Të moshuarat në Japoni duan të shkojnë në burg, vjedhin qëllimisht dyqane, arsyeja është e tmerrshme

  • 21 March 2018 - 11:56
Të moshuarat në Japoni duan të shkojnë në burg, vjedhin qëllimisht dyqane, arsyeja është e tmerrshme

Çdo shoqëri në plakje përballet me sfida të vështira. Por Japonia, e cila ka popullsinë më të vjetër në botë (27.3% e qytetarëve janë mbi 65 vjeç), po përballet me një sfidë që nuk e kishte parashikuar: kriminalitetin e të moshuarve
Arrestimet që përfshijnë njerëz të moshuar, veçanërisht gratë, janë duke ndodhur në norma shumë më të larta se çdo grup tjetër demografik.

Pothuajse 1 në 5 gra në burgjet japoneze është e moshuar. Krimet e tyre janë zakonisht shkelje të lehta, 9 nga 10 prej tyre janë dënuar për vjedhje dyqanesh.
Po pse kaq shumë të moshuara u janë drejtuar tani vjedhjeve të vogla?

Kujdesi për të moshuarit në Japoni dikur ishte detyrë e familjeve dhe komuniteteve, por kjo po ndryshon. Nga viti 1980 deri në 2015-ën, numri i të moshuarve që jetojnë vetëm u rrit mbi gjashtëfish, në rreth 6 milionë individë.

Një sondazh i kryer nga qeveria tregoi se gjysma e qytetarëve të vjetër që kapen duke vjedhur jetojnë vetëm. 40% e tyre nuk kanë familje, apo flasin shumë rrallë me të afërmit. Këta njerëz shpesh thonë se nuk kanë askënd kujt t’i drejtohen kur kanë nevojë për ndihmë.

“Ata mund të kenë shtëpi, mund të kenë një familje. Por kjo nuk do të thotë se kanë një vend ku ndihen si në shtëpi. Ata ndihen sikur askush nuk i kupton. Ndihen sikur i shohin vetëm si dikush që bën punët e shtëpisë”, shprehet drejtoresha e një burgu për gratë në afërsi të Hiroshimas.

Gratë e moshuara janë gjithashtu një shtresë vulnerabël ekonomikisht, pasi gjysma e atyre që jetojnë vetëm, jetojnë gjithashtu në varfëri krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.

“Burri im vdiq vitin e kaluar. Nuk kishim fëmijë, ndaj isha krejtësisht vetëm. Shkova në supermarket për të blerë perime dhe pashë një pako mishi. E doja, por mendova se do të ishte një barrë financiare. Ndaj e mora”, shprehet një e burgosur.

Aktualisht, as qeveria dhe as sektori privat nuk kanë mundur të ngrenë një program efektiv për rehabilitimin e të moshuarve. Kostot për mbajtjen e tyre në burgje janë duke u rritur shpejt, për shkak edhe të shpenzimeve mjekësore që janë rritur me 80% krahasuar me një dekadë më parë.

Burgjet kanë punësuar edhe punonjës të veçantë që të ndihmojnë të moshuarit të bëjnë dush apo të shkojnë në tualet gjatë ditës, ndërsa këto detyra gjatë natës kryhen nga rojet. Në disa institucione, të qenit roje tashmë i ngjan më tepër të qenit një infermiereje në shtëpi. Për këtë arsye, mbi 1/3 e oficerëve të burgjeve i lënë punët brenda tre vitesh.

Shumë prej grave të moshuara në burgjet e Japonisë janë duke vuajtur dënimin e tyre të tretë ose të katërt, pasi sapo dalin nga burgu kërkojnë të rikthehen. Pjesa më e madhe e tyre vjedhin mallra të lirë si ushqime apo veshje, të cilave ndonjëherë nuk u duhen.

(Kosova Sot)