Hoxha thotë se Kosova po i kryen detyrat drejt BE'së

  • 19 March 2018 - 19:35
Hoxha thotë se Kosova po i kryen detyrat drejt BE'së

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot në takim, Drejtorin e Njësisë D3 për Kosovën, në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme për Negocimin e zgjerimit dhe të Zgjerimit të Komisionit Evropian, David Cullen.

Hoxha e Cullen diskutuan për të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës, me konkretisht avancimin e zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformave (ERA), bën të ditur një njoftim nga MIE.

Ministrja Hoxha, vuri në dukje përparimin dhe sfidat e procesit integrues, në veçanti, detyrave që dalin nga MSA-ja, Agjenda Evropiane e Reformave (ERA) si dhe sfidat e këtij procesi. 

“Ne, me përgjegjësi maksimale jemi të fokusuar në realizimin e detyrave tona që dalin nga MSA-ja, ERA në veçanti, zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit. Me programin qeveritar, jemi vënë në zbatim të reformave që kërkohen si pjesë e ERA dhe MSA, por edhe ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë, ngritjen e prodhimit vendor, fuqizimin e konkurrueshmërisë së kompanive vendore, avancimin e arsimit, shëndetësisë po ashtu edhe në fushat tjera të vlerësuara me prioritet”, citohet të ketë thënë Hoxha.

"Z. Cullen falënderoi Ministren Hoxha për pritjen dhe shprehu mirënjohje, lidhur me angazhimin e shtuar të institucioneve të Kosovës për procesin integrues dhe agjendës evropiane", thuhet në njoftimin e MIE.

"Gjithashtu, z. Cullen, shprehu gatishmërinë e Komisionit Evropian për mbështetjen e mëtejme në format e ndryshme, të domosdoshme në procesin e implementimit të MSA-së dhe ERA-s, në veçanti sa i përket sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, luftimit të krimit dhe korrupsionit, mbështetjes së konkurrencës dhe investimeve në arsim, punësim si dhe ngritjen e efikasitetit institucional", thekson njoftimi.

(Kosova Sot)