Thaçi përshëndet ratifikimin e Demarkacionit

  • 21 March 2018 - 19:23
Thaçi përshëndet ratifikimin e Demarkacionit

Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar në Facebook miratimi e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Ai ka theksuar se është humbur mjaft kohës she se tash, përfundimisht, sipas tij, Kosovës i janë hapur dyert për integrime euroatlantike.

Ky është teksti i Thaçit:

Kuvendi i Kosovës i dha fund paqartësisë së panevojshme politike rreth vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore, që mbajti peng përplot tre vjet liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare. Ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin tonë.

Kosova ka humbur mjaft kohë me këtë çështje, e cila padrejtësisht ngadalësoi hapin shtetëror përpara, duke krijuar ndarje politike e shoqërore, që mbase është vështirë të kompensohen për një kohë të shkurtër. Megjithatë, votat e sotme të deputetëve në Kuvendin e Kosovës janë shpresëdhënëse se ata më s’do të ndikohen nga interesat ditore politike, por nga interesi strategjik i Kosovës.

Konsensusi i gjerë i arritur në Kuvendin e Kosovës duhet të shërbejë si platformë afatgjate e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, sidomos kur në pyetje është interesi shtetëror. E pikërisht dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e tillë e interesit shtetëror, në të cilën ne duhet të jemi të bashkuar.

Ne i përmbushëm detyrimet tona, prandaj shumë shpejt edhe qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, sepse jam i sigurt se edhe BE-ja do t’i bëjë detyrat e saj pa humbur kohë.

Tani duhet që me hapa të përshpejtuar, duke zbatuar pakon e reformave, të krijojmë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE dhe NATO.

(Kosova Sot)