Vuçiq, flet për darkat me Thaçin, pse udhëtoi fshehtë në Amerikë e çka i thanë atje për Kosovën

  • 21 March 2018 - 23:09
Vuçiq, flet për darkat me Thaçin, pse udhëtoi fshehtë në Amerikë e çka i thanë atje për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara, këtë javë. Ai ka thënë se në Amerikë, ku është raportuar të ketë udhëtuar fshehtas, ka zhvilluar një varg “takimesh të vështira e të rënda” për Kosovën.

“Ne nuk po negociojmë vetëm me shqiptarët, por edhe me ata që e kanë krijuar Kosovën e pavarur”, ka thënë Vuçiq për RTS, duke shtuar se nuk mund të flasë shumë për takimet që ka zhvilluar në SHBA.

Vuçiq ka thënë se nuk ka kurrfarë “fshehtësie” rreth vizitës së tij në SHBA. Ai ka thënë se ata që është dashur ta dinin, e kanë ditur se ai po shkonte në Amerikë pa shoqërues sigurie.

Vuçiq ka treguar se ka udhëtuar me një linjë të rregullt drejt Nju-Jorkut, bashkë me 270 persona të tjerë. Presidenti serb ka thënë se ka shkuar atje me vajzën e tij, Milicën, me të cilën nuk kalon aq kohë sa do të dëshironte normalisht.

Vuçiq ka thënë se në SHBA ka darkuar me vajzën e tij, dhe jo me George Sorosin, siç është raportuar.

Numri një i Serbisë ka folur edhe për takimet e raportuara të fshehta me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk kam marrë pjesë kurrë në darka private me Thaçin, këtu apo kudo tjetër”, ka thënë Vuçiq. “Gjithmonë na rrethojnë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

“Megjithatë, nuk do ta kisha problem (një takim privat), do të ishte më lehtë të merreshim vesh”, është shprehur Vuçiq.

Vuçiq i ka përshkruar maratonike takimet e tij në SHBA. Ka thënë se në fund është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteres

“Jam i kënaqur me punën e përpjekjen tonë, por nuk jam i kënaqur me rezultate. Kam shpresuar për mirëkuptim më të madh, nuk jam i kënaqur me atë që kam arritur. Qe një kohë të gjatë po flasim për të ardhmen e Serbisë, për Kosovën... Po përpiqemi të gjejmë zgjidhej kompromisi, por pala shqiptare po e bën punën e vet, e bashkësia ndërkombëtare të veten. Nuk jam i kënaqur, sepse vendet perëndimore qëndrojnë fuqishëm në respektimin dhe në ruajtjen e pavarësisë Kosovës“, ka thënë Vuçiq.

“Që ta përgatisë platformën për qytetarët tanë, më duhet përkrahja e bashkësisë ndërkombëtare për diçka. Megjithatë, Perëndimi nuk dëshiron në asnjë mënyrë të flasë për atë se kujt i takon Kosova”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se Serbia po paguan çmim in e vendimeve të gabueshme nga e kaluara.
Vuçiq ka theksuar se nuk është shumë i kënaqur sepse kishte shpresuar për mirëkuptim më të madh prë Serbinë dhe për serbët e Kosovës.

(Kosova Sot)