Mulliqi: Rinisë po i humb durimi

  • 20 March 2018 - 14:52
Mulliqi: Rinisë po i humb durimi

Analisti Skënder Mulliqi, për ' Kosova Sot", tha se tema e migrimit nga vendet e Ballkanit gjithnjë e më shumë po bëhet temë qendrore edhe në shtetet perëndimore. "Largimet masovike nga vendet e rajonit edhe nga Kosova që neve na intereson po bëhen për shkak se të gjitha pushtetet e deritashme nuk punuam mirë. Ato punuan për t'i arritur objektivat e tyre përfituese", u shpreh ai.

Sipas Mulliqit, kjo paperspektivë e krijuar po rezulton me migrime masovike për në shtetet e ndryshme të Evropës. "Këta të rinj po detyrohen të huazojnë ose të marrin kredi, që t'i sigurojnë shumat e mëdha të parave të nevojshme që ilegalisht të largohen nga Kosova. Një i ri një ditë më thotë: 'Kam paguar 5000 euro për një vizë 'Shengen' të Polonisë, jam duke pritur ta marr dhe do të iki nga Kosova, që zor që do të kthehem ndonjëherë", u shpreh ai. "U bë liberalizimi i vizave e nuk u bë në këtë vit, duket se të rinjve tanë iu ka sosur durimi. Kosova gjithnjë e më shumë po mbetet vetëm me pleq e plaka. Na dëboi krimineli Milosheviq nga vatrat tona shekullore mbi 1 milion, e u kthyen pas luftës në mënyrë mahnitëse duke menduar se do të kenë një jetë shumë më të mirë, por këto më shumë mbeten iluzione", vijoi më tej analisti Skënder Mulliqi. "Pa u ndalur pasurimet ilegale, pa u ndalur korrupsioni e shumë keqpërdorime të tjera, sigurisht se problemi i migrimit të popullatës do të rritet. Temën e largimit nga vendi dhe temën e punësimit nuk po e shqyrton askush nga institucionet relevante që për mua janë tema urgjente", potencoi ai.

(Kosova Sot)