Haradinaj ka një lutje për deputetët

  • 20 March 2018 - 23:25
Haradinaj ka një lutje për deputetët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është drejtuar përsëri deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku po vazhdon seanca e jashtëzakonshme, e nisur në orën 16, për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mos e nënvlerësojnë raportin e Komisionit shtetëror për demarkacionin.

"Raporti i komisionit shtetëror nuk ka për qëllim të vështirësoj procesin. Raporti mundëson kthimin e territorit nëse humb", ka thënë Haradinaj.

"Pres prej juve që mos të minimizoni, mos të harroni se ekziston ky raport i komisionit", ka thënë kryeministri.

"Po dëgjoj mendime se e kryejmë demarkacionin dhe pastaj është luftimi i korrupsionit. Shyqyr u hoq një temë prej rruge dhe atëherë do të merremi me korrupsionin", ka thënë ai.

"Nuk po e them këtë me e la veten, por nesër si Kosovë duhet të lypim përmirësime", ka shtuar Haradinaj.

"Mos i gjuani krejt të gjeturat poshtë, kushdo qofshim ne, PDK, LDK, AAK, Nisma, VV etj", ka thënë ai.

"Unë sot jam, nesër nuk jam, por shfrytëzoni këtë që i mbet Kosovës për të kryer punë për vete", ka porositur Haradinaj.

"Nëse nuk besoni mjaftueshëm në raport, mos i gjuni poshtë, leni anash. Nëse doni po rrijmë kështu të bllokuar, të izoluar me një vend", ka shtuar kryeministri.

"E vetmja lutje që kam prej jush është mos e nënvlerësoni, mos e minimizoni raportin", ka thënë ai.

"Mos deklaroni asgjë përpara kohe, mos harroni që ka shumë pika në marrëveshje që ndoshta kanë nevojë për korrigjim", është shprehur Haradinaj.

"Mos e minimizoni raportin e komisionit shtetëror", ka porositur ai.

(Kosova Sot)