Kapiti:Politizimi i gjykatave dhe prokurorive

  • 20 March 2018 - 18:21
Kapiti:Politizimi i gjykatave dhe prokurorive

Analisti Skënder Kapiti vlerëson se drejtësia në Kosovë është drejtësi politike dhe pa ndarjen e saj nga politika nuk mundë të jetë funksionale dhe profesionale, e aq më pak efikase. "Drejtësia në Kosovë është drejtësi politike, sepse ligji dhe drejtësia nuk kanë guximin dhe as "të drejtën" për të bërë akuza dhe për të vënë para bankës së të akuzuarve individët e profilit të lartë politik, ata që tashmë etiketohen si "peshqit e mëdhenj" të krimit, korrupsionit dhe të hajnisë, pra as edhe kur ata shkelin dhe abuzojnë rëndë me detyrat, postet dhe kur pra keqpërdorin dhe spekulojnë rëndë me to", u shpreh ai. "Kjo ndodh kështu pasi si shtetin ashtu edhe drejtësinë i ka kapur, pronësuar dhe përvetësuar politika dhe kjo vjen pasi është po politika ajo e cila i ka zgjedhur dhe i ka emëruar gjyqtarët e prokurorët në sistemin e drejtësisë sipas preferencës dhe meritokracisë e përkatësisë partiake, pavarësisht se në dukje e në deklarime verbale pretendohet se drejtësia në Kosovë është e depolitizuar. Kjo si dhe fakti se politika injorante dhe e korruptuar edhe përzgjedh gjyqtarët e prokurorët individët e paaftë profesionalisht dhe pa moral e pa personalitet, duke bërë që gjyqtarët dhe prokurorët si të tillë të jenë servilë dhe shërbëtorë të verbër të politikës", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, në këmbim të kësaj edhe vetë gjyqtarët e prokurorët më pastaj kanë fituar të drejtën që të bëjnë çfarë të duan me ligjin dhe drejtësinë, të spekulojnë dhe të matrapazojne me ligjin, ta nxjerrin të drejtën në ankand, ta trajtojnë qytetarin si klient të tyre dhe ta nxjerrin në pazar ligjin duke e fituar të drejtën ai i cili paguan më shumë.

(Kosova Sot)