Specialja nxjerr jashtë loje 'peshqit e mëdhenj'

  • 16 March 2018 - 07:51
Specialja nxjerr jashtë loje 'peshqit e mëdhenj'

EFEKTI POLITIK I GJYKATËS PËR KRIME LUFTE

Aktakuzat e para nuk do të vonojnë shumë

Tashmë dihet se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar listën e avokatëve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave. Listat përmbajnë emrat e 40 juristëve që janë pranuar në Listat e Mbrojtësve, në mesin e tyre 15 shqiptarë. Ndërkaq, sipas analistëve dhe avokatëve, së shpejti pritet të dalin edhe aktakuzat e para të Gjykatës Speciale. Mirëpo mbetet një mister se a do të merret kjo Gjykatë edhe me "peshqit e mëdhenj", siç i quante EULEX-i pushtetarët e nivelit të lartë, apo do të blihen edhe këta gjyqtarë të speciales nga nëntoka kriminale bashkë me pushtetarët. Jo të gjithë avokatët janë të gatshëm të flasin. Avokati Hasan Rexha tha për "Kosova Sot" se nuk është në dijeni për çështjet që i shtron gazeta. Por, avokati Skënder Musa tha për gazetën "Kosova Sot" se në Gjykatën Speciale mund të jenë objekt i akuzave të gjithë qytetarët e Kosovës dhe njerëzit, pa marrë parasysh pozitën e tyre që ata i mbajnë aktualisht në Kosovë."Në bazë të mandatit që e ka kjo gjykatë, ajo do të gjykojë rastet nga vitet 1998- 2000 dhe të cilat kanë ndodhur në Kosovë si vepra penale", u shpreh ai. 

Askush nuk ka imunitet

Sipas Musës, për krimet që kanë ndodhur në periudhën derisa kjo gjykatë e ka mandatin, e veçanërisht ato që janë përfshirë në Raportin e Dik Martit pritet që të ketë hetime dhe nëse ka prova të tilla dhe dyshime të bazuara edhe mund të ketë ngritje të aktakuzave të caktuara. "Pavarësisht se çfarë pozite e kanë individi apo pushtetarët dhe çfarë pozitash kanë ata zyrtarë dhe që tashmë në opinion njihen me emrat 'peshq të mëdhenj' apo 'peshq të vegjël', asnjëra prej këtyre kategorive dhe zyrtarëve dhe pushtetarëve nuk do të kenë asnjë lloj imuniteti nga ana e kësaj gjykate dhe të njëjtit do të gjykohen sikurse që janë gjykuar kryesit e veprave penale kundër njerëzimit në rastet e gjyqeve ndërkombëtare që kanë qenë për ish-Jugosllavinë, por edhe për Gjermaninë dhe Japoninë që si raste të veprave penale kundër njerëzimit janë gjykuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore", u shpreh ai. "Para Gjykatës Ndërkombëtare nuk ka askush ndonjë imunitet edhe në qoftë se kanë pasur ndonjë pozitë të lartë në shtet e gjithashtu nuk përjashtohet se do të ketë ngritje aktakuza as për ministra e as për kryeministra, e as për presidentin e shtetit", potencoi avokati Musa.

Presion përmes listave

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, analisti Jeton Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" tha se publikimi i listave të avokatëve është një presion shtesë ndaj të akuzuarve të mundshëm dhe secili i akuzuar i mundshëm e di vetveten se a do të jetë i akuzuar nga Gjykata Speciale. "Jam shumë skeptik se Gjykata Speciale, duke pasur një përvojë të keqe me gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it, por edhe të gjykatave vendore, sepse siç dihet kulmi i turpit të gjunjëzimit të drejtësisë ishte lirimi që të mbrohet në liri i mafiozit Azem Syla me bandën e tij, ku gjykata vendore porsa e mori lëndën kohë më parë nga EULEX-i e mori vendimin e saj që Azem Syla të mbrohet në liri", potencoi ai."Unë mendoj se kjo është një turpërim i drejtësisë vendore dhe si pasojë e gjykimeve të tilla edhe ka ardhur deri te themelimi i Gjykatës Speciale, por jam skeptik edhe për rezultatet e Gjykatës Speciale, sepse parapolitika tashmë veç e ka krijuar edhe mafinë politike dhe të gjithë mekanizmat përcjellës për ta blerë secilën gjykatë të mundshme, qoftë vendore apo ndërkombëtare, prandaj edhe kjo gjykatë sigurisht se me gjykimet e saj do t'ua marrë disa miliona euro para këtyre hajdutëve që i kanë vjedhur nga djersa e popullit të Kosovës", ka thënë Kelmendi."E mira e vetme që e pres nga Gjykata Speciale është mënjanimi për një kohë të caktuar i "peshqve të mëdhenj' nga politika kosovare. Kjo sepse edhe mund të ndodhë që këta 'peshq të mëdhenj' nuk do të dënohen nga Gjykata Speciale, por në qoftë se do të t'i akuzojë ata", ka thënë Jeton Kelmendi.

Së shpejti nisin procedurat e para gjyqësore

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, juristi Blerim Burjani, tha për "Kosova Sot" se Gjykata Speciale i ka bërë hapat përfundimtarë në fillimin e ngritjes së aktakuzave, ngase përgatitjet teknike tashmë janë të përmbyllura, andaj tash është koha kur duhet që të fillojë procesi i ngritjes së aktakuzave të para."Kjo procedurë do të fillojë shumë shpejt, ndërkohë që pritet se procese dhe persona të shumtë të jenë objekt të trajtimit të lëndëve të kësaj gjykate", potencoi ai. Sipas Burjanit, pritet që rreth 153 persona të jenë të përfshirë në lista e kësaj gjykate, një pjesë e të cilëve do të jenë në cilësi të të akuzuarve dhe pjesa tjetër do të jenë në cilësi të tjera. "Andaj, e them lirshëm se Kosova shumë shpejt mund të ballafaqohet me telashe dhe me një panik të disa njerëzve, të cilët do të merren nga kjo gjykatë, qoftë si të akuzuar, si dëshmitarë, apo në cilësi të tjera", vlerësoi ai për "Kosova Sot". "Gjykata Speciale, me vetë faktin e stërzgjatjes së veprimtarisë së saj konsideroj se nuk mund të bartë mesazh të drejtë dhe të besueshëm. Gjykata Speciale ka qenë e nevojshme që tash të jetë në fazën e dytë të operacionalizimit të saj, në mënyrë që aktiviteti kriminal i zbatuar prej disa figurave të ndërpritej", ka thënë analisti Burjani. Mirëpo ai thotë se kjo aktualisht s'po bëhet. 

(Kosova Sot)