutje pas asaj që shkruhet. Mirëpo jo vetëm Thaçi, por e gjithë elita politika janë duke e masakruar buxhetin e shtetit në njërën apo formën tjetër nga dëshira e tyre dhe egoja personale, pa iu dhimbsur fare djersa dhe mundi i qytetarit. Për biografinë e Thaçit duhet të dalin të flasin e shkruajnë bashkëpunëtorët e tij, ata të japin vlerësimin e jo një servil siç është Petrit Selimi, i stërshitur për qëllime karrieriste. Tani të angazhohet e të shkrua biografinë e një personaliteti, një avokat, do të thotë një injorim total, kur dihet se çfarë roli luan avokati, del diçka shumë joserioze, sepse avokati nuk është gjë tjetër veçse një marionetë, i cili shet veten për para edhe kur e shkel ligjin dhe etikën e drejtësisë, duke provuar për ta ndryshuar të gjithë rastin dhe devijuar të vërtetën", theksoi Hertica për "Kosova Sot". Llogaridhënie nga presidenti Thaçi kërkon për këtë çështje që ka dalë në opinionin publik edhe analisti Ragip Guraziu."Është skandaloze dhe e çuditshme se si i mundet Hashim Thaçi, një figurë publike, e cila pretendon se ka merita të mëdha në proceset e shtetndërtimit dhe të shtetthemelimit,tani të dalë e të vjedhë paratë e popullit vetëm sa për të porositur libër personal autobiografik, me shifra astronomike të kostos së tij, për disa miliona euro vetëm për të promovuar veten si De Goli apo Çurçilli i Kosovës! Tani është koha që me këtë temë të merren seriozisht të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës, Qeveria e Parlamenti, faktet janë sepse mjafton një letër, e cila po përmendet dhe po citohet nëpër media e adresuar nga avokati Nice, të cilën ua ka dërguar përgjegjësve përkatës të kontraktimit të librit, e në rend të parë ekipit të Hashim Thaçit, e që janë: Enver Hoxhaj, Petrit Selimi, Abelard Tahiri, ambasadorit Lirim Greiçevci, Ardian Arifaj dhe Bashmir Xhemaj", u shpreh ai. Gazeta i ka dërguar pyetje edhe Presidencës së Kosovës lidhur me këtë çështje, por nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës.

 

(Kosova Sot)