Krimi i organizuar dhe korrupsioni MBULOJNË REPUBLIKËN

  • 21 March 2018 - 10:08
Krimi i organizuar dhe korrupsioni MBULOJNË REPUBLIKËN

PËRKEQËSIM I KOSOVËS NË RAPORTIN E "GALLUP INTERNATIONAL"

Zeqa: Kosova në top 10 shtetet më të korruptuara të botës, pasojë e kapjes së shtetit nga mafio-oligarkia politike-kriminale

"Nxituan disa titullarë të institucioneve që të vetëlavdërohen. Tani ky raporti i "Gallupit" është një nokaut klasik, kurse do të vijë edhe Raporti i Progresit, definitivisht nuk ka progres! Mekanizmat ndërkombëtarë janë profesionalë dhe realë, por realiteti është i hidhur, sepse Raportet e KPK-së dhe KGjK-së publikojnë shifrat që flasin vetë. Pak hetime, zero gjykime. Këtë gjendje e vulosi edhe kryeprokurori i Prishtinës, nuk po na kalojnë aktakuzat, ankohej ai", theksoi ishkreu i AKK-së, Hasan Preteni, për "Kosova Sot" 

Shteti i Kosovës, edhe së fundi është renditur në top-10 shtetet më të korruptuara të botës! Ky rreshtim shihet në listën e 149 vendeve të botës, të përfshira në sondazh nga "Gallup International", e ku Kosova renditet në vendin e nëntë! Nga vlerësimi i analistëve politikë dhe njohësve të kësaj fushe, duke parë këtë gjendje të fundit, thuhet se as që mund të jetë pritur ndonjë vlerësim më i mirë për Kosovën, sepse nuk mund të pritet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përderisa sistemi i drejtësisë është në duart e nëntokës kriminale dhe pushtetarëve të tejinkriminuar. Nga analistët dhe ekspertët shtrohet pyetja se kur do të marrë fund përzgjedhja e gjyqtarëve, prokurorëve e përgjegjësve të policisë mbi bazën e lidhjeve të detyrueshme me politikën dhe nëntokën kriminale, për të pasur sundim të fuqishëm ligji dhe drejtësi të pavarur. Analisti politik Skënder Kapiti thotë se kjo gjendje vjen nga fakti se pas luftës dhe pas pavarësisë Kosova ka rënë pre e korrupsionit që ka ardhur prej klasës politike, prej mafio-oligarkisë dhe prej sistemit korruptiv të drejtësisë. "Kjo nuk i falet kësaj klase politike, e cila spekuloi shumë rëndë me aspiratat dhe me sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi dhe për të pasur shtetin e vet", u shpreh ai. 

Instalimi i klientelizmit dhe nepotizmit

Sipas njohësit tjetër të fushës së drejtësisë, Hidajet Ahmeti, pushtetet e pasluftës kanë shtruar në bazament të fuqishëm për të vjedhur shtetin përmes abuzimit me pushtetin. Ai thotë se këta pushtetarë të pasluftës, politikën si shërbim ndaj popullit e kanë transformuar në biznes, duke u pasuar brenda natës, por edhe duke trashur klientelën politike. "Politikën si shërbim ndaj popullit e kanë përkthyer si shërbim ndaj interesave të ngushta politike, nepotike, klienteliste e klanore. Kjo logjikë e një- mendësisë qeverisëse brenda një kornize të ngushtë njerëzisht, e jo në shërbim të popullit e brenda kornizave demokratike të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend ka prodhuar milionerë të fuqishëm të pasluftës", u shpreh ai. "Hierarkia e krimit, e ndërtuar në relacione politike, nepotike, klienteliste e klanore, ka prodhuar një komoditet për politikanët e inkriminuar në afera korruptive e instalime politike e jo meritokratike. Falë kësaj logjike të instalimit të njerëzve të tyre, ka mbijetuar ky komunitet i vogël njerëzish dhe çdo vazhdim i kësaj logjike qeverisëse korrespondon me vazhdimin e degradimit institucional, ekonomik, politik e shoqëror", tha Ahmeti për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas Naim Miftarit, nuk është aspak befasi gjendja e Kosovës në lista të zeza."Në një vend si Kosova, ku komandantin e policisë, prokurorët dhe gjyqtarët i zgjedh mafia politike e korruptuar e Kosovës, ku prokurori han në një pjatë me kriminelin, në një vend ku politika është biznes i leverdishëm, nuk mund të luftohet korrupsioni", tha Miftari për "Kosova Sot".

