Shpërthejnë akuzat kundër presidentit Thaçi, e quajnë mediokër dhe të pabesë

  • 19 March 2018 - 07:44
Shpërthejnë akuzat kundër presidentit Thaçi, e quajnë mediokër dhe të pabesë

DEPUTETËT DHE ANALISTËT AKUZOJNË PRESIDENTIN SE PËRMES LIBRIT "BIOGRAFIK" PO SYNON TË KRIJOJË RREJSHËM IMAZHIN E NJERIUT TË SUKSESSHËM

Salihu: Ky libër vjen edhe nga frika e tij prej Gjykatës Speciale

"Libri i Hashim Thaçit, që e ka porositur tek autorët e huaj, u ngjan librave që i kanë porositur diktatorët e huaj. Është Hashim Thaçi njeriu që më shumë ka fituar në krah të të tjerëve dhe falë dinakërisë dhe pabesisë së tij, duke i prerë në besë bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë, sesa që ka fituar në saje të aftësive dhe veprës së tij", është shprehur analisti Ilir Fetahu për gazetën "Kosova Sot" 

Deputetë të spektrit politik nga pozita dhe opozita, por edhe analistë politikë, kritikojnë abuzimet e presidentit Hashim Thaçi për librin e tij biografik që është botuar me paratë e popullit të Kosovës. Ata vlerësojnë se botimi i këtij libri ka qenë vetëm një tendencë e qartë e z. Thaçi, që të krijojë një imazh të rrejshëm si një president i suksesshëm. Ata vlerësojnë se Parlamenti i Kosovës duhet që ta krijojë një komision hetimor ad-hok, i cili do të vlerësonte se si po keqpërdoren paratë e buxhetit në emër të lobimit kinse të Kosovës, ndërkaq që bëhet fjalë vetëm për Hashim Thaçin. Ndryshe në Shqipëri doli një aferë mjaft e madhe e PD-së, kurse situata të ngjashme janë përdorur edhe në Kosovë, ku miliona euro nuk dihet se si janë shfrytëzuar, kinse në emër të lobimit për vendin.

Hoti: Sjellja e tillë e presidentit Thaçi me buxhetin nuk përbën risi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma), për" "Kosova Sot" theksoi se ky është një keqpërdorim i radhës nga pozita shtetërore e presidentit dhe nuk ka këtu diçka risi. "Mua nuk më befasojnë veprimet e tilla të individit apo zyrtarëve tanë shtetërorë që vazhdimisht po i shfrytëzojnë pozitat shtetërore për interesa të ngushta familjare dhe qëllime të veta", është shprehur ai. Sipas tij, një veprim i tillë i Hashim Thaçit gjithsesi se është i papranueshëm, por megjithatë në asnjë mënyrë askush nuk duhet të befasohet nga veprimet e tilla të presidentit Hashim Thaçi, që ka vepruar në këtë formë, pra duke e bërë botimin e librit me paratë e buxhetit", është shprehur Hoti. Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu, për "Kosova Sot" theksoi se për të lartësuar veten Thaçi po përdor edhe sponsorimin e librave."Ky veprim që e bën z Thaçi është tendenca e tij për të krijuar një imazh të rrejshëm si një president i suksesshëm, ndërsa në fakt deri më tash dëmet më të mëdha këtij vendi ia kasjellë pikërisht ai. Që nga lufta e këtej të gjitha marrëveshjet me Serbinë asnjë nuk janë implementuar. Ky libër vjen edhe nga frika e tij prej Gjykatës Speciale, ngase përmes këtij libri z. Hashim Thaçi po mundohet që ta paraqesë veten si njëri nga personazhet kryesore të politikës Ballkanike për paqe, mirëpo në fakt z. Hashim Thaçi është njëri nga kapot në rrjetin e grupeve mafioze në Ballkan dhe me këtë rast më së shumti ka pësuar Kosova", është shprehur ai. Sipas Salihut, presidenti Thaçi po mundohet që edhe përmes këtij libri, por edhe veprimeve të tjera që t'i shpëtojë Gjykatës Speciale, përfshirë këtu edhe përpjekjet e tija për demarkacionin me Malin e Zi. 

