Drejtësia, njolla më E MADHE E SHTETIT

  • 18 March 2018 - 07:58
Drejtësia, njolla më E MADHE E SHTETIT

GJENDJE E PASHPRESË NË GJYKATA E PROKURORI

Kapiti: Menaxherët e kësaj zallamahie antiligjore, korruptive, kriminale dhe antishtetërore, janë politika, drejtësia dhe biznesi i pisët pranë tyre, por pa harruar as mediet mercenare

"Fatkeqësisht këtë e pamë edhe me rastet e fundit, të cilat u bartën në gjyqësorin kosovar nga rastet e EULEX-it dhe se sa shpejt i lanë këto raste të mbrohen në liri, apo i shpallën raste të pafajshme, në mungesë provash. Fatkeqësisht, nuk ka as vullnet e as guxim nga gjykatat të merren me këto raste", potencoi Ariana Qosaj-Mustafa për "Kosova Sot" 

Ekspertët e së drejtës dhe analistët politikë vazhdojnë ta vlerësojnë fushën e sundimit të ligjit si pikën më të dobët të qeverisjes në Kosovë dhe njëherësh sfidën më të madhe për konsolidimin e plotë të shtetësisë. Kjo për faktin se, sipas tyre, prokurorët që duhet të jenë në krye të hetimeve nuk janë aty ku e si duhet, kjo nuk ndodh në Kosovë, po ashtu edhe policia nuk i jep përgjegjësi prokurorisë dhe ekziston një vakum në komunikimin mes tyre. Gjithashtu, analistët konsiderojnë dhe vlerësojnë se edhe gjykatat i hedhin poshtë aktakuzat e prokurorive dhe kësisoj nuk ka sundim të mirëfilltë të ligjit në Kosovë. Kjo bën që realisht, sipas analistëve, kanceri më i madh i shtetit dhe shoqërisë së re kosovare të jetë prania e korrupsionit dhe krimit të organizuar të metastazuar brenda vetë sistemit të drejtësisë të lidhur me mafio- politikën dhe korporatokracinë kriminale. Sipas tyre, gjendja vjen e bëhet çdo ditë më alarmante, pasi që drejtësia kosovare po funksionon edhe përmes sekseromanisë e ndërmjetësimit të trafikanteëe, ku përmes sekserëve po merren paratë e korrupsionit që pastaj shpërndahen të gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, ekspertët gjyqësorë, avokatët etj.

Dominon korporatokracia

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu thotë se këtë fakt po e konstaton dhe denoncon vazhdimisht edhe faktori ndërkombëtar, kurse po heshtet nga faktori vendor. "Ashtu sikur një individi disa organe i funksionojnë më mirë apo dobët, ashtu edhe në shoqëri disa segmente funksionojnë më mirë apo më dobët. Është vlerësim i gjithë faktorëve ndërkombëtarë që nga Kai Aide, që pjesa më jofunksionale e shoqërisë kosovare është pikërisht gjyqësia. Ajo çfarë është tmerruese është fakti që opinionit publik e medieve kjo nuk i bënë përshtypje. P.sh. kur ndodhi vlerësimi i PISA-s apo përjashtimi nga EQAR pati sado-kudo një reagim, por sa i përket drejtësisë vlerësimet më negative vijnë nga komuniteti ndërkombëtar, por reagimi i shoqërisë kosovare është heshtja", tha Spahiu për "Kosova Sot".

Image

 

ZEQA: SISTEMI I DREJTËSISË ËSHTË SHNDËRRUAR NË BASTION TË KRIMIT TË ORGANIZUAR, KU NË VEND TË GJYKIMIT MBROHEN MAFIO-OLIGARKËT

Një gjykim të tillë kaq negativ e ka edhe analisti Florim Zeqa. "Drejtësia kosovare nuk është duke funksionuar në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjeve në fuqi, por përmes sekseromanisë e ndërmjetësimit te trafikanteve. Si gjithnjë rolin e sekserëve e luajnë avokatët dhe militantët partiakë, të cilët paratë e korrupsionit i shpërndajnë tek gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, ekspertët gjyqësorë etj.", u shpreh ai."Edhe pse kanë kaluar 10 vjet nga krijimi i shtetit, sundimi i ligjit ka mbetur pika më e dobët e qeverisjes në Kosovë dhe sfida më e madhe për konsolidimin e plotë të shtetësisë së Kosovës. Në vend që prokurorët të jenë në krye të hetimeve, rolin e tyre e marrin sekserët dhe trafikantët e drejtësisë. Për shkakun se policia nuk i jep përgjegjësi prokurorisë është krijuar vakum ligjor në vendimmarrje dhe komunikimin mes tyre. Në anën tjetër, gjykatat i hedhin poshtë aktakuzat e prokurorive dhe kësisoj në vend të sundimit të ligjit, mbisundon anarkia në Kosovë", vijoi më tutje Zeqa."Sistemi i drejtësisë është shndërruar në bastion të krimit të organizuar, ku në vend të gjykimit, mbrohen mafiopolitikanët e korruptuar dhe mafio-oligarkët e tej inkriminuar. Prokuroria speciale (PSRK), edhe pse është formuar për luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, e financuar nga taksat e qytetarëve përmes buxhetit të shtetit, ku prokurorët marrin rroga të majme nuk e kryejnë punën e saj shkaku i lidhjeve që kanë me mafio-politikën dhe korporatokracinë kriminale", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Kapitullimi i sistemit

