Grapci:Me këtë diskriminim, bizneset e vogla dhe të mesme deri në vitin 2020-2022 nuk do të ekzistojnë fare

  • 19 March 2018 - 18:39
Grapci:Me këtë diskriminim, bizneset e vogla dhe të mesme deri në vitin 2020-2022 nuk do të ekzistojnë fare

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" theksoi se po u vazhdua me këto politika diskriminuese ka frikën se bizneset e vogla dhe të mesme deri në vitin 2020-2022 nuk do të ekzistojnë fare. "Arsyeja është për shkak se shumë biznese të vogla dhe të mesme, tani po hapen nëpër qendrat tregtare dhe kjo do jetë sikurse që veprohet në vendet e BE-së, që nëpër qendrat tregtare të futet çdo lloj biznesi, duke ia filluar nga marketet e deri tek dyqanet për teknikë dhe ujësjellës", është shprehur ai. Ai tutje ka shtuar: "E keqja është se këtu në Kosovë nuk po lejohet as ky opsion që të ndodhë dhe të përparojnë ndërmarrjet e vogla e të mesme, duke e ditur e prapa këtyre Qendrave tregtare janë mafio-politikanët në bashkëpunim me mafio-oligarkët, të cilët përmes mënyrave ilegale po mundohen t'i fusin produktet e tyre dhe njerëzit e tyre në këto qendra për të hapur dyqane të ndryshme duke mos iu dhënë shans bizneseve të vogla e të mesme të qytetarëve, të cilët i kanë bizneset e tyre me dekada". Sipas Grapcit, Qeveria e Kosovës, por edhe Kuvendet Komunale të çdo qyteti duhet që sa më shpejt të krijojnë politika të tilla të ndihmës financiare ndaj bizneseve të vogla e të mesme, por edhe ligje të tilla kundër mafiozëve dhe mos t'u lejohet që të diskrimonojnë bizneset e vogla që punësojnë familjarët e tyre, por duke ofruar kushte të barabarta të bërjes së biznesit pa monopole dhe oligopole që po e fundosin ekonominë. "Prokuroria e Shtetit në asnjë mënyrë nuk duhet të heshtë kundër këtyre mafio-oligarkëve, por duhet t'i luftojë me çdo kusht, në mënyrë që qytetarët të marrin frymë lirshëm nga aspekti i punës dhe ekonomisë", është shprehur ai.

(Kosova Sot)