Politika merr hisen e kulaçit nga mafia e derivateve

  • 18 March 2018 - 08:08
Politika merr hisen e kulaçit nga mafia e derivateve

Sektori i karburanteve, jashtë kontrollit shtetëror 

Vetë deputetë të pushtetit e konfirmojnë situatën e rëndë 

Përfaqësues të Shoqatës së Naftëtarëve dhe njohës të kësaj fushe kërkojnë që sa më shpejt, MTI-ja dhe Qeveria e Kosovës t'i japin fund abuzimeve me derivatet jocilësore të naftës, për të shkak të të cilave po shkatërrohen çdo ditë veturat dhe automjetet e qytetarëve, por edhe buxheti. Ata me te drejtë po e shfaqin frikën e tyre se a do të vazhdojë avazi i vjetër i tolerimeve të nëntokës që kontrollon tregun e naftës dhe derivateve të naftës, të cilët sillen ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve sikur të mos kishte shtet fare. Deri kur nëntoka dhe mafia do ta kontrollojnë çdo sektor fitimprurës në ekonominë kosovare dhe pse të gjitha qeveritë e deritanishme u bënë aleate me nëntokën dhe asnjëra deri me sot nuk denjoi që t'i luftojë parregullsitë në këtë sektor dhe jo vetëm? -pyesin analistët e ekonomisë. Në përgjigjen e dhënë nga Zyra e medieve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në pyetjen për temën që po e trajton gazeta, përkatësisht se përse nuk po u jepet fund abuzimeve me derivatet jocilë- sore të naftës, për " Kosova Sot", thuhet se më herët është deleguar kompetenca për kontrollin e naftës në Doganat e Kosovës. "Tash Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka iniciuar kthimin e kompetencave. Kështu që momentalisht Doganat e Kosovës flasim më me kompetencë për pyetjen tuaj", thuhet në përgjigjen e MTI-së. 

Shteti, përgjegjës për kontrollin e cilësisë

Ndërsa deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Gani Dreshaj (AAK), lidhur me temën që trajtohet , për gazetën " Kosova Sot ", tha se jemi keq edhe me ambientin, sepse nuk po punohet të bëhet një zgjidhje e ruajtjes së ambientit që është edhe kusht i BEsë. "Fatkeqësisht, për këtë situatë fajtorë janë njerëzit e pasur të këtij sektori të biznesit që me importet e tyre të derivateve jocilësore po e shkatërrojnë ambientin. Kjo, ngase në Kosovë importohen derivate shumë të dobëta, kryesisht nga Shqipëria", potencoi ai.

"Fajtorë për këtë gjendje në sektorin e importit të derivateve janë mafia e derivateve të naftës, dhe thënë troç është krim i organizuar me derivate. Në shumicën e kompanive njerëzit nga politika e kanë hisen e vet të biznesit dhe kulaçit", vlerëson Gani Dreshaj për "Kosova Sot"

"Fajtorë për këtë gjendje në sektorin e importit të derivateve janë mafia e derivateve të naftës dhe thënë troç është krim i organizuar me derivate. Në shumicën e kompanive njerëzit nga politika e kanë hisen e vet të biznesit dhe kulaçit", vlerëson Dreshaj. "Kjo mund të ndërpritet vetëm po qe se gjarpri, pra që është mafia e derivateve, goditet në krye. Dhe, këtë çështje shumë herë e kam biseduar edhe me z. Ramush Haradinaj. Ngase, neve si shoqëri, në saje të derivateve jocilësore, po na kushton me miliona euro humbje", ka thënë më tej ai.

"Paraprakisht duhet që të ndërtohet Rafineria e Përpunimit të Derivateve të Naftës, sepse jemi vendi i vetëm në rajon pa rafineri të tille", tha Gani Dreshaj për "Kosova Sot" 

"Cilësinë e derivateve të naftës duhet që ta kontrollojë shteti dhe se vetëm shteti, përkatësisht kompanitë e shtetit duhet që të bëjnë importimin e derivateve të naftës e më pas kjo sasi e importuar duhet që t'u shitet bizneseve private", ka theksuar Dreshaj. 

Image

Asnjë masë, pas akuzave ndaj Doganës

Analisti i ekonomisë Lulzim Beqiri, tha për " Kosova Sot ", se qytetarët e Kosovës ende nuk janë siguruar për cilësinë e derivateve që i përdorin për makinat e tyre për të shkak të të cilave po shkatërrohen çdo ditë edhe makinat e tyre, dhe ende nuk ka një vendim të paktën publik lidhur me hapat e ndërmarrë nga ana e Ministrisë së Tregtisë, dhe mekanizmave të tjerë adekuatë. "Gjithashtu, ende nuk ka hapa pas akuzave se Dogana fik kamerat e sigurisë, kur është në pyetje nafta dhe deklarimi i cilësisë, thjesht në Kosovë po ka vetëm akuza dhe pa ndonjë epilog,Thuajse veç deklarata për të treguar se janë të interesuar të rregullojnë diçka e në realitet asgjë nuk është duke shkuar ashtu siç duhet", u shpreh ai. "Personalisht, u ka bërë thirrje që edhe një herë të nisin hetimet për akuzat që po bëhen çdo ditë nga foltorja e Kuvendit, nuk ka nevojë për diçka tjetër Prokuroria tashmë është, ka qenë dashur për të intervistuar ata që po pretendojnë se ka derivate jocilësore dhe kontrabandë përmes Doganës, thjesht mos të mbesin vetëm deklarata, nga ajo çka hasim në terren shpesh gjen derivate jocilësore dhe shpesh në medie janë raportuar për jocilësi dhe mashtrim me litra", vlerësoi Beqiri.