KELMENDI: HASHIM THAÇI, MARIONETË E SERBISË DHE FRANCËS PËR INFORMIM E KOMPLOTIM TË UÇK-SË

Analisti politik Ibrahim Kelmendi theksoi për "Kosova Sot" se nëse ky libër propagandistik është bërë me porosi dhe është paguar me mjete të buxhetit të Kosovës, atëherë nuk është vetëm shpërdorim, por kriminalitet! "Parlamenti fatkeqësisht nuk është Parlament, por po ngjason në bixhozhanie, siç i quanin moti pleqtë lokalet ku luhej bixhozi. Sali Berisha, bile edhe Ahmet Zogu dhe Esat Pasha, janë modele për Hashim Thaçin. Nuk kam informacion nëse librat e Enver Hoxhës janë botuar me mjete të buxhetit të shtetit, ose ato janë financuar nga shitja, meqë ato botoheshin me tirazh të madh dhe shiteshin me çmim të kripur. Sidoqoftë, me dhe pa ngjashmëri, ky libër propagandistik për Hashimin nuk do të duhej të financohet me mjete të buxhetit, edhe pse po të ishim realistë deri në fund, edhe Kosova do të ketë ndonjë përfitim nga ky kriminalitet, meqë ata që e kanë përgatitur, botuar e plasuar në treg këtë (pseudo) biografi për Hashim Thaçin janë njësoj pisa korruptivë, si personazhi i librit, të cilët kanë ndikim të madh në media dhe në vendimmarrje të qeverisë britanike", është shprehur Kelmendi. Sipas Kelmendit, Hashim Thaçi duhet ta ketë pasur të garantuar 'pastërtinë' e tij luftarake, meqë ai ka alibi që e mbron nga çdo lloj akuze për krime të luftës. "Edhe Serbia dhe Franca duhet të kenë ofruar prova për angazhim të Hashimit nga ana e institucioneve ligjore, si marionetë të tyre për informim e komplotim të UÇK-së, të cilën atëherë e diskualifikonin për organizatë terroriste". Ai shton se ky libër është porositur e financuar për të rritur autoritetin e Hashim Thaçit, për t'i bërë komplotet e radhës kundër Shtetit të Kosovës, sepse ai tashmë po grabit rolin kryesor në "bisedime" me Serbinë, të cilin deri tani e kishte Qeveria. "Hashim Thaçi nuk kishte asnjëherë kredibilitet, por atë nuk e pengonte dhe nuk e pengon kjo mangësi që të imponohet, dhunti kjo karakteristike e marionetave. Marioneta nuk ka autonomi në vendimmarrje, ajo varët nga eprorët, çka do ta urdhërojnë", është shprehur analisti Ibrahim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot".

HAZIRI: ËSHTË PARADOKSALE SE SI DY GAZETARË BRITANIKË SHKRUAJNË RRETH NJË FIGURE, E CILA ËSHTË FATURA EKSKLUZIVE PËR MOSFUNKSIONIMIN E SHTETIT 

Analisti Arsim Haziri theksoi për "Kosova Sot" se produkti publicistik është i porositur dhe i mbështetur prej vetë presidentit. "Hashim Thaçi pothuajse në çdo funksion publik për sa ishte, ishte mundur gjithnjë për ta përvetësuar. Është paksa paradoksale dhe tejet kontroverse se si dy gazetarë britanikë shkruajnë një botim rreth një figure, e cila sipas të gjitha parametrave e rrethanave ka qenë dhe është fatura ekskluzive për mosfunksionimin e shtetit dhe sundimin e elementeve negative", theksoi Haziri.

MEHMETI: KY LIBËR SHPREH MË SË MIRI NIVELIN E ULËT TË HASHIMIT, I CILI KURRË NUK ARRITI TË DALË PËRTEJ MEDIOKRITETIT

Analisti Faton Mehmeti theksoi për "Kosova Sot" se në vazhdën e përpjekjeve për të lartësuar veten, Thaçi po përdor edhe sponsorizimin e librave për ta lavdëruar veten."Urrejtja patologjike ndaj madhështisë së figurës së presidentit Rugova ka kulmuar me sponzorizimin e librit "Shteti i ri, burrështetasi modern", një biografi e autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger", u shpreh Mehmeti, duke shtuar se në këtë libër lartësohet Thaçi, ndërsa me shpifje mundohet të ulet figura e presidentit Rugova."Duke qenë se Rugova ka qenë dhe do të mbetet figurë historike, ndërsa Thaçi episodike, një gjë e tillë e mundon këtë të fundit, andaj po bën këso lojëra për të munduar të njollosë figurën e presidentit historik. Kjo shpreh më së miri nivelin e ulët të Hashimit, i cili kurrë nuk arriti të dalë përtej mediokritetit. Asgjë nuk mund të njollosë figurën markante të babait të Kosovës, presidentit historik, Ibrahim Rugova", u shpreh ai. "Është e turpshme për një president që sponsorizon libra për të njollosur të tjerët dhe lavdëruar veten.Të qenet inferior ndaj figurës së Ibrahim Rugovës e bren Hashim Thaçin. Librat e këtillë janë të destinuar që të lindin të vdekur! Kështu ka ndodhur gjithmonë me librat e shpifur dhe ne shqiptarët e dimë më së miri se çfarë ka ndodhur fjala vjen me dhjetëra librat e porositur për Enver Hoxhën, Stalinin, Maon, Titon etj.", është shprehur analisti Faton Mehmeti për gazetën "Kosova Sot".

Fetahu: Libri i Thaçit, si ata që porosisnin diktatorët

Analisti politik Ilir Fetahu theksoi për "Kosova Sot" se libri i Hashim Thaçit, që e ka porositur tek autorët e huaj, u ngjan librave që i kanë porositur diktatorët e huaj."Është z. Hashim Thaçi njeriu që më shumë ka fituar në krah të të tjerëve dhe falë dinakërisë dhe pabesisë së tij, duke i prerë në besë bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë, sesa që ka fituar në saje të aftësive dhe veprës së tij", është shprehur ai. Fetahu thotë se kjo vepër e tij e botuar nuk i shërben të mirës së Kosovës dhe është bërë pikërisht vetëm për Hashim Thaçin. "E keqe tjetër është se vepra e tij është bërë me paratë e taksapaguesve kosovarë. Andaj nga ana e Kuvendit duhet që të shihet qartë se kush ka përfituar nga ky libër kush po sulmohet në këtë libër dhe duhet thënë troç se këto gjëra nuk i nevojiten Kosovës", është shprehur ai. 

(Kosova Sot)