Aliu: Në Kosovë hapur ekziston mafia politike

  • 17 March 2018 - 19:17
Aliu: Në Kosovë hapur ekziston mafia politike

Edhe analisti politik Bislim Aliu thotë se, pavarësisht faktit që në politikën kosovare për gati 20 vjet pas luftës kanë ndodhur shumë pakënaqësi e parregullsi, nga më të ndryshmet, nga askush nuk është ofruar dorëheqja si vlerë e lartë morale e njerëzore e njeriut, por vazhdimisht ekziston vetëm inkriminimi i thellë në krim të organizuar."Ky inkriminim i pandalshëm jo vetë që u shtua te individët, por besa edhe te të gjitha partitë, pa dallim pozitë e opozitë. Kurse në Sllovaki reagimi i fuqishëm publik, pas vrasjes së një gazetari, i cili hetonte raste mashtrimi të biznesmenëve, e detyruan kryeministrin e këtij vendi të japë dorëheqje. Pra, ai e ndjeu një lloj fajësie dhe si moral ndërgjegjeje ofroi dorëheqjen, kurse këtu te ne sa fajet, vrasjet e zhvatjet e shumta që janë bërë, e asnjërit nuk i shkoi ndërmend që të ofrojë dorëheqjen", u shpreh ai. "Për pushtetarët tanë asnjëherë nuk ekziston dorëheqja. Edhe pse në Kosovë hapur ekziston mafia politike, zhvatet buxheti e duke vjedhur qytetarët, varfëria e lartë dhe papunësia rekorde, më kot asnjëri nuk e ndien fajësinë, as morale, as njerëzore dhe as juridike, që të japin dorëheqje", potencoi Aliu për "Kosova Sot".