Zhvatja biznesore, në kurriz të qytetarëve

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj tha për "Kosova Sot", se që nga pas lufta makinat kanë djegur derivatet jocilësore, përkundër çmimeve më të larta në rajon dhe një gjë e tillë vazhdon. "Të gjitha këto abuzime janë si rezultat që qeveritë që nga pas lufta janë të kapura nga këto grupe të interesit që furnizojnë me derivate, sepse njëherësh janë sponzorizuesit e fushatave elektorale të partive politike, kështu që qeveritë që nga pas lufta i kanë mbyllur sytë para këtyre bizneseve që çdo dite e dëmtojnë biznesin dhe qytetarin e Kosovës me çmime të larta dhe derivate aspak cilësore, që edhe garazhet e servisimit të veturave për çdo prishje si fajtor kryesor i japin derivatet jocilësore", u shpreh ai.

"Këto biznese nuk do të ndalen, sepse edhe kjo Qeveri, si gjithë qeveritë e tjera, është e kapur ose prapa këtyre bizneseve qëndrojnë njerëzit e pushtetit dhe këto derivate jocilësore", tha Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot"

"Pra, këto biznese fitojnë në kurriz të qytetarit, së pari me çmime shumë të larta në krahasim me rajonin dhe njëherësh derivate jocilësore që normal blerja dhe importi është më i leverdishëm", tha Kadriaj.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për " Kosova Sot", tha se fatkeqësisht derivatet jocilësore shumë herë i kanë dëmtuar veturat të prodhuara jashtë vendit dhe me motor origjinal, ku motori nuk e pranon naftën jocilësore. "Kjo po ndodh për shkak se nëntoka e ka marrë nën-kontroll Doganën e Kosovës dhe Agjencinë që merret me kontrollimin e kamionëve të derivateve që hyjnë në Kosovë", u shpreh ai. Sipas Grapcit, mafia do të vazhdojë këtë avaz, derisa dikush nga jashtë apo brenda Kosovës nuk e merr përgjegjësinë për ndalimin dhe luftimin e mafio-oligarkëve, të cilët po bëjnë biznes dhe po merren me korrupsion.

Image

 

Kampionë në rajon për cilësi të dobët Ish-deputeti

Xhevdet Neziraj, për " Kosova Sot", tha se në vendin tonë që nga pas lufta cilësia e derivateve të naftës ka qenë me e dobëta në rajon për arsye se kanë dështuar mekanizmat që është dashur të bëjnë kontrollin ndaj këtij produkti. "Nuk është e rastësishme se në territorin e Republikës së Kosovës për kilometër katror më së shumti kemi pompa të derivateve të naftës arsye është se investimi kthehet shpejt, madje cilësia është shumë e dobët kontrolli i MTI-së fare nuk ekziston, ndërsa nëpër pompa ka edhe vjedhje të konsumatorit në sasi të derivateve, ngase edhe sot mbi 50 për qind të pompave janë të pafiskalizuara, prandaj përfitimi në këtë lëmi në mënyrë kriminale është më i organizuari në Republikën tonë të pavarur", tha ai. "Edhe pse pati premtime të mëdha nga Qeveria e Mustafës dhe ministres së MTI - së, se do të luftohet korrupsioni edhe në këtë lëmi shumë profitabile nuk kanë bërë asgjë konkrete, përveç fjalëve dhe retorikës boshe, asnjë veprim konkret nuk është bërë, përkundrazi vetëm ka lulëzuar ky biznes, i cili është duke i plaçkitur qytetarët e vendit dhe duke iu shkaktuar dëme në automjetet e tyre", vlerësoi Neziraj.

"Besoj se më tepër ka pompa të derivateve në Kosovë me 2 milionë qytetarë sesa Gjermania që ka 82 milionë banorë, por këto mbijetojnë vetëm në saje të keqpërdorimeve që i bëjnë, si në cilësi ashtu edhe në sasi. Qeveria e z.Haradinaj e ka për obligim që në këtë fushë të ketë rregulla strikte dhe t'i mbrojë qytetarët", tha Xhevdet Neziraj për "Kosova Sot"

"Shumë qytetar kanë pësuar dëme në automjetet e tyre, për shkak të cilësisë së dobët të derivateve të naftës dhe nuk ke ku të ankohesh, sepse njerëzit që merren me këtë biznes janë të fuqishëm, ngase janë të lidhur drejtpërdrejt me ata mekanizma që duhet edhe të bëjnë këtë kontroll të derivateve të naftës", shpjegoi ai. Sipas Nezirajt, po të ndodhte një kontroll e rreptë ndaj pompave të derivateve të naftës, pra të vepronin inspektorët e MTI - së, inspektorët e ATK - së dhe mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorit, mbi 90 për qind të pompave do të ishin mbyllur dhe këto biznese do të kishin falimentuar. 

(Kosova Sot)