Neziraj:Shumica e ushqimeve, të pakontrolluara

  • 20 March 2018 - 18:24
Neziraj:Shumica e ushqimeve, të pakontrolluara

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot", se në Kosovë ende nuk është e rregulluar qartë mënyra e ofrimit të shërbimeve në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit. "Po ashtu, na mungojnë kuadro të edukuara dhe profesionistë që do të ofrojnë shërbime të nevojshme për ngritjen e cilësisë dhe kontrollit të ushqimit në Kosovë. Prandaj, në vendin tonë ushqimi shumë pak kontrollohet dhe nuk është për t'u habitur se çka jemi duke konsumuar ne qytetarët ", vlerësoi ai. "Ne kemi ushqimin më të dobët dhe pa asnjë kontroll adekuat, kemi barnat,derivatet e naftës dhe të gjitha produktet që importohen janë nivelit më të dobët në rajon dhe për këtë kemi shumë sëmundje në rritje, e sidomos kanceri që ka rritje enorme pas lufte. Këto produkte të kualitetit të dobët në vendin tonë vijnë nga firmat tona që importojnë mallra të ndryshme dhe që nuk u intereson shëndeti i qytetarit, por u intereson vetëm profiti i tyre", ka thënë Neziraj. "Nuk habit rasti i fundit me mish nga Belgjika, ngase ne që nga pas lufta jemi duke e konsumuar këto produkte me afate të skaduar, jo rrallë kemi marketing në supermarket tonë ku shitet kg i suxhukut 1 euro, ndërsa kg i mishit në tregun normal është mbi 6 euro, kjo tregon se ai produkt gjithçka ka, po mish normal jo", vijoi më tutje ai.

(Kosova Sot)