Nga zjarri në stallë digjen pesë lopë, pronari akuzon zjarrfikësit për intervenim të vonuar

  • 17 March 2018 - 21:45
Nga zjarri në stallë digjen pesë lopë, pronari akuzon zjarrfikësit për intervenim të vonuar

Flakët përfshinë stallën në të cilën Qëndrim Zeqiraj nga komuna e Ferizajt mbante 10 krerë lopë. Prej tyre arriti t’i shpëtonte vetëm pesë por edhe ato mbetën me shumë plagë. Ai thotë se sikur zjarrëfikësit të arrinin në kohë do të kishte mundësi të shpëtonte më shumë bagëti. Në total sipas Zeqirajt dëmi arrin në 20 mijë euro.

Në mesditën e së premtes, stalla e Qëndrim Zeqirajt të fshatit Saraishtë të Komunës së Ferizajt u përfshi nga flakët.

Nga 10 bagëti sa kishte, vetëm 5 prej tyre arriti t’i shpëtonte, por të cilat flakët kishin arritur t’i preknin duke u shkaktuar plagë, raporton KTV.

Ndërsa pesë të tjera kishin ngordhur.

Vlera e dëmit sipas Zeqirajt, arrin shumën e 20 mijë eurove.

Zeqiraj thotë se nuk dyshon që incidenti të ketë ndodhur nga energjia elektrike apo nga ndonjë person i dyshuar.

Në fikjen e zjarrit atij i kishin ndihmuar edhe bashkëfshatarët.

Por Zeqiraj thotë se do të arrinte të shpëtonte më shumë bagëti nëse zjarrfikësit do të intervenonin me kohë.

Ai thotë se familjen prej nëntë anëtarëve e ka mbajtur nga të ardhurat që i ka siguruar përmes produkteve të bagëtisë.

Në Policinë Rajonale të Ferizajt thonë se deri më tash nuk kanë arritur të gjejnë shkakun.

Zeqiraj pret që Komuna t’i dalë në ndihmë përmes ndonjë subvencioni.

(Kosova Sot)