Beteja kundër korrupsionit, kriteri që dështoi

  • 13 March 2018 - 08:04
Beteja kundër korrupsionit, kriteri që dështoi

SISTEMI I DEGRADUAR I DREJTËSISË MBAN PENG LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Politika i ka inkriminuar edhe gjykatat dhe prokuroritë

"Kosovës i duhet urgjentisht një Gjykatë Speciale vendore, e pavarur nga pushteti, vetëm për luftimin dhe gjykimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha format dhe nivelet e pushtetit, për t'ua 'prishur' gjumin gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët flenë rehat mbi dosjet e krimit të lartë, duke bashkëjetuar komod dhe në paqe me politikanët e lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar", theksoi Zeqa për "Kosova Sot" 

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së të drejtës, duke parë ngathtësinë dhe mungesën e vullnetit të institucioneve të drejtë- sisë, por edhe të politikës që t'i thonë stop krimit edhe korrupsionit në vend, theksojnë se nuk ka shans të plotësohet kriteri i fundit dhe më i kërkuari për liberalizimin ë vizave, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si kusht final, me këtë klasë politike dhe me këtë klasë të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Ata theksojnë se duke parë këtë gjendje lirisht mund të theksohet se Kosova është bërë dhe po vazhdon të identifikohet akoma më shumë, si një oazë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pikërisht falë 'drejtësisë' së inkriminuar , që sheh vetëm xhepin e vet, e nuk bën punën sipas respektit e detyrimit të ligjit. Zgjidhja fatlume për ta çrrënjosur këtë kancer të shtetit të Kosovës do të ishte urgjentisht një Gjykate Speciale vendore ndaras, vetëm për luftimin e gjykimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha format e tij të njohura të veprimit kriminal! Kjo do të duhej të ishte e tillë pasi që gjyqtarët dhe prokurorët duan të jenë detyrimisht 'mirë, komod dhe në paqe' me politikanët e lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar, prandaj edhe flirtojnë gjithnjë me politikën sipas stilit: t'i më bën një favor e unë ta kthej me një tjetër favor për ty! Derisa është kështu një lidhje kaq e familjarizuar kriminale as që mund të ketë drejtësi për qytetarët, për sa kohë ky sistem është i kapur nga politika e pushteti i inkriminuar dhe mafio-oligarkia kriminale e vendit! 

Reforma një mashtrim

"Nëse Gjykata Speciale nuk zgjedh dhe kap disa 'peshq të mëdhenj' të shtetit të Kosovës, shteti nuk mund ta luftojë në këtë gjendje në asnjë variant korrupsionin, kriminalitetin politik dhe rrjetet e shumta kriminale që veprojnë në emër të individëve të partive politike", tha Blerim Burjani për 'Kosova Sot'

Një gjykim të tillë e ka njohësi i kësaj fushe, Blerim Burjani, i cili thotë së drejtësia ka defektin kryesor që nuk është e pavarur. Madje ai e sheh të kotë edhe angazhimin e PDK-së për reforma në drejtësi. "Politika është një instrument për të kontrolluar këtë sektor, është e kotë ideja politike e ardhur edhe nga PDK-ja për rishikim të sektori të rendit dhe ligjit, ministri i kësaj partie po bëhet i hutuar pse drejtësia është e kapur, e ka harruar se shefi i tij dhe shumë shefa të këtij subjekti politik e kontrollojnë këtë sektor, askush nuk është dënuar nga ky subjekt me vendim të formës së prerë. Pra, kjo është e vërteta e këtij sektori, e këtij pushteti të kapur. Prandaj për asnjë grimë nuk jam optimist se do të ketë rend dhe ligj në Kosovë dhe se do të luftohet korrupsioni prej korrupcionistëve të cilët e kanë bërë rrush e kumbulla shtetin, sepse në këtë shtet nuk ka as nuk zhvillohet hetimi i pavarur", u shpreh ai."Kemi përplot analfabetë të cilët qeverinë dhe shtetin e kanë bërë sikur të ishte "video game", pra e kanë shndërruar shtetin në karikaturë", potencoi Burjani për "Kosova Sot".

"Rastet që po gjykohen të gjitha e kanë një vendim 'lirohen nga aktakuza, i shikoi buzëqeshjet e gjyqtarëve (nuk po fshehin) derisa i lexojnë vendimet e tyre, po i zbatojnë vendimet e politikës, të gjithë të lumtur. Qytetari i vendit është në depresion të thellë dhe për çdo ditë po bombardohemi nga gjyqësori vetëm me sloganin "hetimet vazhdojnë... Rasti po hetohet. Pra, kemi kryesisht aktgjykime liruese, mbrojtje në liri"", tha Hasan Preteni për 'Kosova Sot' 

Sipas ishkreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, Hasan Preteni, shteti është në falimentim e sipër, sepse asnjë hallkë në zinxhirin e gjatë institucional nuk funksionon. "Prandaj është fare pak e pritshme që të kemi rezultate pozitive në sundimin e ligjit, që është kriteri i fundit dhe kryesor i vënë nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Të gjithë jemi dëshmitarë se si shumë ndërmarrje publikë po falimentojnë për çdo ditë, greva në arsim, greva në paralajmërim gati në të gjitha institucionet tjera. Kemi krizë morale. Prokuroria Speciale kinse në grevë, në vitin 2017 e përmbyllën me 8 aktakuza kurse këtë vit kërkojnë kompensime dhe paga shtesë, kinse për punën që po e bëjnë. Për çfarë punë po flasim...Viteve të kaluara kanë ndodhur edhe disa arrestime, por këtë vit dhe vitin e kaluar asnjë", theksoi Preteni për "Kosova Sot".