Drejtësinë kosovare e sheh jofunksionale sa duhet edhe Ariana Qosaj-Mustafa, drejtore e programeve në KIPRED. "Mendoj se hallkë shumë e dobët në krijimin e një shteti funksional në Kosovë vazhdon të mbetet gjyqësori", u shpreh ajo."Fatkeqësisht këtë e pame edhe me rastet e fundit, të cilat u bartën në gjyqësorin kosovar nga rastet e EULEX-it dhe se sa shpejt i lanë këto raste të mbrohen në liri apo i shpallen raste të pafajshme në mungesë provash. Fatkeqësisht nuk ka as vullnet e as guxim nga gjykatat të merren me këto raste", potencoi Qosaj Mustafa për "Kosova Sot".

"Mbetet që me procesin e rishikimit funksional të drejtësisë urgjentisht të adresohet edhe mungesa e çfarëdo rezultati në këtë drejtim nga gjykatat. Shpresojmë se ky proces do të jetë transparent dhe do të ketë ekspert adekuat të fushave e jo të dominohet nga persona të skemave ekzistuese me rezultate minimale", tha Ariana Qosaj-Mustafa për "Kosova Sot"

Dritë në fund të tunelit për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në prokurori e gjykata, tash për tash nuk po sheh as analisti Blerim Burjani."Rendi dhe ligji janë pika më e dobët dhe me problematike, e që bartës të ndikimeve në këtë sektor janë partitë politike dhe njerëzit e tyre, të cilët në forma të ndryshme ndikojnë negativisht. Ministria e Drejtësisë po dëshiron të merret me analiza rishikuese të funksionimit të gjyqësisë, e që nuk i dihet fundi përveç hapjes së debatit, por pa treguar se si do të vjen fundi dhe cilat janë masat që mund të merren për përmirësimin e këtij sektori", theksoi ai.

"Kjo iniciativë që po merret tani është vetëm sa për të bërë diçka, e mos me ndodh ajo që duhet të ndodhë domosdoshmërish, e që duhet të jetë pavarësimi i plotë i prokurorisë dhe gjyqësorit, profesionalizmi i plotë dhe ngritja në nivelin e përgjegjësisë në standardet evropiane", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot"

"Kjo politikë e kësaj ministrie nuk e ka për qëllim largimin e ndikimit politik në këtë sistem, e vërteta është se nuk mund të ndryshojë kjo gjendje", u shpreh Burjani. "Sa i përket çështjes profesionale, KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të udhëheqin çfarëdo reforme në drejtësi, por vetëm pa njerëz të politikës, pa u ndikuar nga një kryeministër e president, apo ndonjë zyrtar politik, të cilët vazhdimisht po akuzohen për ndikime në drejtësi", vijoi më tej ai.

Image

 

KAPITI: DREJTËSIA E KORRUPTUAR NË ALEANCË KRIMINALE DHE KORRUPTIVE ME MAFIO-OLIGARKINË POLITIKE

Analisti Skënder Kapiti thotë se sistemi i drejtësisë kur kriminalizohet dhe korruptohet ai paralizohet dhe nuk funksionon organikisht në zbatim të ligjit. Sipas tij, korrupsioni dhe krimi politik, ai i gjyqësorit dhe i pushteteve, i këput hallkat funksionale jo vetëm ndërmjet tyre, por madje edhe brendapërbrenda politikes, qeverisjes dhe gjyqësorit."Kjo do të thotë se jo vetëm hallka e drejtësisë, pra gjyqësori, është pika dhe hallka më e dobët për shtetin e Kosovës, por prej kësaj hallke të dobët e të ndryshkur nga krimi dhe matrapazllëku me ligjin të tilla hallka të dobëta dhe të kriminalizuara e të korruptuara janë bërë edhe hallka parlamentare dhe ajo e qeverisë, pra politika dhe tërë sistemi. Drejtësia e korruptuar në aleancë kriminale dhe korruptive me mafiooligarkinë politike dhe të pushtetit qendror dhe të atij lokal përbejnë atë të cilën tashme 'KOSOVA SOT' e ka etiketuar prej kohesh me të drejtë si 'Korporatokracia' e korrupsionit dhe e krimit, si korporatokraci e sistemit", vlerësoi Kapiti. "Ky sistem drejtësie e ka ligjëruar faktikisht si lubrifikant të lëvizjes dhe të funksionimit të shtetit dhe të shoqërisë kleptokracinë, pra hajninë, si dhe korrupsioni dhe paranë", u shpreh ai për "Kosova Sot". "Menaxherët e kësaj zallamahie antiligjore, korruptive, kriminale dhe antishtetërore janë politika, qeverisje, drejtësia dhe biznesi i pisët pranë tyre, por pa harruar as mediet mercenare dhe të ndotura edhe ato. Amoraliteti i tyre nuk njeh kufi, pasi edhe paguhen nga taksapaguesit, por edhe i vjedhin, i grabisin dhe i 'gjobisin' ata, grabisin paranë publike, e keqpërdorin shtetin dhe autoritetin e pushtetit dhe të shtetit", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)