Istogu:Bizneset e vogla dhe të mesme janë nën presionin e monopolit të bizneseve të mëdha

  • 19 March 2018 - 21:05
Istogu:Bizneset e vogla dhe të mesme janë nën presionin e monopolit të bizneseve të mëdha

Eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, për "Kosova Sot" theksoi se fatkeqësisht është e vërtetë se bizneset e vogla dhe të mesme janë nën presioni e monopolit të bizneseve të mëdha, të cilat në të shumtën e rasteve flenë në një shtrat me politikën. "Meqë ky presion po rritet gjithnjë e më shumë, duke e bërë të pamundur qasjen e të vegjëlve në treg. Andaj, kjo detyrimisht po qon në shuarjen e biznesit të vogël dhe në tkurrjen drastike të bizneseve të mesme ose futjen nën ombrellën e oligarkëve", është shprehur ai. Istogu thekson se kjo nuk është e keqja më e madhe dhe shton se duke pasur këtë qasje, trendi i të bërit biznes është gjithnjë më i pafavorshëm për investime nga jashtë, pasi për të investuar në resurset tona të shumta, duhet të kalohet nëpër shtegun e oligarkëve të ushqyer nga politika. Ai shton se për të kuptuar këtë, mjafton të shikosh trendin e investimeve të huaja që është në rënie për çdo vit. "Kosova ka krijuar një bazë ligjore, e cila në shumë raste lë hapësirë të madhe interpretimi, kjo i mundëson zyrtarëve të shtetit që "nën mbështetjen e ligjit" krijojnë barriera që i sjellin bizneset para aktit ose paguaj ose prite afatet ligjore, të cilat afate në disa fusha mund të stërzgjaten deri në pafundësi", është shprehur ai. Istogu thotë se teknikisht vonesat e tilla për licenca e mbysin biznesin."Prokuroria dhe gjyqësia në përgjithësi duket se është e sinkronizuar me këtë rreth vicioz. Më e keqja është se ka përpjekje të ngritën standarde të tilla për të legjitimuar veprimet e të paprekshmëve -oligarkisë kosovare", është shprehur ai. 

(Kosova Sot)