Sveçla kritikon Shpend Ahmetin, ia përmend edhe kalimin e Donika Kadajt-Bujupi në AAK!

  • 19 March 2018 - 15:40
Sveçla kritikon Shpend Ahmetin, ia përmend edhe kalimin e Donika Kadajt-Bujupi në AAK!

Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla ka drejtuar një mori akuzash ndaj deputetëve që braktisën Vetëvendosjen dhe krijuan Grupin e Deputetëve të Pavarur (GDP). Me theks të veçantë, Sveçla ka hedhur kritika për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili po ashtu së fundi u largua nga kjo parti.

Sveçla ka thënë se Ahmeti duhet të deklarohet lidhur me largimin e deputetes Donika Kadaj-Bujupi nga Vetëvendosje, dhe kthimin e saj në AAK.

“Përgjatë krejt zhvillimeve të fundit politike, Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) dhe Shpend Ahmeti, të ikurit nga Lëvizja, nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim publik për kalimin e Donika Kadajt fillimisht dhe informalisht nga Lëvizja te pjesëtarët e këtij grupi, e pastaj formalisht për rikthimin e saj në AAK. Çudi? As Shpend Ahmeti, i cili ka tregu gjenirozitet duke i dhënë AAK-së drejtoritë me buxhetin më të madh në Komunën e Prishtinës, nuk mbajti qëndrim për këtë rikthim të Donika Kadajt në AAK”, ka shkruar Sveçla, në një publikim të bërë në rrjetin social Facebook.

Deputeti i Vetëvendosjes, i pozicionuar në krahun e kryetarit Albin Kurti, ka shprehur dyshimet e tij se kjo mungesë e deklarimit nga GDP dhe Ahmeti lidhur me largimin e Kadaj-Bujupit, është një fakt një miratim në heshtje për kthimin e saj në partinë e Ramush Haradinajt.

“A është kjo mungesë deklarimi nga ana e GDP-së dhe Shpend Ahmetit edhe miratim në heshtje për këtë rikthim të Donika Kadajt në AAK, pikërisht tani kur Demarkacioni është në pyetje? Deri dje, Shpend Ahmeti pretendonte se nuk ishte vetëm kryetar i kryeqytetit, por edhe qytetar me qëndrime politike për çështje të rëndësishme që prekin zhvillimet politike në vend. Me këtë heshtje të tij, a po thotë Shpend Ahmeti se nuk është më qytetar me qendrime politike? Apo se nuk është fare i befasuar me këtë lëvizje të Donika Kadajt”, shkroi deputeti i VV-së.

Sveçla në fund ka pyetur nëse Ahmeti dhe GDP pajtohen me urimin e deputetit Dardan Sejdiu për Kadaj-Bujupin.

Xhelal Sveçla ka qenë drejtor i inspektoratit në komunën e Prishtinës në mandatin e parë të Shpend Ahmetit në kryeqytet.

(Kosova Sot)