Beqiri: Mosbesim i thellë në radhët e konsumatorëve

  • 20 March 2018 - 14:55
Beqiri: Mosbesim i thellë në radhët e konsumatorëve

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot", tha se Republika e Kosovës, edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës është e varur nga importet e vendeve të BE-së, CEFTA-s dhe vendeve të tjera. "Edhe produktet e mishit, që Kosova importon, kanë ngritur shqetësimin e qytetarëve, ndaj ata pyesin se si ka mundësi të futet mish me afat skadence 12- vjeçare, ku janë institucionet, si ka mundësi që përmes Doganës të hyjë ky virus që po i vret kosovarët ditaditës"?- u shpreh ai.

"Thjesht, nuk ka siguri nga produktet serbe. Këtu lind pyetja sa nacionalistë jemi ne, sa shumë e duam produktin vendor, sa shumë që proklamojmë në rrjetet sociale "Duaje tënden", e në realitet konsumojmë prapë shumë produkte serbe", theksoi Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Sipas tij, në vendet normale demokratike, më e pakta që do të duhej të ndodhte, është rënia e Qeverisë. "Është vërtet shqetësues për mua pushtimi i tregut kosovar nga produktet serbe, duke marrë parasysh që shumë herë ka rezultuar që disa nga ato produkte janë edhe kancerogjene, produkte me afat të skaduar", vlerësoi Beqiri.

(Kosova Sot)