Kapiti:Sistemi politiko-juridik në Kosovë ka dështuar, sepse shteti është kapur nga krimi

  • 19 March 2018 - 18:36
Kapiti:Sistemi politiko-juridik në Kosovë ka dështuar, sepse shteti është kapur nga krimi

Sipas analistit Skënder Kapiti, sistemi politiko-juridik në Kosovë ka dështuar, sepse shteti është kapur nga krimi dhe nga korrupsioni i pushteteve dhe i pushtetarëve politik dhe kur kapet shteti atëherë është kapur dhe privatizuar prej pushteteve dhe prej politikanëve edhe drejtësia. Ai thotë se nuk mundet që kjo drejtësi dhe madje as Gjykata Speciale ta fusë sistemin politiko-juridik në Kosovë në binarët e ligjit, të drejtësisë dhe të demokracisë, pa një ligj VETTING-u. Ky ligj sipas tij duhet të iniciohet nga vetë kryeministri Haradinaj, por që aktualisht sipas tij ka shumë sfida e probleme të grumbulluara para vetes nga mandatet e kaluara vazhdimisht të keqqeverisura në të gjitha fushat. "Këtë e bën vetëm një Ligj VETTING-u si ky në Shqipëri. Por problemi është se kush do ta bëjë të mundur miratimin e një Ligji për Reformimin e Drejtësisë në Kosovë? Këtë në demokraci e bën politika. Nga aktorët politikë dhe nga personalitetet për një nismë të tillë aktualisht më i merituari, më i besueshmi dhe më seriozi është kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj. Unë këtë opinion e kam nxjerrë edhe nga informacionet dhe analizat serioze të opinionistëve dhe të analistëve potentë, të vërtetë dhe të guximshëm intelektualisht e profesionalisht, kryesisht që shkruajnë në gazetën më të madhe gjithëkombëtare "KOSOVA SOT", të cilët i bëjnë skanimin si politikës ashtu edhe drejtësisë në Kosovë", është shprehu ai. Kapiti thotë se është fakt që sot si problemi më madhor që ka Kosova është problemi i drejtësisë, pasi drejtësia ka funksionuar në të gjithë këto vite që nga çlirimin i Kosovës si një sistem i korruptuar dhe si drejtësi politike."Me këta politikanë prandaj nuk kryhet reformimi i sistemit të drejtësisë, sepse reformimi dhe VETTING-u i drejtësisë do ta pastronte edhe politikën", u shpreh Kapiti për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)