Zbatimi i ligjit në pikën zëro

"Pa luftimin e këtij mentaliteti sa primitiv, po aq kriminal të qeverisjes së vendit dhe për sa kohë sistemi i drejtësisë të jetë i kapur nga politika e pushtetit të inkriminuar dhe mafio-oligarkisë kriminale, jo vetëm se nuk do të ketë drejtësi, liberalizimi i vizave do të mbetet iluzion i pambarim për qytetarët e getoizuar të Kosovës", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Analisti Florim Zeqa po ashtu pohon se bazuar në kriterin themelor për liberalizimin e vizave, gjegjësisht luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar si kusht final për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, atëherë lirisht mund të themi se gjasat për liberalizim nuk ekzistojnë fare me këtë klasë politike sa të korruptuar po aq të inkriminuar dhe me klasën e prokurorëve dhe gjyqtarëve të shantazhuar dhe zënë peng nga oligarkët e tej inkriminuar politikë dhe ekonomikë. "Gënjeshtrës së politikanëve për kontrabandimin e territorit kosovar gjoja për kalimin e Demarkacionit me Malin e Zi në këmbim të liberalizimit të vizave, më nuk i beson askush nga opinioni vendor, me përjashtim të miopëve politikë dhe vartësve të këtij pushteti sa antipopullor, aq edhe antikombëtar", u shpreh ai. "Para së gjithash, Kosovës i duhet urgjentisht një Gjykatë Specialë vendore, e pavarur nga pushteti vetëm për luftimin e gjykimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha format dhe nivelet e pushtetit, për t'ua "prishur" gjumin gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët flenë rehat mbi dosjet e krimit të lartë, duke bashkëjetuar komod dhe në paqe me politikanët ë lidhur më korrupsionin dhe krimin e organizuar, prandaj edhe flirtojnë gjithnjë me politikën sipas stilit: "ti më bën një favor e unë ta kthej me një tjetër favor për ty"!", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". 

Eksperti tjetër i sundimit të ligjit, Naim Miftari, thotë se po të kishte vullnet klasa e tanishme e prokurorëve dhe gjykatësve, e mbështetur nga politika, krimi dhe korrupsioni, do të ishin në nivelin më simbolik të mundshëm si prani në shtetin tonë, sepse ka mjaft ligje që e mundësojnë veprimin në luftim dhe parandalim. "Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është kushti kryesor i Bashkimit Evropian, por kjo klasë politike po mendon se me raste të imta ose me rastin e Azem Sylës me u fut në Bashkimin Evropian. Po të zhvillohej si duhet lufta kundër korrupsionit, po të zbatohej si duhet politika, do pastrohej brenda 2 vitesh në maksimum edhe drejtësia edhe politika, por këta politikanë tanë ku shumica janë të korruptuar dhe derisa këta janë në pushtet, sado që sjellin ligje të reja rezultati do jetë prapë i njëjti. Vetëm një Veting serioz, një ligj anti-mafia, sidomos kundër krerëve të politikanëve të korruptuar vendos rendin e ligjin. Mirëpo pa presionin amerikan nuk bëhet një ligj i tillë, pasi s'ka kush tjetër forcë diplomatike për t'i rregulluar gjërat pos amerikanët, edhe ata vetëm nëse heqin dorë nga miqësia me disa politikanë tanë që janë të inkriminuar në krim të organizuar, sepse ata janë vetë problemi i kapjes së shtetit dhe pjesë e korrupsionit te ne", tha Miftari për "Kosova Sot". 

Larg përmbushjes së detyrave

Ndërsa analisti Skënder Kapiti po ashtu thotë se BE-ja për të pranuar në gjirin e vet edhe shtete të tjera ka disa kushte dhe kritere, të cilat duhet të përmbushen dhe të cilat quhen vlera dhe standarde moderne shtet-formuese. "Këto vlera e standarde Shqipërisë dhe Kosovës u vihen nga BE edhe si "detyra shtëpie", të cilat ato duhet t'i kryejnë dhe këto detyra janë: ndërtimi dhe funksionimi i shtetit demokratik-ligjor dhe lufta efikase kundër krimit dhe korrupsionit. Kosova është tepër larg përmbushjes së këtyre detyrave të shtëpisë dhe jo vetëm se është larg, por është e fundit në Evropë dhe në rajon për sundimin e ligjit dhe të luftës kundër korrupsionit", tha Kapiti për 'Kosova Sot'. Sipas tij, politika dhe politikanët kosovarë ata vetë nuk janë të kushtëzuar dhe as të penalizuar nga BE-ja, pasi ata vetë lëvizin lirisht nëpër Evropë, por prej krimit, korrupsionit dhe prej papërgjegjshmërisë së tyre po e pësojnë dhe po vuajnë të penalizuar padrejtësisht qytetarët e Republikës së Kosovës. Për të pasur rezultat në këtë proces Kapiti thotë se duhet të ndodhë e kundërta, që BE t'ua ndalojë hyrjen në BE politikanëve, pushtetarëve dhe gjyqtarëve të korruptuar të Kosovës, 'peshqve të mëdhenj' të krimit dhe të korrupsionit dhe jo t'i pranojë e t'i respektojë ata.

(Kosova Sot)