ZEQA: KLASA POLITIKE KRIMINALE E PASLUFTËS, PËRFSHIRË TË GJITHA PARTITË POLITIKE, E SOLLËN SHTETIN BUZË FALIMENTIMIT

Analisti Florim Zeqa thotë se,duke u bazuar në këtë raport ndërkombëtar të vlerësimit të luftës kundër korrupsionit,vetëm sa forcohet akoma më shumë bindja se pavarësisht faktit se si do të përfundojë çështja e Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës,qytetarët edhe për një kohë relativisht të gjatë nuk do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm drejt vendeve të BE-së shkaku i krimit të organizuar dhe nivelit alarmant të korrupsionit në vendin tonë,e të mos flasim për anëtarësimin në BE,në OKB,etj. "Janë shifrat e sondazhit 'Gallup International',të cilat Kosovën e renditin në vendin e nëntë nga 149 shtete të përfshira në këtë sondazh.Pra,nxjerrja e Kosovës në TOP 10 shtetet më të korruptuara në botë,flet qartë për "perspektivën" evropiane të Kosovës.Kjo është pasojë e kapjes së shtetit nga mafio-oligarkia politikekriminale dhe mosndëshkimi i krimit nga drejtësia e tejpolitizuar dhe e tejkorruptuar, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shndërruar në kulturë të sistemit qeverisës për interesa të politikës ditore,të instaluar qëllimisht e " legalisht" kudo nëpër institucionet e shtetit të kapur nga mafio-oligarkët e bizneseve të inkriminuara të lidhura me pushtetarët e korruptuar që qeverisin në të dyja nivelet e pushtetit në Kosovës (në qeveritë komunale dhe në qeverinë qendrore)",u shpreh ai."Kështu,pra, klasa politike kriminale e pasluftës,e në veçanti kjo e 10-vjetëshit të fundit,përfshirë të gjitha partitë politike,shtetin e fituar me shumë mund e sakrifica e sollën buzë falimentimit përmes degradimit sistematik të institucioneve të vendit,filluar nga sistemi i drejtësisë,i cili është futur komplet nën tutelën e oligarkisë kriminale dhe në duart e nëntokës kriminale,...ku prokurorët dhe gjyqtarët zgjidhen sipas preferencave politike të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale të lidhur po ashtu me politikën kriminale",vijoi më tutje Zeqa për "Kosova Sot"."Zgjedhja e prokurorëve dhe gjykatësve në këtë mënyrë,i bënë ata tërësisht të varur nga politika që i ka sjellë dhe i ka veshur me pushtet dhe imunitet politik njëkohësisht,siç ndodh shpesh që një prokuror,gjykatës apo avokat të jetë edhe këshilltar politik i oligarkisë kriminale në pushtet",tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

ORTAKËRIA E KRIMIT INSTITUCIONAL

Sipas Kapitit, ky realitet i sotëm vjen si pasojë dhe si trashëgimi prej tërë politikës së pas luftës me të cilën po përballet edhe Qeveria e sotme 'Haradinaj'."Është infektuar jo vetëm politika dhe drejtësia nga korrupsioni, por edhe në një masë të konsiderueshme është infektuar edhe vetë shoqëria", tha Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, efekti negativ i korrupsionit institucional ka arritur deri atje, saqë korrupsioni po shihet si diçka normale dhe si kulturë. "Mendoj se në Kosovë tashmë është diskredituar dhe ka dështuar qeverisja politike me koalicione partish, pasi partnerët qeverisës nuk janë seriozë dhe të përkushtuar për mirëqeverisjen, madje edhe nën rrogoz dhe në mënyrë të kamufluar, egoizmi, inati e xhelozie edhe e sabotojnë efikasitetin e luftës kundër korrupsionit. Ortakët e koalicionit qeverisës nuk i preokupon dhe nuk i shqetëson shumë fakti nëse dështon apo jo qeverisja,pasi ata gjykojnë se në fund të fundit përgjegjësinë ta mbaje forca politike prej së cilës vjen kryeministri", theksoi Kapiti."Në këto kushte, kur konstatohet apatia dhe plogështia e anëtarëve të Qeverisë, të cilët vijnë nga ortakëria e imponuar nga pamundësia për të formuar qeverisjen një parti politike e vetme, atëherë ose duhet ndryshuar formula e qeverisjes ose të shkohet në zgjedhje të parakohshme", ka thënë ai. Ndërsa, njohësi i kësaj fushe Hasan Preteni, ish- drejtues i Agjencisë Kundër Korrupsion të Kosovës në dy mandate, thotë se ishte vetëm progres optik Raporti i fundit i "Gallupit", se Kosova shënoi përparim për 3 pikë në luftën kundër korrupsionit, kur në 2016 si shtet u vlerësuam me 36 pikë, e në vitin 2017, me 39 pikë. "Nxituan disa titullarë të institucioneve që të vetëlavdërohen. Tani ky raporti i " Gallupit" është një nokaut klasik, do të vijë edhe Raporti i Progresit, definitivisht nuk ka progres! Mekanizmat ndërkombëtarë janë profesionalë dhe realë, por realiteti është i hidhur, sepse Raportet e KPK-së dhe KGjK-së publikojnë shifrat që flasin vetë. Pak hetime, zero gjykime. Këtë gjendje e vulosi edhe kryeprokurori Prishtinës, nuk po na kalojnë aktakuzat, ankohej ai", theksoi Preteni për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)